6 qershorët e zgjedhjeve, premtimeve, luftës false dhe “puthjeve” të PS-PD

502
Përparim HALILI
Tallja me shqiptarët qysh prej vitit 1997, kur dy “ushtritë” PS e PD dorëzuan armët e rebelimit dhe bënë amnistinë e krimeve të tyre 
Në 20 vitet e fundit, këto janë zgjedhjet e gjashta parlamentare për dy ish-kundërshtarët PS e PD, aktualisht aleatë në qeverisjen e tyre të dytë bashkë-qeverisëse këtyre 26 viteve, kur të dy partitë u bashkuan në ish-qeverisjen e “Stabilitetit”, si dhe në miratimin e ligjit 7501, që futi dhe po mban në luftë civile shqiptarët edhe brenda familjeve, për shkak të konflikteve të pronave! Zgjedhjet e këtij viti, janë zgjedhjet e gjashta parlamentare që bëhen në muajin qershor të çdo katër viteve, qysh prej vitit 1997! U ndalëm tek dy detaje jo për “histori”, por për faktin e vetëm e të dukshëm, që pas luftës politiko-ushtarake të PS e PD në vitin 1997, të nisur për shkak të “shfryrjes së tullumbaces” së piramidave financiare, të u zhvatën edhe lugët shqiptarëve, këto dy parti tashmë janë në aleancë qeverisëse, duke ndarë “tepsinë” e pushtetit mes tyre! Kjo paqe mes palëve (ar)mike, kujtojmë që i ka dhënë shenjat e saj në marrëveshjen e 9 marsit të vitit 1997, kur u bë amnistia e katrahurës së vitit 1997 që shkatërroi ekonominë, ushtrinë, policinë, shkollat, bizneset, kulturën, zyrat e shtetit, bankat, hipotekat, kadastrat e gjithçka, me pasojë edhe 3000 viktima! 
1. Në zgjedhjet e qershorit 1997, u premtua se do të kthehej çdo qindarkë e vjedhur dhe e humbur në firmat piramidale. Nuk u kthye asnjë. U premtua, se do të çoheshin para gjyqit shtetarët dhe politikën që krijuan katrahurën, por u burgos me 2 vjet vetëm Sudja e cila ushqehej me pica në qeli! U tha se do të shkatërroheshin bandat e rrugës, por ato u futën në parlament, në qeveri, në kupolat e PS e PD! U tha se do të krijohej një administratë me bazë “meritokracinë”, por zyrat e mbushën me individë që kishin si tregues vetëm harbutërinë! U tha se do të rriteshin pagat e pensionet, por ato u lanë lëmoshë1 U tha se do të ndërtohej shteti i së drejtës, por synoi dhe veproi padrejtësia, krimi, hajdutëria, vandalizmi shtetëror, monopolet në ushqime e karburante, grabitja në dogana e tatime! U premtua se të gjithë shqiptarët që kishin humbur banesat në firmat piramidale, do t’u jepej financim falas nga kredia grek me vlerë 5 milionë dollarë, por që nuk erdhi asnjë qindarkë! Kujtojmë, që u bënë shumë premtime dhe populli i gjorë, besoi ata që janë pasuruar e kanë ikur nga politika dhe ata që kanë mbetur ende në krye të këtyre partive “kazino”! 
2. Të njëjtat premtime, u bënë edhe pas katër vitesh, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2001, po nga ata që bashkërisht shkatërruan vendin në vitin 1997, që falen krimet e tyre me amnisti, që grabitën bashkërisht miliardat nëpërmjet piramidave dhe i mbyllën me një komision hetimor parlamentar fantazmë! Edhe në qershorin e zgjedhjeve të vitit 2001, u premtua se do të ofrohej parajsa ekonomike për popullin, rregulli, shteti ligjor, barazia sociale, punësimi, taksat e ulëta, të drejtat e punësimit dinjitoz jashtë shtetit, të drejtat e punësimit “meritokratik” brenda vendit! Por nuk ofruan asgjë, duke mbushur thasët me miliarda e duke pritur qershorin e vitit 2005. Ata që premtuan në dy qershorit 1997 e 2001, ia lanë pushtetin atyre që shkatërruan vendin dhe popullin në vitet 1992-1997. 
3. Edhe qershori i tretë, pra zgjedhjet e vitit 2005, ishin një “paradë” premtimesh të shumta e të bujshme, nga PD që po merrte pushtetin e lënë me pazar-rotacion prej PS, duke akuzuar të ikurit nga pushteti dhe duke u betuar se do t’i burgosnin e sekuestronin, por ishte vetëm mashtrim! U premtua rritje ekonomike, por niveli i saj u ul me 90%. U premtua luftë kundër korrupsionit, por ai u shtua në ekstrem deri tek pastrueset e zyrave të ministrave, të cilat arritën të kishin edhe vetë… pastruese shtëpie! U premtua ekonomi për të gjithë, por u dhanë 300 koncesione HEC-esh për ministra e deputetë të PD e PS dhe për klientët, ortakët dhe familjarët e tyre, pa harruar bosët politikë të BE, të cilëve në shkëmbim të ndonjë opinioni pozitiv për qeverisjen e PD, iu dhuruan licenca HEC-esh, minierash, detesh, nafte, universitetesh, spitalesh, aeroportesh e kontrolli kufitar! U tha, se do të ndëshkohej çdo aferë korruptive, por ato u morën në mbrojtje e shtuan më shumë edhe në ortakëri mes krerëve të PD e PS! U tha, se do të kryhej strehimi i 123 mijë familjeve të pastreha, se do uleshin çmimet në ushqime, transport detar, tokësor e ajror, në energji, ujë, libra shkollorë, universitete, spitale e ilaçe, por ato u rritën me 3-4 herë! U tha, se do të zhdukeshin monopolet, por ato u shtuan dhe u fuqizuan në interes të klikave partiake PD-PS dhe kundër interesit të popullatës, me bazë koncesione të shumta në çdo sektor! Në katër vitet e pushteti të PD, kupola e PS (Rilindja), bëri opozitë-teatër kundër PD, duke u përbetuar se do të anulonte gjithë koncesionet e dhëna, se do sekuestronte e çonte në burg hajdutët e pushtetit të PD, se të ulte çmimet e konsumit të përditshëm të popullatës, se do të krijonte barazi në shkolla, universitete, spitale e kudo! Ai që drejtonte PS, dorëzoi çelësat dhe ia mbathi “në qejf të vetë” jashtë shtetit, duke ardhur në Shqipëri 1 herë në çdo 2-3 vite, sa për “vizita pune”, kur i duhej të hidhte “zaret” e bixhozit të tij brenda dhe jashtë fushës së PS! 
4. Me premtime të shumta u shoqërua edhe qershori i katërt i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2009. Askush nuk shkoi para ligjit për korrupsion e krime njerëzore. Asgjë nuk u bë në favor të shqiptarëve, përkundrazi klikat PS-PD u fuqizuan më tepër, duke luajtur “bixhoz” interesash të klikave të tyre drejtuese e shërbyese, aq sa braktisën betimet dhe premtimet e bëra, duke vepruar në mirëkuptim të heshtur, i cili vazhdoi deri në qershorin 2013, kur nisi qershori i pestë i zgjedhjeve parlamentare. 
5. Kështu vazhduan edhe 4 vitet e pas qershorit 2013. U bënë Mijëra premtime për rritjen ekonomike, për drejtësi sociale, për ulje taksash, për shëndetësi falas, për ulje të çmimit të energjisë, ujit, pagesave në universitete, çmimit të librave shkollë, çmimit të ilaçeve, të transportit, të 24 produkteve të shportës, të vendosjes së minimumit jetik, të rritjes me 2 herë të pagave e pensioneve, të naftës pa akcizë për fermerët, të naftës fals për invalidët e jetimët, për mbyllje të procesit të legalizimit, për shlyerje 100% të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, për strehimin me banesa sociale të 90 mijë familjeve të pastreha, për dëmshpërblimin e të përmbyturve prej digave të HEC-ve! U premtua me bujë se do të anuloheshin koncesionet, por ato u lanë në fuqi duke i riciklua e duke shtuar koncesione ët tjera me vlerë deri në 500 milionë euro vetëm në shëndetësi. U premtuan libra shkollorë falas, por çmimet e tyre u rritën me 80%! U prema se do të çoheshin para drejtësisë hajdutët e koncesioneve të rrugëve, të universiteteve, HEC-ve, pullës fiskale, të minierave të kromit e bakrit, të skrapit, të shitjes së 4 HEC-ve tek “Kurum”, të lotarisë kombëtare e shumë betime të tjera, të cilat “Rilindja” jo vetëm nuk i bëri realitet. 
6. Vetëm 1 muaj para qershorit të gjashtë të zgjedhjeve parlamentare 2017, PD-PS u bënë ortake pushteti me opozitën, të cilën e akuzonte për shumë krime, për shitje të interesave territorial kombëtare, për vrasje në protesta, për trafik armësh e municionesh me pasojë vrasje kolektive punëtorësh të punësuar si skllevër… Tashmë, dy palët ‘armike” kanë dalë bashkë në fushatë, duke premtuar përsëri ato që akne premtuar qysh prej qershorit 1997 e që nuk i kanë realizuar… 
Sigal