4’900 tuba të gazsjellësit TAP do të transportohen drejt Korçës në mënyrë të sigurt

512
Sigal

TAP ka nisur tashmë transportin e 4’900 tubave, kryesisht 18 metra të gjatë, nga sheshi kryesor i magazinimit në Durrës drejt Korçës. TAP po parapërgatit nisjen e punimeve në vitin 2017 për ndërtimin e segmentit lindor të gazsjellësit i cili është afërsisht 86.5 km, ose rreth 40% e gjatësisë së përgjithshme prej 215 km që është seksionit tokësor në Shqipëri.

 

Duke qenë se vetë gjeografia e gjurmës së gazsjellësit është vërtetë komplekse, shkon deri në 1’800 km lartësi në zonën malore të Çorovodës, vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë dhe minimizimit të shqetësimeve për banorët. Përfundimi në muajin nëntor të këtij viti i pjesës së parë të rindërtimit të rrugëve dhe urave ndihmëse në Korçë, krijoi kushtet e nevojshme të sigurisë për realizimin e transportit të tubave.

 

Gjithashtu, kontraktori i TAP, i cili është përgjegjës për transportin, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kanë ndërtuar një strategji të përbashkët për shmangien e shqetësimeve dhe krijimin e trafikut. Një Task Force me oficerë policie është ngritur dhe trajnuar për të shoqëruar kamionët e tubave nga sheshi kryesor i magazinimit deri në shesh-magazinimet lokale pranë korridorit të ndërtimit.

 

Deri më sot, kanë mbërritur rreth 65% e 13’000 tubave që do të përdoren për segmentin tokësor të gazsjellësit TAP në Shqipëri. Rreth 4’000 tuba janë transportuar në zonën e Fierit, 300 në zonën e Beratit dhe 300 janë transportuar drejt Korçës. Kontraktori i TAP, Spiecapag, ka zgjedhur si partner dhe nënkontraktor për kryerjen e transportit shoqërinë shqiptare Diamant.