74-vjetori i çlirimit të qytetit të Beratit

1782
Sigal

Orhan FRASHËRI*

Populli i Qarkut të Beratit, ishte përfshirë në kryengritje të përgjithshme, kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Lufta kishte arritur kulmin e zhvillimit të saj, nga ve primet ushtarake të forcave partizane. Përballë kësaj situate, pushtuesit gjermanë, ishin të vendo sur, për ta shpartalluar këtë Luftë, duke ndërmarrë operacione me këto qëllime:

-Të shfarosnin Ushtrinë Nacionalçlirimtare, si organ të pushtetit popullor

-Të eliminonin Frontin Nacional Çlirimtar, që ishte në krye të Luftës dhe drejtimit politik të vendit dhe mbi të gjitha,

– Të eliminonin Partinë Komuniste të Shqipërisë, forcën më kryesore, që organizonte e drejtonte gjithë Luftën dhe të gjitha përpjekjet e Popullit Shqiptar për liri kombëtare e shoqërore dhe për ven dosjen e pushtetit demokratik popullor në Shqipëri.

Të njëjtat objektiva cenonte edhe reaksioni i vendit, i cili ishte vënë i gjithë në shërbim të okupatorit dhe luftonte ashpër në të kundërt të popullit dhe të Luftës së tij Nacionalçlirimtare. Ishte i sigurt që nazistët gjermanë, pas arritjes të objektivave të lartpërmendura, do t’i sillnin në pushtet e në krye të jetës së vendit forcat e reaksionit, të cilat ishin vënë në shërbim të tyre dhe kishin bashkuar armët me nazistët, kundër popullit. Kështu në zjarrin e Luftës më të madhe dhe në çastet e egërsisë shtazarake të reaksionit, u përgatit Operacioni i Dimrit 1943-1944, që kishte për qëllim të shkatërronte Ushtrinë Nacionalçlirimtare në Qarkun e Beratit, si edhe të asgjësonte këtë ushtri në tërë Shqipërinë. Gjermanët së bashku me Ballin Kombëtar ishin urdhëruar, që të tregoheshin të pamëshirshëm ndaj forcave partizane, aktivistëve të luftës dhe popullit. Gjer në prag të Operacionit të Dimrit 1943-1944, Ushtria Nacionalçlirimtare në qark, ashtu si dhe në qarqe të tjera, qe rritur shumë. Në këtë kohë qenë formuar 10 batalione si: Batalioni i Rinisë “Margarita Tutulani”, ai i “Kuçovës”, i “Shpiragut”, i “Malit të Bardhë”, i Mesit të Urave”, “Riza Cerova”, “Tefik Lapani” dhe dy batalione të Myzeqesë. U formuan tre Gupe Partizane: Grupi i Parë “Myzeqeja”, i “Shpiragut” dhe i “Skraparit”. Këto forca përbënin Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Qarkut të Beratit, përveç Batalioneve Partizane Rezervë, që u përleshën me pushtuesin gjerman e bashkëpunëtorët e tyre, në Operacionin armik të Dimrit. Shumë luftime të rrepta e të përgjakshme u zhvilluan rreth qytetit dhe kudo në krahinat e Beratit, të Kuçovës, Skraparit dhe në çdo vend tjetër, ku kishte dislokime të partizanëve. Janë për t’u përmendur, sidomos, qëndresa heroike e Batalionit Partizan të Rinisë, të Malit të Bardhë, të Mesit të Urave, në fshatrat Tomor, Lybesh, Kapinovë, Bargullas, Qafë Dardhë, Vërtop. Luftime të ashpra u zhvilluan edhe në Tomorricë, Potom e, sidomos, në Tendën e Qypit. Këtu u luftua fyt më fyt me gjermanët. Beteja e Tendës së Qypit, e zhvilluar 74 vjet më parë, më 20 janar 1944, ndërmjet dy batalioneve të Brigadës së Parë Sulmuese dhe partizanëve të Grupit të Tretë të Skraparit, kundër forcave naziste gjermane është një ndër betejat më të përgjakshme që u zhvilluan në Operacionin e Dimrit 1943-1944. Këtu luftuan me heroizëm të pashembullt partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese dhe të Grupit të Tretë të Skraparit. Plagë të rënda mori Zylyftar Veleshnja dhe Iliaz Sevrani, përkatësisht komandant dhe komisar të Grupit të Skraparit. Në betejën e Tendës së Qypit dhanë jetën 13 partizanë të Brigadës së Parë dhe 4 partizanë të Grupit të Skraparit. Armikut iu shkaktuan mjaft të vrarë e të plagosur. Në një dokument të ambasadorit gjerman, që mban nr.116. datë 28 nëntor 1943 shkruhet: “Mbështetja e ngushtë e Ballit Kombëtar me trupat gjermane është fakt” Operacioni i Dimrit dështoi në qarkun e Beratit, ashtu sikundër dështoi në tërë Shqipërinë. Humbjet e forcave Nacionalçlirimtare qenë mjaft të ndjeshme. Nga radhët e forcave partizane ranë mjaft dëshmorë dhe mjaft të tjerë u plagosën dhe u sëmurën. Pati prej tyre që ngrinë në dëborë. Me gjithë humbjet e pësuara UNÇL e Qarkut të Beratit, qëndroi e gjallë dhe radhët e saj u shtuan me vullnetarë të rinj. Është për të shënuar se ,pikërisht, kur nazistët dhe bashkë punëtorët e tyre ishin në kulmin e zhvillimit të tyre dhe prisnin të merrnin lajmin e gëzueshëm, se partizanët u dorëzuan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, në këtë situatë Shtabi i Përgjithshëm i UNÇl. urdhëroi formimin e Brigadës VII Sulmuese, në malet kreshnike të Skraparit, më 17 mars 1944. Efektivin e brigadës e përbënin në shumicën e tyre bij e bija të rretheve Berat e Skrapar, si edhe dy kompani nga rrethet Korçë e Gjirokastër. Të gjithë partizanët ishin trima të sprovuar në sa e sa beteja kundër armikut dhe dolën fitimtarë në Operacionin e Dimrit 1944. Në urdhrin e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL, Brigadës VII Sulmuese i ngarkoheshin këto objektiva kryesore luftarake:

  • Të detyrohet armiku me veprime luftarake të mbyllet ne Berat;
  • Të çlirohet Kuçova;
  • Të sulmohet dendur armiku në Berat-Kuçovë-Ura e Hasan beut;
  • Të pritet komunikacioni dhe të prishen linjat telefonike;
  • Të merret e të mbahet Berati.

Natyrisht që të katër objektivat,nuk mund që të mendohej të arriheshin me një here dhe pa u ndeshur ballë për ballë me armikun. Mbi bazën e këtyre objektivave të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL. Brigada VII Sulmuese nënë drejtimin e shtabit të Brigadës shokëve :Komandant Gjin Marku, n/komandant Neshat Hysi, komisar Kadri Hoxha, z/komisar Adil Çarçani, partizanët e filluan marshimin luftarak, duke marrë kontaktin e parë, me armikun për rreth kodrave të Beratit dhe Kuçovës. Tani duhej që jehona e pushkës partizane, të ndihej e fuqishme, që të bënte të mundur, realizimin një nga një të objektivave të caktuara nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL. Për të plotësuar këto detyra, të tre batalionet e Brigadës VII u hodhën në sulm kundër forcave gjermano-balliste, që ishin vendosur brenda në Berat e Kuçovë, të përforcuar me tanke dhe artileri. 15-ditëshi i dytë i muajit mars dhe gjithë muaji prill u shoqërua me goditje kundër objektivave të armikut, duke bërë të mundur çlirimin e Sulovës, të krahinave të tjera dhe duke iu afruar qytetit të Beratit. Për këto luftime të përgjakshme, duket dhe nga korrespondenca që kanë zhvilluar autoritet e Prefekturës. Komanda e Përgjithshme e xhandarmërisë duke iu referuar njoftimeve të marra nga Qarku i Beratit, njofton MPB.

-Nga Berati na lajmërojnë se çetat komuniste kanë sulmuar Beratin. duke thyer në shumë vende fuqinë e Ballit. Lufta zhvillohet brenda lagjeve të qytetit. Gjendja ishte shumë e kritikueshme. Kurse Prefektura njofton nga ana tjetër Qeverinë Kuisilnge. “Sot filloi lufta e rreptë në të gjithë frontin. Ndodhemi në tri anë të rrethuar. Morali i ushtarëve shumë i dobët. Përsërisim edhe njëherë kërkesën për dërgimin e një fuqie me mjete më të shpejta. Gjermanët këtu, i vumë ne dijeni.” Kështu forcat nazi-balliste ishin të alarmuar dhe në panik nga sulmet e partizanëve. Iniciativa ishte gjithmonë në duart e Brigadës VII Sulmuese, duke i shkaktuar armikut mjaft humbje në të vrarë dhe të plagosur. Në muajt korrik-gusht 1944, në zbatim të objektivave të Shtabit të Përgjithshëm, partizanët trima të Brigadës VII Sulmuese, kryen një sërë luftimesh të rëndësishme e të rrepta, brenda dhe jashtë rrethit,si në; Myzeqe, Lushnje, Fier, Nahije, Roskovec, etj. Për këtë gjendje të rëndë, Prefekti i Beratit informonte qeverinë kuislinge: Kemi mbetur në mëshirën e fatit, si ajo varka në det të hapur, e rrahur nga tallazet dhe e rrezikuar, për t’u fundosur nga çasti në çast. Ne sot po luftojmë më gjithë popullin dhe jo vetëm me komunistët e vendosur. Na ndihmoni për të dalë nga kjo situatë e rëndë!” Pra, siç shihet, armiku pohon si dështimin e tij të turpshëm, po ashtu edhe trimërinë e guximin e partizanëve, të cilët me luftimet e tyre të përgjakshme, në të gjitha luftimet e zhvilluara bënë të mundur që, qëllimi dhe strategjia e armikut në këtë prefekturë dështoi me turp dhe forcat partizane të realizojnë tri objektiva dhe tani t’i vijë radha objektivit të katërt, kështu që Brigada u angazhua në një operacion të gjithanshëm, për çlirimin e qytetit të Beratit. Ky ishte edhe objektivi i fundit. Pas përfundimit me sukses të këtyre luftimeve i erdhi radha, për të goditur garnizonin armik, i dislokuar në qytetin e Beratit. Luftimet për çlirimin e qytetit të Beratit, kanë qenë nga më të ashprat dhe më të përgjakshmet, në të gjitha pozicionet e luftimeve, ku partizanët e Brigadës luftuan me trimëri dhe heroizëm. Në qendër të qytetit nazistët po rezistonin,duke pasur mbështetje edhe zjarrin e tankeve e të mitralozave të shumtë në pikat më të rëndësishme. Brigada VII Sulmuese ishte formacioni i parë, më i madh, që u formua në qark dhe që i ra barra, për të marrë detyra luftarake të rëndësishme operative, të cilat kishin të bënin me çlirimin e qytetit të Beratit. Këtë detyrë e realizojë në bashkëveprim me forca të qarkut: Batalionin “Riza Cerova” dhe “Tefik Lapani”, duke sulmuar forcat armike nga të gjitha drejtimet. Më datën 12 shtator 1944, rreth orës 2 të mesnatës, batalionet e Brigadës VII S, u hodhën në sulm. Partizanët sulen si shqiponja mbi pozicionet armike. Luftimet vazhdojnë të rrepta rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi. Lufta ndizet në të katër anët dhe gjermanët rezistojnë për të mos lëshuar pozicionet, po edhe partizanët vazhdojnë goditjet e tyre. Ata kishin pranë vetes popullin. Qytetarë të ndryshëm duke vënë veten në rrezik, dilnin dhe tregonin ku ishin armiqtë. I udhëhiqnin nëpër rrugica dhe shtëpi, nëpër oborre dhe bahçe, me qëllim që t’u dilnin forcave kundërshtare prapa shpine dhe për t’i asgjësuar ato. Të shumtë qenë njerëzit, që i tërhiqnin partizanët e plagosur, i futnin nëpër shtëpitë, u lidhnin dhe u mjekonin plagët. Luftime të rrepta u zhvilluan brenda kështjellës së kalasë. Këtu partizanët trima, Thoma Arbri, biri i kësaj lagjeje, në afërsi të shtëpisë së tij, në vend të njerëzve të tij, një grup nazistësh iu doli përballë. Thomai iu gjuajti, por edhe ata gjuajtën. Në atë breshëri zjarri ai bie duke iu prerë në mes ëndrra e tij të bukur. Pak më tej përpara portës kryesore, për të lehtësuar sulmin e shokëve nga brenda dhe për ta futur armikun midis dy zjarreve, bie si trim edhe mitraljeri Sami Kuçi nga Devolli, shok i Thoma Arbrit. Në lagjen “Murat Çelepi” një akt tjetër trimërie u krye nga partizani Nexhip Xhelali. Ai rrëzoi njëri pas tjetrit dy ushtarë nazistë. Po,ja, aty para shtëpisë së tij, një plumb armik e godet, duke skuqur me gjakun rinor tokën mëmë në lagjen e tij, që e donte aq shumë. Në ndihmë të Nexhipit shkoi partizani Rexhhep Gega, por edhe ai goditet nga një plumb i armikut, në zemër të lagjes së tij. Lufta vazhdon e rreptë në lagjen “Vakëf”. Këtu Partizani trim Abdedin Qafoku u shkëput nga shokët dhe duke rrëshqitur i afrohet tankut të armikut, nxori dy granata dore duke i hedhur kundër tij me qëllim që ta lehtësonte lëvizjen e partizanëve, në kohën që do të hidhte granatën e tretë, ai u godit për vdekje. Shoku i tij partizan, Çerçiz Zyber Pobrati, si gjithmonë në ballë të shokëve ,pa u diktuar, u nis në drejtim të tankut dhe ndërkohë, kur nxjerr granatën, për ta hedhur mbi tank, aty, një plumb armik e godet në kokë. Kështu djemtë levendë shkonin në sulm dhe nuk ktheheshin prapa. Në një ditë, dy e nga dy, do të binin si zambakë, që këputen bashkë, pranë njëri tjetrit, si në betejë, në emër të fjalës shok, në emër të besës, në emër të lirisë. Prefekti i Beratit, informonte qeverinë kuislinge: “…sot filloi lufta e rreptë në të gjitha anët e qytetit. Ndodhemi në tre anët të rrethuar. Morali i ushtrisë shumë i dobët. Forcat gjermane kanë filluar me u tërhequr me qëllim për t’i shpëtuar sulmit partizan. Forcat qeveritare u larguan në drejtim të Lushnjes.” Berati ishte një ndër qytetet e para, me një popullsi të madhe, që u çlirua. Kjo përbënte një fitore me rëndësi jo vetëm për Brigadën VII Sulmuese dhe forcat partizane të Qarkut të Beratit por edhe për mbarë popullin shqiptar. Duke çliruar Beratin, partizanët e Brigadës VII Sulmuese, plotësuan me nder e krenari një nga detyrat më të rëndësishme, që u kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në përshëndetjen e dërguar Brigadës VII Sulmuese, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, gjeneral kolonel,shoku Enver Hoxha, midis të tjerave thuhej: “Të dashur shokë të Brigadës VII Sulmuese! Ju urojmë për sukseset që pati Brigada juaj me marrjen e Beratit. S’ka dyshim që në efektivin e Brigadës VII Sulmuese, do të shkruhen suksese edhe më të mëdha. Mos harroni që Brigada VII Sulmuese, pritet të kalojë në zonat, ku ka marrë urdhër. Lëvizja e Brigadës VII Sulmuese nuk duhet të vonohet.” Të fala, Enver Hoxha. Berati i kushtoi shumë shtrenjtë armikut, me mbi 200 të vrarë, përveç të plagosurve dhe materiale luftarake, që ranë në duart e partizanëve trima.

Në luftimet e ashpra kundër armiku, ranë në fushën e betejës 22 dëshmorë, midis tyre: Thoma Arbri, Nexhip Xhelali, Rexhep Gega, Sami Kuçi, Abedin Qafaku, Çerçiz Zyberi e shumë të tjerë, si dhe u plagosën edhe 28 partizanë. Më 13 shtator 1944, u mbyll me triumf të plotë çlirimi i qytetit të Beratit 13 Shtatori i vitit 1944, është dita e çlirimit të qytetit të Beratit. Një datë e shënuar në histori në e LANÇ, për Beratin dhe tërë Shqipërinë. Në këtë vit jubilar të 74-vjetorit të çlirimit të Atdheut, përkujtimi i kësaj date merr një rëndësi të veçantë. Vitet e oshtimës të LANÇ bëhen më të fuqishme në kujtesën e popullit dhe shpirtin e tij liridashës, bëhen edhe më solide, teksa shohim sulmet e atyre, që atëherë na vunë pushkën e sot na kundërvihen me armët e shpifjeve, mashtrimeve, e gënjeshtrave, që duan të zymtojnë këtë atmosferë jubilare, idealet dhe vlerat e patjetërsueshme të epopesë së lavdishme të LANÇ. Në këtë vit të çlirimit të Beratit ne u përcjellim të gjithëve respekt e mirënjohje, kudo që ndodhen. I paharruar kujtimi i atyre që janë ndarë nga jeta! Kontributi i madh njerëzor e material, gjaku dhe sakrificat e panumërta, gjatë LANÇ na radhitën në krahun e fitimtarëve të Luftës. Ato nuk mund të denigrohen dhe errësohen asnjëherë e nga askush. Do të kujtohen me respekt e veneracion brez pas brezi. Sot, në vitin e 74-t të çlirimit të Beratit, u bëjmë homazh gjithë partizanëve dhe kuadrove që dhanë jetën e tyre, në lulen e rinisë, për ta parë Shqipërinë të lirë e të pavarur. Duke përkujtuar në këtë jubile,74-vjetorin e çlirimit të Atdheut, u drejtojmë mendimin dhe nderimin e plotë, respekt e dashuri popullit liridashës e të mrekullueshëm të Beratit, që qysh nga fillimi e deri në çlirimin e atdheut, mbështeti fuqishëm luftën çlirimtare.

*Anëtar i Komitetit Kombëtar të Luftës së popullit shqiptar dhe Kryetar i Komitetit të Veteranëve të Rrethit Berat.