400 milionë lekë për 144 metra katrore shesh i shtruar me pllaka betoni

875
Lindita MALO

Rilindja Urbane në Gramsh, një hije e fortë korrupsioni. Tenderët dhe fituesit mbeten të preferuarit e kryetares së Bashkisë
Duket se edhe Gramshi, i futur mes malesh dhe disi i izoluar nga pjesa tjetër e vendit, nuk ka shpëtuar nga hijet e skandaleve me gjoja “Rilindja Urbane”. Kjo për faktin se, qeveria kudo që ka pasur dhe ka njerëzit e saj në krye të bashkive socialiste, ka zbrazur thesin dhe nuk ka kursyer milionat për të “rehabilituar” qendrat e qyteteve me pretendimin se “po ndërtohet gjithçka nga e para”. Ashtu si në çdo qytet, edhe në Gramsh, do të ishte vetë kryeministrit Rama që vitin e kaluar gjatë një vizite të shkurtët u deklaroi drejtuesve atje, se “qeveria do të investojë mbi 400 milionë lekë si fillim, për Rilindjen Urbane të qytetit dhe fshatrave tuaja ”. Dhe milionat nuk vonuan, por si gjithmonë tenderët dhe fituesit e tyre ishin dhe do të mbeten të preferuarit e kryetares së Bashkisë apo deputetit dhe ministrit. Si fillim “dora e parë” nga qeveria ishte mbi 400 milionë lekë, investim i cili u përdor për të shtruar me pllaka betoni të lustruara dhe të lyera me bojëra-bojëra, apo për mbjelljen e dhjetëra pemëve, dhe vendosjen e ndonjë shtylle elektrike apo stolave të zakonshëm, në një hapësirë jo më shumë se 144 metra katrore. Buja ishte e madhe, ashtu siç ishte edhe zhgënjimi i madh. Disa qytetarë të Gramshit i deklaruan “Telegraf” se “na gëzuan kur thanë se do të ndërtohet nga e para qendra e qytetit, sepse nuk ishte vënë dorë prej 30 vitesh, na gëzuan kur na thanë se do të kemi një qendër moderne të qytetit, por ama cilësia e punimeve vlen për të dëshiruar, gjë që tregon se edhe pazaret kanë qenë të “mbara” në kurrizin e investimeve dhe parave të taksapaguesve, qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi”. Rilindja Urbane, veç propagandës bajate për gjoja “investime në miliona euro për qendrat e qyteteve dhe fshatrave”, duket se ka dështuar në praktikë kur i ka inauguruar ato. Kjo ka ndodhur edhe në Gramshin e largët, në qytetin me shumë probleme dhe halle, në qytetin ku ardhja e një investimi nga qeveria shihet si festë dhe si “lopa” që duhet mjelë deri në pikën e fundit. Por hije skandali, ka pasur edhe në investimet e ardhura nga qeveria për rrjetin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në disa fshatra, si Mashan, Skenderbegas, Kotovjat, Bulçar etj, ku banorët ankohen për mungesën e infrastrukturës, rritjen e vafërrisë, mungesën e shkollave, ambulancave dhe qendrave shëndetësore. Sipas të njëjtit burim mësohet se “dora e dytë” e investimit për “Rilindjen e Gramshit malor”, sapo është lëvruar nga qeveria Rama, dhe kap vlerën e mbi 450 milionë lekëve, dhe do të përdoret për ndërhyrjet në 5 fshatrat që kanë mbetur të izoluara si në Mesjetë, pa rrugë, ura, ujë, shkolla e furnizime me produkte ushqimore. Gjatë 30 ditëve të borës dhe ngricave, banorët e 5 fshatrave malore u furnizuan me thasë mielli vetëm një herë nga një helikopter i FA, dhe nga të afërmit e tyre në fshatrat fqinje. “Rilindja Urbane” edhe në fshatrat e Gramshit, atje ku mungon gjithçka jetësore, mbetet tallja më e madhe e kësaj qeverie, e cila nuk mungon të zhvasë 20 për qindëshin edhe në investimet gjysmake të atyre zonave.
Sigal