50 mijë banorë bllokohen nga lumenjtë, letër Ramës “Ku e kemi deputeten tonë”

481
Sigal

Shirat e ditëve të fundit që kanë rënë pa pushim, kanë fryrë lumenjtë duke rrezikuar mbi 50 mijë banorët e rrethit të Gramshit. Pesë ura, duke nisur nga ajo e cila kryen lidhjen me Cërrikun dhe Elbasanin, në gjithë aksin rrugor nacional, gjenden në prag të shembjes, ndërkohë që banorët e qytetit dhe fshatrave duke nisur nga Kotovjati, Skenderbegasi, Tunja, Bulçari, Shënepremtja, Shushica, e të tjera, gjenden në mëshirën e fatit, me sytë nga qielli dhe qeveria. Burime nga qyteti i Gramshit i thanë “Telegraf” se, “nuk na ka marrë një zyrtar qeverie në telefon, nuk na ka ardhur njëherë deputetja e cila prej 4-5 muajsh zëvendësoi Gjiknurin, ndaj i kemi nisur letër kryeministrit Rama dhe kërkojmë të na ndihmojë, kemi mbetur të izoluar si peshku pa ujë, kur këtu po përmbytet gjithçka”. Gramshi dhe zonat e fshatrave përgjatë vijës nacionale mbeten në situatë kritike, pasi rrugët kryesore drejt qytetit dhe pothuajse mbi 70 për qind e fshatrave gjenden nën pushtetin e vërshimit të lumenjve dhe përrenjve. Dje në mesditë, edhe diga e kantierit të hidrocentralit të Banjës është gjendur në rrezik serioz për tu çarë, gjë e cila do të sillte një katastrofë mjedisore dhe njerëzore. Banorët e Gramshit kërkojnë që deputetja e tyre ti gjendet pranë në këto ditë të vështira për jetën dhe familjen e tyre. Por sikur të mos mjaftonte kjo, mbi 50 mijë banorët e rrethit të Gramshit gjenden edhe në rrezik për ndihmat ushqimore, pasi në disa pika shumice dhe dy magazina që ndodhen në periferinë e qyteti, të cilat kryenin edhe rolin e furnizuesit të pikave të vogla tregtuese, ka hyrë uji dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Prej 4 ditësh, në rrethin e Gramshit duket sikur jeta normale është paralizuar, dhe banorët kanë mbetur sikur të jetonin në ndonjë planet tjetër. Problematike paraqitet situata edhe në zonat periferike të Elbasanit, duke nisur nga fshatrat që lidhen me urën kryesore të aksit nacional Elbasan-Cërrik, pasi mbrëmjen e kaluar, ura e vjetër (78 vjeçare, e ndërtuar nga italianët ) e cila gjendet ngjitur me urën e re e ndërtuar në 1985, është shkatërruar plotësisht. Situata alarmante duket se ka vënë në lëvizje Shtabin e Emergjencave në Prefekturë, por mundësitë për të bërë diçka të jashtëzakonshme mbetet e vogël. Kjo, pasi ky shtab emergjence nuk ka kapacitetet e duhura në mjete, logjistikë dhe njerëz të përballet me katastrofa të tilla natyrore. Prefektura e Elbasanit, mbetet thjesht informatore e rregullt pranë dikastereve qeveritare dhe konkretisht Ministrisë Brendshme, mbi situatën, duke dhënë informacione mbi numrin e prishjeve të rrugëve, urave, banesave dhe argjinaturave, tek të cilat prej 20 vitesh nuk vihet dorë dhe nuk investohet.

 Ben DELIMETA