6 ditë pas zjarrit, asnjë bilanc për librat e djegur

523
Kur kanë kaluar gjashtë ditë nga incidenti në Bibliotekën Kombëtare, ekspertët zjarrfikës kanë dorëzuar një kërkesë për kryerjen e një akti ekspertimi, për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit në seksionin ku ndodhet fondi i librave të rrallë dhe një pjesë e fondit të revistave dhe gazetave.  Nga këqyrja paraprake nga ekspertët kriminalistë është vënë re se një abazhur ka qenë mjaft afër me disa prej librave dhe objekteve çka dyshohet se mund të ketë provokuar zjarrin.
Nga këqyrja e kryer është vërejtur dëmtim i një grupi gazetash dhe revistash, pa prekur fondin i librave të rrallë. Në pritje të përfundimit të hetimeve, Biblioteka Kombëtare, vazhdon të qëndrojë e mbyllur. Në njoftimin e vendosur në derën kryesore, shkruhet se deri në datën 26, në shtëpinë e librit askush nuk mund të marrë apo të kthejë libra apo të shfrytëzojë sallat për lexim e studim. 
Të dhënat e fundit zyrtare të shpërndara nga Biblioteka Kombëtare janë të datës 16 Mars, ku thuhet se janë dëmtuar 3 rafte, me libra të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj të përkthyer. Pas katër ditësh ky institucion ende nuk jep asnjë një informacion për numrin e librave dhe titujve të djegur apo dëmet të tjera të mundshme të shkaktuara nga përdorimi i ujit për shuarjen e zjarrit në katin e tretë të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare.
Sigal