70-Vjetori/ Është në nderin e Qeverisë “Rama”  t’i kthejë identitetin e duhur historisë së luftës së popullit tonë

565
Sigal

Në Shqipëri, varrezat e dëshmorëve dhe muzetë  janë kthyer në gërmadha

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, në kuadrin e veprimtarive që organizon për nder të  70- vjetorit të Çlirimit të vendit, një vëmendje të veçantë i kushton edhe dëshmorëve të rënë në Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare. Në këtë jubile, më shumë se kudo duhet të promovohen heroizmat e tyre të pa shoqe, sakrificat sublime, duke dhënë jetën në moshën më të bukur, në lulen e rinisë, për një ideal të madh kombëtar, për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist. Labëria, si një nga trevat me kontribute të mëdha në luftërat për liri, pavarësi dhe prosperitet shoqëror, ka shumë heronj dhe dëshmorë të vendosur në altarin e përjetshëm të kombit Shqiptar.  Pas çlirimit, në nderim të veprës së tyre unikale, në çdo rreth të vendit janë ngritur Varrezat e Dëshmorëve, ku janë grumbulluar eshtrat e të rënëve në luftërat çlirimtare nga Jugu në Veri, në të gjitha qytetet e 36 rretheve, në pikat më dominuese, janë ngritur komplekset e Varrezave të Dëshmorëve. Në 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, u krijua një traditë e vyer, që në nderim të tyre, bëheshin çdo vit homazhe për sakrificat dhe gjakun që i dhuruan Atdheut. Në vëzhgimin tonë si shoqatë, ne shohim me shqetësim se në harkun kohor prej 70- vjetëve jo pak herë është deformuar motivi dhe qëllimi për të cilën u ngritën këto varreza. Me kalimin e viteve, qysh në sistemin 50-vjeçar të monizmit, u bë e modës që në Varrezat e Dëshmorëve të vendosen edhe personalitete të luftës dhe të punës, që kanë vdekur natyralisht gjatë periudhës 1944-1990, por që nuk ranë dëshmorë gjatë luftës. Një veprim i tillë, bëri që të humbas karakteri patriotik i këtij vendi të shenjtë, që ju kushtohet të rënëve në luftë dhe jo njerëzve me kontribute qofshin këto, edhe shumë të çmuara në ndërtimin e Shqipërisë pas lufte, për të cilët mund të gjendej një vend dhe një status tjetër nderimi i lartë, por kurrsesi jo i barabartë me shenjtërinë e të rënëve drejtpërsëdrejti në fushën e betejës me çmimin më të lartë të jetës.  Veçanërisht në vitet e demokracisë, deformimi u bë akoma më i madh dhe më shqetësues në hierarkinë e vlerave të mëdha kombëtare.  Jo vetëm që u zbehën këto rituale të përvitshme, por edhe ngrehinat e tyre simbolike në rrethe, pjesërisht u braktisën, u shkatërruan dhe humbën qëllimin për të cilin ishin ngritur. Si në gjithë Shqipërinë, edhe në Labëri po të bësh një udhëtim panoramik, do shohësh se shumë lapidarë, varreza, e pa folur më për muze, në të gjitha qytetet, por edhe në shumicën e gati të gjithë fshatrave, janë kthyer në  gërmadha, që s’kanë më, jo histori, por as identitet përfaqësimi. Kjo filozofi 50- vjeçare ka zbehur rolin e këtyre varrezave dhe pas viteve 1990, ato janë kthyer në ngrehina, ku partitë në pushtet vendosin simpatizantët e tyre që vdesin në rrethana të ndryshme dhe që shpesh e cenojnë rëndë hierarkinë e vlerave të emrit të madh heronj dhe dëshmorë të Atdheut. Shoqata kulturore atdhetare “Labëria” gjykon: se as ato personalitete që kanë ndërruar jetë gjatë periudhës së sistemit monist, e as ata të periudhës së demokracisë, nuk e kanë vendin të Varrezat e Dëshmorëve.  Dëshmorët, s’kanë asgjë të përbashkët me këtë kategori shoqërore. Ata, u vranë në luftë, në një situatë të pazakontë, u mblodhën eshtrat mbas çlirimit dhe nuk ju është bërë ceremoni varrimi, apo homazhe. Ndërsa atyre që kanë vdekur në krye të detyrës, janë përcjellë me nderime e homazhe, deri edhe me shtrat topi për kontributin e tyre në një situatë krejt normale mund të varrosen në varreza publike, qoftë edhe me një status tjetër vendi dhe emërtimi për kontributet e tyre patriotike. Është në nderin e Qeverisë “Rama” dhe komisionit të kremtimit të 70- vjetorit të Çlirimit të vendit, që ky handikap i krijuar nga interpretime subjektive, të Partisë së Punës, apo të partive paradë në periudhën e demokracisë, që kanë qenë në pushtet të majta e të djathta, në këto 24 vjet pluralizëm, ta korrigjojë këtë qëndrim, duke i dhënë vlerat e merituara dhe vendosur identitetin e emrit dëshmor. Ky është një borxh kombëtar që qartëson historinë dhe e vendos në një harmoni paqeje gjykimin e së nesërmes dhe brezave që vijnë.

Shoqata atdhetare “Labëria”