Sigal

Janë ngritur për të 9 herë në protestë duke qenë se sipas tyre ende nuk janë paguar për punën e bërë, përfaqësues të 55 kompanive nën-kontraktore të Serenissima dhe punonjësit e tyre, të cilët ishin kontraktuar për ndërtimin e By passit të Fierit dhe Vlorës.

Në total janë 600 punonjës të cilët kërkojnë pagesën për punën e bërë gjatë periudhës 2015-2016, dhe kërkojnë angazhim maksimal të të gjithë aktorëve për zgjidhjen e situatës.

Të ndodhur në kushtet kur në llogaritë e tyre nuk ka kaluar pagesa e punës së bërë, përfaqësues të kompanive nënkontraktore kanë theksuar se nuk do të lejojnë rifillimin e punimeve në këtë vepër, duke shtuar se do të bëjnë gjithçka për ti penguar ato.

Pasi kanë bllokuar për disa minuta aksin Mbrostar-Fier, protestuesit kanë theksuar se nëse nuk marrin përgjigje brenda një jave do të futen në grevë urie përpara ministrisë së Transportit.

Vlera e punimeve të kryera dhe të papaguara, sipas përfaqësuesve të kompanive nënkontraktore të Serenissima, shkon në 9.6 mln euro.