70 vite CIA (Central Intelligence Agency)

720
Dr. Bledar Kurti

70 vite më parë, me 18 Shtator, 1947 u krijua Agjencia e spiunazhit më e njohur dhe më mitike në botë. Gjatë shtatë dekadave të fundit ka pasur një numër shumë të madh mitesh rreth kultit të inteligjencës dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, e njohur ndryshe si CIA (Central Intelligence Agency). Shpeshherë këto mite kanë prejardhjen nga mungesa e njohurisë për shërbimet e inteligjencës, nga lajmet në media ose të fryra nga libra ‘triller of aventuresk’. CIA perceptohet kryesisht për operacionet e fshehta, se sa për atë çfarë ajo përfaqëson si Agjenci. Gjatë Luftës së Ftohtë, operacionet e fshehta ishin një aspekt unik në marrëdhëniet ndërkombëtare amerikane dhe ishin këto operacione që përkufizuan imazhin publik të CIA-s. por, kjo Agjenci lindi për qëllime tërësisht të ndryshme: lindi vetëm për të mbledhur dhe koordinuar informacion dhe jo për të kryer operacione të fshehta. Kush e transformoi atë në agjencinë që është sot? Drejtuesit e saj ndër vite apo Presidentët amerikanë? Ndoshta që të dyja palët 

Nga OSS në CIA
Nevoja për një agjenci inteligjence të fortë dhe kompetente doli dukshëm pas 7 Dhjetorit, 1941, datë në të cilën, pavarësisht paralajmërimeve të shumta, Pearl Harbor u sulmua prej aeroplanëve bombardues japonezë. U duk qartë se sistemi i vjetruar dhe i decentralizuar i inteligjencës, i cili nuk ishte në gjendje të bënte dallimin midis ‘zhurmës së rëndësishme’ nga zhurma e sfondit, ishte tejet e papërshtatshme. Presidenti F. D. Roosevelt kishte plotësuar pjesërisht nevojën e koordinimit të inteligjencës duke krijuar OSS-në (Office of Strategic Services) Zyra e Shërbimeve Strategjike, nën drejtimin e Gjeneral Major William J. Donovan. Ajo u formua në Tetor të vitit 1941. OSS-ja ishte një organizatë inteligjence aktive shumë e shpërndarë dhe e fuqishme e cila rrodhi prej një agjencie të mëparshme por më të vogël e quajtur Office of Co-ordination of Information (Zyra e Ko-ordinimit të Informacionit). OSS-ja kreu punën e saj gjatë viteve të luftës dhe hodhi themelet për një agjenci të përshtatshme për në kohë paqe, kjo agjenci që pasoi ishte CIA. Në fillimet e saja OSS-ja konsiderohej si një agjenci civilësh. William J. Donovan dhe Presidenti amerikan i Luftës së Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt e themeluan atë për të mbledhur informacione, një agjenci amerikane e shpërndarë në tërë botën por nën juridiksionin e Departamentit të Luftës, dhe si një model i të famshmes Federal Bureau of Investigation (FBI), e cila ishte e mjaftueshme. Presidenti Roosevelt dhe Gjenerali Donovan u përpoqën ta ruanin statusin civil të OSS-së, por pavarësisht nga përpjekjet e tyre, ndodhi një poçes gradual dhe i pashmangshëm militarizimi. Pati shumë pjesëtarë të OSS-së të cilët e kundërshtuan kategorikisht militarizimin, por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallën luftë forcave qendrore (Gjermani, Itali, dhe më vonë Japoni) dhe kur Gjenerali Donovan u paraqit me uniformë ushtarake, pranimi i militarizimit të organizatës u nënkuptua dhe u pranua unanimisht. Lufta mund të mbështetej prej civilëve por ajo nuk luftohej prej tyre, ajo luftohej prej njerëzve me uniformë, ndaj një gjë ishte e sigurt, që në fillimet e saj OSS-ja nuk ishte një organizatë policie që ruante rendin pa luftuar. Detyrat e saj ishin të mbështeste konfliktet e armatosura, operacionet e fshehta, klandestine dhe luftërat sekrete, pra ishte një organizatë lufte. Kur lufta mbaroi dhe forcat e armatosura u kthyen në detyrat e tyre të para-luftës, OSS-ja, pa e pasur një precedent të tillë, nuk u kthye në rolin e saj parësor. Ajo nuk kishte pasur një strukturë bazë që ti rikthehej. Ajo kishte lindur prej luftës. Për aq kohë sa Presidenti Roosevelt jetonte (ai vdiq vetëm një muaj dhe katër dite përpara kapitullimit të Gjermanisë në Evropë) agjencia e Gjeneralit Donovan ishte e sigurt nga zaptimi që mund t’i bënin shërbimet ushtarake. Megjithatë, OSS-ja nuk gëzoi të njëjtën marrëdhënie me pasardhësin e Roosevelt-it në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Harry S. Truman, i cili mendonte se OSS-ja nuk nevojitej më. Gjithashtu, ai dukej se bashkohej me mendimin e shefave të shërbimeve ushtarake se spiunazhi duhej të ishte pjesë e ushtrisë, ndërsa për gjëra të tjera FBI-ja do mjaftonte. Gjenerali Donovan argumentoi për vazhdueshmërinë e ekzistencës së OSS-së kundër mendimit ndryshe që kishin shefat e forcave ushtarake, detare dhe ajrore të ShBA-së, si edhe komiteteve të Kongresit dhe shumë komisioneve të tjera. Ai e konsideronte të pakonceptueshëm rikthimin e inteligjencës amerikane në statusin e saj të para-luftës. Ai, herë-pas-here ngulmoi në besimin e tij se nevojitej një agjenci e pavarur, me një status civil, dhe e ndarë nga kontrolli i ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore, që të funksiononte në kohë paqeje si një organizatë inteligjence me detyrën e mbledhjes së informacionit dhe inteligjencës. Gjenerali Donovan u mundua të bindte Truman edhe për rëndësinë e lidhjes me Shërbimet Sekrete të Inteligjencës Britanike dhe se ajo duhej ruajtur dhe jo humbur. Truman tashmë e kishte vendosur në mendjen e tij se nuk nevojitej një agjenci inteligjence e huaj në periudhën e pas luftës. Ai nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 9621, i cili e lëndoi OSS-në. Në fund Donovani dha dorëheqjen dhe OSS-ja u mor nën zotërimin e Departamentit të Luftës. Shuarja e saj e plotë ishte e shpejtë. Emri ndryshoi në “Njësia e Zyrës së Shërbimeve Strategjike – Departamenti i Luftës” por më pas ndryshoi përsëri në “Grupi i Inteligjencës Qendrore – Departamenti i Luftës”. Në 22 Janar, 1946, Presidenti Truman themeloi “Autoriteti i Inteligjencës Kombëtare”, i cili përbëhej prej sekretarit të shtetit, të luftës dhe marinës, dhe kishte si detyrë të planifikonte, zhvillonte dhe koordinonte të gjitha aktivitetet e inteligjencës. Në vitin 1947, Lufta e Ftohtë ishte në fillimet e saj. Në 12 Mars, 1947, Truman paraqitet përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit dhe kërkoi 400 milionë dollarë për të ndihmuar dhe shpëtuar Greqinë dhe Turqinë prej rrezikut Komunist. Për dyzetë vitet në vazhdim “Frenimi” i Bashkimit Sovjetik u bë baza e politikës së jashtme Amerikane. Ngritja e tensionit të Luftës së Ftohtë bëri që të ngrihej propozimi për themelimin e një agjencie qendrore të inteligjencës. Në 26 Shkurt, 1947, në Kongresin amerikan u dërgua për miratim një ligj, i cili me pak amendamente, u aprovua dhe doli për zbatim në 26 Korrik dhe njihet si Ligji i Sigurisë Kombëtare Ky ligj themeloi Këshillin e Sigurisë Kombëtare si edhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës ose në origjinal CIA, “me qëllimin për të koordinuar aktivitetet e inteligjencës së shumë departamenteve dhe agjencive të qeverisë në interes të sigurisë kombëtare.” Drejtuesit të CIA-s iu shtua titulli Drejtor i CI-së, që vazhdon të njihet edhe sot e kësaj dite me shkurtimin DCI, i cili do kishte autoritet edhe mbi komunitetin e inteligjencës ndaj jashtë vendit, kjo e fundit ishte vetëm një autoritet në parim dhe jo plotësisht në praktikë. Ishte Ligji i Sigurisë Kombëtare ai që i dha jetë CIA-s, duke e bërë këtë agjenci të jetë një shtesë e qeverisë së Sh.B.A. Detyrat e saj u përkufizuan si detyrat e një organizate e cila kishte për qëllim të mblidhte informacione, më të shumtën me anë të mënyrave të pacaktuara dhe jo të drejta. Detyra e CIA-s ishte të këshillonte Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ajo duhej të vlerësonte informacionet që kishin të bënin me mbrojtjen apo çështjet kombëtare dhe duhej të bashkëpunonte me organizatat e tjera të inteligjencës amerikane. Ajo nuk duhej në asnjë mënyrë të merrte pjesë në formulimin apo bërjen e politikave. Ligji i Sigurisë Kombëtare bëri që Sh.B.A të zhvillojë një shërbim informativ të madh, modern, dhe shpeshherë mbresëlënës. Por gjithashtu, ky ligj i hapi derën shumë abuzimeve të cilat, pasi do dilnin në dritë një brez më vonë, do e alarmonin Amerikën. Këto abuzime nuk erdhën automatikisht. Disa muaj më pas, kur Lufta e Ftohtë arriti në një gjendje alarmuese, Këshilli i Sigurisë Kombëtare autorizoi operacione të fshehta. Duke dhënë autorizime të tilla, ajo e udhëhoqi CIA-n në një fazë ku kjo agjenci nuk ishte më e kënaqur vetëm me raportimet dhe analizat e ngjarjeve jashtë vendit por asaj i duhej të influenconte mbi këto ngjarje në përputhje me interesat amerikane. Seksioni 102 vendosi përgjegjësinë e plotë të veprimeve të CIA-s nën urdhrat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por, meqë kreu i Shtëpisë së Bardhë ishte mbi pjesëtarët e Këshillit, ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara ai që kishte carte blanche. Përfshirjet dhe operacionet e CIA-s urdhëroheshin nga KSK. Ato sanksionoheshin nga Sekretari i Shtetit, Drejtori i Zyrës së Mobilizimit Mbrojtës dhe Civil, Sekretari i Mbrojtjes, Zëvendës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, pjesëtarë të rëndësishëm të Kongresit, të cilët, në këtë aspekt, ishin nën urdhrat e Presidentit. Pjesa më e rëndësishme e Ligjit të Sigurisë Kombëtare në lidhje me CIA-n ishte Titulli I, “Koordinim për Sigurinë Kombëtare – Agjencia Qendrore e Inteligjencës.” Ndoshta detyra më e rëndësishme e CIA-s, dhe drejtorit të saj (DCI), ishte ko-ordinimi i të gjitha përpjekjeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Si fillim, ligji siguronte caktimin e drejtorit të Inteligjencës Qendrore nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara me këshillimin dhe aprovimin e Senatit, dhe specifikonte se të emëruarit mund të ishin oficerë aktualë apo të dalë në pension nga shërbimet e armatosura ose njerëz të jetës civile. Në vitin 1953, kjo pjesë e ligjit u ndryshua nga Kongresi për të caktuar një zëvendës drejtor dhe deklaroi se të dyja pozicionet asnjëherë nuk duhet ti përkasin një personeli ushtarak. Seksioni 102 (d) shtjelloi arsyen për krijimin e CIA-s. Kjo pjesë nuk ishte e shkruar qartë dhe lejonte shumë interpretime; “Për qëllimin e koordinimit të aktiviteteve të inteligjencës ndërmjet shumë departamenteve qeveritare dhe agjencive, në interes të sigurisë kombëtare, do jetë detyra e Agjencisë, nën drejtimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare …” Arsyeja që kjo pjesë e ligjit ka shkaktuar konfuzion qëndron tek katër fjalët e para. “Për qëllimin e koordinimit …” Shumë prej atyre që besonin që CIA kishte më shumë pushtet sesa duhet, apo që bëri gjëra që s’duhet të kishte bërë, u shprehën se këto fjalë tregonin qëllimin e Kongresit se CIA vetëm duhet të kishte koordinuar aktivitetet e agjencive të tjera dhe jo të mblidhte informacione apo të vepronte vetë. Balanca e këtij paragrafi do dukej sikur do dështonte për të justifikuar këtë argument. Një prej detyrave të para të Agjencisë ishte të këshillonte KSK-në për aktivitete inteligjence të qeverisë të cilat kishin të bënin me sigurinë kombëtare. Kjo do të thoshte se CIA raportonte tek KSK mbi informacione dhe operacione, dhe se ishte zëri i inteligjencës në veshët e atyre që bënin politikën. Drejtori i CIA-s Allen Dulles shkroi se Ligji i vitit 1947 ishte “një krah i bërë publik i degës ekzekutive të qeverisë, pavarësisht, dhe sigurisht, që kishte detyra të tjera me natyrë sekrete.” Për më tepër, Dulles argumentoi se plani strukturues dhe skema e gjerë e CIA-s ishte “unike”. Ajo u themelua “për të mbushur boshllëqet në strukturën e inteligjencës ekzistuese pa zëvendësuar apo konkurruar njësitë e inteligjencës amerikane në Departamentin e Shtetit apo Mbrojtjes.” Sipas Dulles, një funksion tjetër i strukturës së CIA, e cila nuk erdhi menjëherë por që ishte si rezultat i “përshtatjes graduale me eksperiencën që tregoi të ishte praktike dhe eficiente,” ishte përfshirja e të gjitha aktiviteteve klandestine dhe operacioneve të fshehta. Në Seksionin 102 të Ligjit, gjithashtu ishte e shkruar se CIA do autorizohej herë-pas-here prej Këshillit të Sigurisë Kombëtare për “të kryer funksione dhe detyra të tjera në lidhje me inteligjencën dhe sigurinë kombëtare.” Seksioni 102 ishte pjesa më thelbësore e Ligjit, kjo pjesë ishte përgjegjëse për aq shumë aktivitete të cilat më vonë do krijonin një skepticizëm të hidhur si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë saj. Gjithashtu ka të bëjë edhe me mënyrën sesi u formulua, një miratim i heshtur që përcakton “të papërcaktueshmet”. Kongresi Amerikan e kishte pranuar CIA-n si një agjenci koordinuese, prodhuese, dhe operative. Gjithashtu, ishte në dijeni se po autorizonte spiunazh dhe kundër-spiunazh ndaj shteteve të huaja, dhe padyshim i siguroi asaj liri të konsiderueshme veprimi me anë të klauzolës “për të kryer funksione dhe detyra të tjera” sipas autorizimit të KSK. Në atë kohë, Kongresi e njihte karakterin pionier të legjislaturës, ndaj duke iu frikësuar krijimit të një Gestapo-je, i privoi agjencisë forca policore apo mbrojtjeje të brendshme. Kongresi Amerikan, në një atmosferë tensionuese të Luftës së Ftohtë, e lejoi veten të bindej prej profesionistëve të inteligjencës. Me pasazhin e Ligjit të Sigurisë Kombëtare, i lejoi agjencisë së re përjashtime të veçanta nga procesi rishikues i zakonshëm i Kongresit, dhe këto përjashtime u shtuan më shumë dy vjet më vonë me Ligjin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të vitit 1949. Megjithatë, disa senatorë u shprehën se historia legjislative e Ligjit të vitit 1947 nuk ndikon se Kongresi parashikoi që CIA do përfshihej në luftëra politike të fshehta përtej kufijve. Ndërsa të tjerë u shprehën se gjuha e e Ligjit të vitit 1947 nuk autorizonte drejtpërdrejtë aplikimin e operacioneve të fshehta, dhe me sa duket Kongresi nuk kishte për qëllim t’i autorizonte agjencisë një autoritet të tillë. Sipas raportit përfundimtar të Komitetit të Zgjedhur për të Studiuar Operacionet Qeveritare, të ngritur prej Kongresit në vitin 1976, e njohur ndryshe edhe si Komiteti Church, Ligji i vitit 1947 nuk fuqizonte në mënyrë direket CIA-n për të mbledhur inteligjencë apo për të ndërhyrë në mënyrë të fshehtë në punët e brendshme të shteteve të tjera. Por shprehja elastike “funksione të tjera” u përdor prej Presidentëve të ardhshëm Amerikanë për ta shtyrë CIA-n të përfshihej në spiunazh, operacione të fshehta, operacione para-ushtarake, dhe mbledhje inteligjence teknike. Shpeshherë argumentohet se Ligji i Sigurisë Kombëtare i dha fuqi të rëndësishme dhe fleksibilitet CIA-s dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por në fakt ai ligj ia dorëzoi atë autoritet Presidentit. Transformimi i CIA-s nga një agjenci për mbledhjen e inteligjencës në një institucion i përfshirë në aksione të fshehta nuk ishte i menjëhershëm por gradual. Pavarësisht ambiguitetit të “funksioneve” të shkruar në Ligjin e vitit 1947, arsyeja kryesore e transformimit ishte Lufta e Ftohtë dhe rrethanat e saj të pazakonta, të cilat bënë që Ekzekutivi dhe Legjislativi të inkurajonin CIA-n për aksione të fshehta. Termi “aksion i fshehtë” mund të përkufizohet si ndërhyrja e një shteti në punët e brendshme të një shteti tjetër me qëllimin e zgjerimit të kontrollit politik dhe ekonomik, duke përdorur mënyra të padukshme dhe të papranueshme. Presidenti Truman nuk kishte për qëllim që CIA të bënte më shumë sesa të mblidhte informacionet e disponueshme dhe t’ia paraqiste presidentit. Ai e përmendi qartë në kujtimet e tij qëllimin e vërtetë të krijimit të CIA-s; “Një nga agjencitë e tjera të çmuara të krijuara prej ligjit ishte Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) nën urdhrat e Këshillit të Sigurisë, për të koordinuar dhe vlerësuar aktivitetet e inteligjencës dhe të dhëna …” Truman nuk e miratoi CIA-n që ajo të operonte si një agjenci ndërkombëtare e përfshirë në operacione të fshehta, megjithatë ishte vetë ai që i dha fytyrë të re komunitetit të inteligjencës moderne të Shteteve të Bashkuara dhe që autorizoi Agjencinë të përfshihej në aksione të fshehta.

Vijon nesër
Sigal