6 marrëveshjet me Gjermaninë, 118 milion eurot shkojnë për ujin dhe energjinë

518
Energjia elektrike dhe uji i pijshëm janë dy sektorët sensitivë ku do të përqëndrohen financimet e qeverisë gjermane të konkretizuara në 6 marrëveshjet e nënshkruara pak ditë më parë në Tiranë.
Janë gjithsej 118 milion euro që do të investohen në 6 projektet e miratuara në marrëveshje, nga të cilat një pjesë janë grante dhe pjesa tjetër kredi të marra nga qeveria shqiptare.
Marrëveshja e parë është për rifinancimin e ndërrmarjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale në fazën e dytë.
Ajo parashikon dhënien e një kredie deri në 10 milion euro dhe synon zhvillimin e SME-ve në Shqipëri që përbëjnë edhe 90% të bizneseve në vend.
Marrëveshja e dytë është për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milion euro dhe pritet të mundësojë edhe ndërhyrjen për herë të parë në Vaun e Dejës.
Marrëveshja e tretë është për projektin “Efiçenca energjitike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Ajo parashikon dhënien e një huaje deri në 40 milion euro të garantuar nga qeveria shqiptare.
Marrëveshja e katërt është për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit – furnizim me ujë të zonave rurale II”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 1.5 milion euro dhe synon përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në këto zona.
Në funksion të këtij qëllimi është edhe marrëveshja e pestë me qeverinë gjermane për “Programin III për furnizimin me ujë të zonave rurale”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 24 milion euro.
Ndërsa marrëshja e gjashtë që parashikon dhënien e një granti deri në 12 milion euro është fokusuar tek projekti “Efiçenca Energjitike përmes sektorit bankar.
Sigal