“500 grabitje në dy muaj, situata ka dalë jashtë kontrollit”

766
Erzen Breçani, ish-zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës i ftuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv deklaroi se Arben Muça, i cili mbeti i plagosur gjatë tentativës së grabitjes në Fier pak ditë më parë, ka qenë i skeduar si kontingjent krimi.
Breçani theksoi se Arben Muça ka qenë kontingjent krimi që në 2011 për vjedhje makinash, ndërsa duhet të ishte nën vëzhgimin e policisë për të parandaluar krijimin e grupeve kriminale. 
“Arben Muça ka qenë kontingjent krimi që në 2011 për vjedhje makinash, është ndaluar disa herë” tha Breçani. 
Gjatë tentativës së grabitjes në Fier, Arben Muça mbeti i plagosur, ndërsa shoku i tij Xhuljano Sollaku u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari ndryshe nga hera e parë e grabitjes së pikës së këmbimit valutor, ndërhyrjen e policisë në tentativën e dytë e përshëndeti. “Ishte apati, policia shkoi me vonesë në rastin e parë. Në rastin e dytë, ata ishin të gatshëm, shkuan në kohë, unë i përgëzoj” tha ai.
Në dy muajt e fundit sipas shifrave janë regjistruar 500 grabitje në të gjithë vendin. Ish-deputeti, Asllan Dogjani duke komentuar shifrat, theksoi se gjendja është alarmante, ndërsa zbulimi i ngjarjeve është shumë i vogël.
“500 grabitje në dy muaj, situata ka dalë jashtë kontrollit, këto janë deklaruara, por jam i bindur se ka edhe shumë të padeklaruara. Pse policia nuk mban në kontroll personat me precedent penal? Me shërbime nga populli dhe pse nuk bashkëpunon? Pse ka marrë këtë goditje policia? Paniku është shumë i madh, zbulimi është shumë i vogël. Njerëzit në fshatra po rrinë roje natën” deklaroi ai.
Sigal