60 nxënës të asfiksuar në gjimnazin e Shupenzës, një vajzë në gjendje të rëndë

677
Rrjedhje gazi në kaldajën e shkollës, pritet të dalin përgjegjësitë, të dhënat e para flasin për një ngjarje aksidentale gjatë vënies në punë 
Rritet numri i nxënësve të asfiksuar nga rrjedhja e gazit në gjimnazin e Shupenzës në Bulqizë, duke shkuar në total rreth 60. Mjeku i spitalit rajonal të Bulqizës ka bërë me dije se pas kontingjentit të parë, ka mbërritur edhe një i dytë, ndërkohë që një pjesë e nxënësve të asfiksuar janë dërguar drejt Peshkopisë, pasi në vend nuk ka pasur kapacitet për trajtimin e tyre. “Një nxënëse me inicialet A.M., 16 vjeçe, është nisur me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar”, thuhet në njoftim. Sipas burimeve policore 34 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës, ndërsa 25 nxënës po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë, dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pas asfiksimit nga gazi te gjimnazisteve ne gjimnazin e Shupenzës. Siç behet me dije në njoftim për shtyp, ministria po ndjek nga afër situatën në Bulqizë, ku rreth 60 nxënës të shkollës së mesme të Shupenzës kanë shfaqur probleme shëndetësore si pasojë e vendosjes në punë të kaldajës në shkollën e mesme të Shupenzës. Gjendja e të gjithë nxënësve që aktualisht po trajtohen në spitale është nën kontroll dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor. Pas mbërritjes në Tiranë, nxënësja e dëmtuar rëndë, u vizitua edhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. 

Nikolla i përgjigjet Bashës: Nuk kemi bërë asnjë mrekulli, por…
Ministra e Arsimit, Lindita Nikolla, ka reaguar në lidhje me akuzat e kreut demokrat Lulzim Basha, pas helmimit të 60 nxënësve në një shkollë në Shupenzë. Sipas Nikollës politika nuk duhet të bëj hesapet e veta për këtë ngjarje të rëndë. Nikolla i kujton kreut të PD, Bashës ngjarjet e rënda që kanë ndodhur kur ai ka qenë në qeveri dhe nuk ka pasur reagime të tilla nga ajo.

“Ne nuk kemi bërë asnjë mrekulli, kemi ndryshuar gjëra dhe edhe më shumë do t’i ndryshojmë, po një gjë është e sigurt: Mes nesh dhe jush, mes Edi Ramës e teje, ka një ndryshim të madh, si në ditë të mira si në ditë të vështira”, shkruan ndër të tjera Nikolla.

Në vijim ajo shton se ne të gjithë po merremi me fëmijët e Shupenzës dhe ju siguroj se falë angazhimit të të gjithëve, ata fëmijë po marrin shërbimin e duhur në kohën e duhur.

“Është ndryshimi mes njerëzve normalë që duan ta bëjnë normal këtë vend, duke mbajtur në kurriz prej katër vjetësh, të gjithë trashëgiminë e rëndë të keqqeverisjes suaj të gjatë dhe politikanëve anormalë. Të cilët këtë vend e duan vetëm kur i mban ata në kurriz ose përndryshe, janë gati t’i vënë shqelmin çdo ditë për të mos e lënë askënd të jetojë dhe punojë normalisht”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Nikollës.
Sigal