6 muajt e Drejtorisë së Shërbimeve Rrugore. Spahiu: Punë konkrete dhe një standard i ri

616
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton se në gjashtëmujorin Janar-Qershor 2014, ka arkëtuar gjithsej 26,456 mijë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër ka një rritje prej 4 % .

Shpenzimet

Ndërsa, përsa i takon shpenzimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka deklaruar se në këtë periudhë 6-mujore shpenzimet janë 613,728 mijë lekë, ose 83 % më pak se vitin e kaluar. Kjo, sipas Ylli Spahiut, Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, tregon një shifër në ulje të shpenzimeve dhe rritje të performancës, të standardit dhe cilësisë në punë. “Njëkohësisht , fitimi bruto në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013 është realizuar në masën 152 %. Të gjitha këto shifra flasin për një punë konkrete dhe një standard të ri, të vendosur nga Administrata e Shërbimeve të Transportit Rrugor, duke treguar se tipari i performancës institucionale, partneriteti me institucionet e varësisë dhe puna në grup, shërbimi kundrejt qytetarit dhe informimi i tyre, në drejtim të zhvillimit të politikave të këtij institucioni, tregojnë më së mirë dhe qartazi qasjen e re dhe mënyrën e një realizimi dhe marrëdhënie bashkëkohore në të gjithë sektorët e kësaj drejtorie” u shpreh Spahiu në një prononcim për gazetën “Telegraf”.

Të ardhurat sipas shërbimeve

-Regjistrimi i mjeteve këtë periudhë ka realizuar 326,290 mijë lekë të ardhura. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-s janë 11,238 mijë lekë më shumë, me një rritje prej 4 %.

-Të ardhurat nga lejet e drejtimit janë tejkaluar në masën 116 % më shumë sesa ishte planifikuar në programin ekonomik. Krahasuar me vitin 2013, të po kësaj periudhe kemi një rritje prej 33%. Treguesit e organizimit, informacioni i herëpashershëm i qytetarëve dhe pajisja me rregulloret përkatëse, kanë bërë që ky shërbim të vendosë një standard të ri dhe parametra Europian, duke e kthyer këtë sektor, në sektorin pararojë dhe duke iu afruar shërbime më cilësore qytetarëve.

-Të Ardhurat nga taksat, për këtë periudhë janë realizuar në masën 96,833 mijë lekë, nga 89,679 mijë lekë të parashikuara në programin ekonomik, ndërsa duke e shprehur në përqindje në masën 108%.

-Kontrolli rrugor, këtë periudhë ka realizuar 7,070 mijë lekë të ardhura, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-s kemi një tejkalim në vlerën 4,371 mijë lekë.