500 invalidë në Librazhd në protestë

607
Sigal

Gazeta Telegraf/


Invalidi : “Do
të ngrej një karrocë me tuba çezme dhe rrota të vjetra biçiklete, pasi
ministria e Shëndetësisë na mashtroi për karrocat tona”


500 invalidë në Librazhd në protestë


Nga MAKSIM  TUFA


Shoqata e
Invalidëve në Librazhd përmes kryetarit të saj zotit Jaho Alliu ka deklaruar se
do të hidhen shumë shpejt në një protestë e cila do të përqendrohet tek
dikasteret qeveritare për t’u kujtuar ministrave dhe më konkretisht Ministrisë
së Shëndetësisë, premtimin për të sjellë karrocat e tyre. Kreu Shoqatës së
Invalidëve  dega Librazhd zoti Jaho Alliu
u shpreh se “është e pafalshme që rreth 500 invalidë në rrethin tonë, të mbeten
të zhgënjyer, të braktisur dhe të mashtruar nga ministrat e kësaj qeverie, në
një kohë që Ministria e Shëndetësisë prej kohësh ka marrë nga ne qindra kërkesa
për të pajisur me karroca, (jo me benza të rinj) me mjetin e jetesës këta
persona që duhet të ndjehen të barabartë me të gjithë, dhe jo të diskriminuar,
të gjithë anëtarët e shoqatës tonë janë në pamundësi financiare, ndaj i bëjmë
thirrje Shoqatës Kombëtare të Invalidëve, Ministrisë Shëndetësisë  dhe mediave të na përkrahin”. Prej vitesh
invalidët e Librazhdit janë lënë jashtë vëmendjes së qeverive, por në 2-3 vitet
e fundit atyre po u fshihen edhe të drejtat më elementare, si ndihmat ekonomike
dhe pajisja me karrocat si mjetet e nevojshme për çdo nevojë jetësore. Brenda
dy viteve në Librazhd janë emëruar dhe shkarkuar dy drejtorë spitali, tre
drejtues të Shëndetit Publik, dhe dhjetëra të tjerë që kanë marrë largimin nga
puna për të vetmin fakt sepse kanë përkrahur dhe kanë ngritur zërin e tyre deri
tek ministri Ilir Beqaj edhe për problemin e invalidëve. E ndërsa zoti Beqaj
vitin e kaluar, por  dhe 6 muaj më parë u
premtoi invalidëve të Librazhdit gjatë vizitës transit atje se “…do t’ju
ndihmojmë, kemi porositur karrocat tuaja”, deri më sot asnjë e tillë nuk ka
mbërritur në atë rreth të zhytur në skamje. Pothuajse të gjithë invalidët e
Librazhdit, jetojnë me të ardhura të pakta, ndërkohë që edhe familjarët e tyre
gjenden në kushte mjaft të rënda ekonomike, pasi janë të papunë, të pastrehë,
të pa përkrahur nga shteti. Mashtrimin me karrocat e invalidëve, zoti Beqaj e
ka bërë pas mashtrimit që u bëri mjekëve dhe drejtuesve të Spitalit të
Librazhdit vitin e kaluar kur u deklaroi se “do t’ju pajisim me autoambulanca
të reja, me aparaturë të re EKG, me aparaturë të re ECO, dhe gjithçka tjetër që
ju mungon”. Por Spitali i Librazhdit, edhe sot e kësaj dite ndihma merr nga
shoqata dhe fondacione të ndryshme, të cilat nuk ngurrojnë t’i sjellin atij
institucioni edhe pambukun, aget, alkoolin, dhe fashat, sepse edhe ato nuk i
mundëson Ministria e  Shëndetësisë. Një
invalid që jeton në një kasolle në periferi të Librazhdit u shpreh se “duke
parë mungesën e vëmendjes së shtetit për të më pajisur me një karrocë, kam
vendosur ta ngre një të tillë me tuba të vjetër çezme  dhe dy rrota të vjetra biçiklete, këtu në
kasollen time, të cilat  i ka sjellë tek
unë një kushëriri im, do ta sajojmë një të tillë, dhe pastaj do t’ia tregoj
ministrit  Beqaj , besoj  dhe shpresoj se do të turpërohet sado
pak”.