4 klerikët shqiptarë: U ndjemë krenarë që jemi shqiptarë

333

Pjesëmarrja e klerikëve shqiptarë, së bashku në manifestimin e Francës, një gjest kuptimplotë për tolerancë dhe harmoni. Klerikët për “Telegraf”: U ndjemë krenarë që jemi shqiptarë!

 4 klerikët shqiptarë: Ja çfarë përjetuam në “marshimin e solidaritetit” në Paris

 Myftiu i Tiranës Ylli Gurra: Europa dhe bota e qytetëruar ka nevojë të mësojë nga bashkëjetesa jonë fetare

 Marshimi i 4 klerikëve të lartë shqiptarë që morën pjesë në “marshimin e solidaritetit”, zhvilluar në Paris më 11 Janar, i tregoi gjithë botës mbarë se bashkëjetesa fetare është e mundur. Në kryeqytetin e tronditur nga sulmet terroriste, toleranca jonë fetare, e konkretizuar me praninë e 4 krerëve shqiptarë të besimeve fetare, është vlerësuar me duartrokitjet e qindra mijëra njerëzve që marshuan në sheshin “Republika”. Baba Mondi i komunitetit Bektashi, myftiu i Tiranës Ylli Gurra, përfaqësues të besimit katolik dhe ortodoks, të katërt përkrah njëri-tjetrit janë bërë dëshmi e bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë. Përfaqësuesit e besimeve fetare shoqëruan në Paris kryeministrin Edi Rama, ministrat Bushati e Veliaj dhe një grup gazetarësh të cilët iu bashkuan kauzës kundër terrorizmit dhe lirisë së shprehjes.

 * * *

 Intervista e myftiut të Tiranës, Ylli Gurra

  Z. Myfti, e kujt ishte iniciativa për të qenë bashkë në “marshimin e solidaritetit” në Paris?

 Në fakt, që në momentin e parë, Komuniteti i Myslimanëve në Shqipëri doli me një deklaratë për shtyp ku dënoi ashpër aktin makabër në zyrat e revistës “Charlie Hebdo” në Paris. Dhe për të ardhur te iniciativa, unë e vlerësoj finesën e Kryeministrit, i cili gjykoi që të jenë pjesë e delegacionit shtetëror edhe 4 përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri. Marshimi ynë, në të vërtetë ka qenë një sjellje, një mbështetje dhe një solidaritet tepër fisnik. Prezenca e delegacionit shtetëror shqiptar, një me komunitetet fetare ishte sa e habitshme dhe e mirëpritur, sa mahnitëse, por dhe shumë pozitive.

 Besoj se duartrokitja e delegacionit shqiptar nga marshuesit e Parisit e reflektoi këtë…

Që të jem i sinqertë, është ndër të rrallat momente që mund të përjetohet ndonjëherë në jetën e çdokujt. Në mes të Parisit, në sheshin “Republika”, qindra- mijëra parisienë dhe jo vetëm, aty kishte edhe mijëra të krishterë, ateistë, apo, më mirë të themi, qytetarë të botës, përcillnin marshimin tonë me ovacione, duartrokitje si dhe pa fund falënderime. “Bravo”, “Merci beaucoup” (faleminderit shumë), por edhe përshëndetje të tilla si “selam” nga qytetarët, na emocionuan pa masë. Unë kam qenë dëshmitar dhe i përlotimit të qytetarëve atje. Edhe pse ishte ftohtë, atje kishte ngrohtësi dhe u vu re, një lloj përmallimi për një tabllo të tillë. Europa, vërtetë, ka shkuar në caqet e veta të lirisë së shprehjes, porse shoqëritë e civilizuara europiane janë të përmalluara për foto të tilla, aq më tepër, kur kjo i shkon për ngushëllim gazetarëve të revistës satirike “Charlie Hedbo”. Kur shkon nga një komb i vogël gjeografikisht si Shqipëria që i jep botës aq modestisht, aq sinqerisht një mesazh të madh për bashkëjetesën fetare, për paqen, për dëshirën dhe përkushtimin që bota që jetojmë të jetë botë e paqes, jo e dhunës dhe e lumenjve të gjakut, jo e hakmarrjes që merr jetë njerëzish, për arsye që nuk janë arsye. Profeti ynë nuk mbrohet asnjëherë, duke marrë jetë njerëzish e duke derdhur lumenj gjaku. Profeti Muhamed, edhe kur është përballur me kundërshtarët e vet fizikë, Ai me urtësinë e tij u ka thënë “Jeni të lirë!”. Pra, nuk mund të pretendohet nga askush që në emër të një religjioni apo tjetër, të përmbushë politikat e veta. Kjo është pa sens, vetëm një shoqëri primitive mund të arrijë këtu, shoqëria e mirëfilltë myslimane kudo që ndodhet në Europë, Afrikë, Azi, jo që nuk mund të pajtohet, por as mund të ketë në fjalorin e vet “dhunën”.

 Ju vetë, si u ndjetë gjatë marshimit?

Edhe në takimin e krerëve fetarë me kryeministrin Rama e falënderova personalisht atë për gjetjen. Unë, sinqerisht, jam ndjerë tmerrësisht krenar, për prezencën shqiptare në “marshimin e bardhë”. Kam marrë me qindra mesazhe nga intelektualë, akademikë, deputetë e qytetrë të thjeshtë, të përkatësisë dhe jo të fesë myslimane, të cilët janë ndjerë me këtë prezencë në Paris, thjesht krenarë që janë shqiptarë. Prezenca jonë atje, në marshimin në ato metra, ka qenë thjesht historike. Pas arritjes sonë në Paris,vendosëm lule te revista satirike dhe pas reagimit dhe impaktit në mediat ndërkombëtare të delegacionit shqiptar, presidenti francez Holande, në takimin me kryeministrin tonë ka thënë specifikisht: “Jam thellësisht i prekur nga mënyra se si ju e ndatë me ne dhimbjen tonë sot”. Kjo ka një domethënie shumë të madhe, pasi përfaqësues të komunitetit mysliman ka kudo në Europën e qytetëruar; Angli, Itali, Gjermani, Spanjë, etj. dhe prania në krah të krerëve të këtyre shteteve e përfaqësuesuesve të komunitetit mysliman dhe religjioneve të tjera, do të ishte një mesazh shumë kuptimplotë për Europën dhe mbarë botën. “Jam thellësisht i prekur dhe mirënjohës”, ka deklaruar Holande. Pra, diçka që ka mahnitur… janë mahnitur nga një gjest apo mënyrë e tillë ngushëllimi nga ana e popullit shqiptar. Kjo shprehje mirënjohje ndjehej dhe ishte e prekshme në dy anët e bulevardit “Republika”: nga vajza, djem, të moshuar, fëmijë, burra, gra, nga parisienë dhe qytetarë nga e gjithë bota që përshëndesnin me shumë zjarr delegacionin shqiptar. Në momentet e para, masa u habit dhe pyeste se nga janë, por gazetarët tanë që na shoqëronin u thanë nga Shqipëria, e kur e morën vesh, na përshëndesnin dhe ovacionet ishin pa fund. Ne ishim kapur krah për krah me vëllezërit e krishterë dhe masa shprehte edhe dëshirën për të na takuar. Sigurisht, edhe pse ishin marrë masa të forta sigurie, në momentet e para ekzistonte frika e një reagimi negativ, duke qenë se bëhej fjalë për vrasës të përkatësisë myslimane. Pra, isha unë dhe masa e njerëzve të cilët nuk ishin të kontrollueshëm, se s’mund të kontrolloje një turmë të tillë, porse reagimi kundër nuk ishte përjashtues. Ishin vetëm 3 ditë nga tragjedia e tmerrshme, mund të merrej dhe një lloj provokimi prania e një përfaqësuesi të fesë myslimane, por, jo, për fat të mirë, Prezantimi ynë bashkohej me gjithë Parisin: “Ne jemi me ju”, “Jemi me Francën”, apo “Unë jam Çarli, apo “Unë jam Ahmed (polici mysliman i vrarë barbarisht). Ky moment është i papërsëritshëm, janë përjetime të papërsëritshme, duke marshuar e duke parë përlotimin e parisienëve… Ishte vërtetë e paharrueshme dhe kjo mbetet. Kombet e zhvilluara i shkruajnë në gur momente të tilla. Shoqëri të tilla, edhe pse me një shkallë të lartë të qytetërimit të tyre e ka nevojë një prezencë të tillë. Në momentin që shohin një krah për krah në një ditë të tillë kaq të dhimbshme, kur e shohin të gjallë, e kuptojnë se islami (apo çdo fe) nuk mund të jetë vrasës, as pajtohen, as predikojnë dhunën, hakmarrjen, apo lumenjtë e gjakut.

 Kujt ia kushtuat ritin e lutjes në mes të Parisit?

Gjatë marshimit pata mbresat e gjalla të dhëna nga mediat ndërkombëtare vrasjen makabre të policit, Ahmedit, që praktikonte fenë islame dhe në atë moment vura re që kishte buqeta lulesh dhe, sapo pashë ambientin e vrasjes së policit mysliman, gjykova dhe u thshë vëllezërve të mi të krishterë që dëshiroja të bënim një lutje për policin e vrarë. Ndërkohë që ne të gjithë qëndruam dhe po bënim lutjen tonë, ky ishte një tjetër moment i veçantë dhe pjesëmarrësit, ose më saktë marshuesit treguan një interes të veçantë.

 Cili është mesazhi juaj?

Unë gjykoj që delegacioni shqiptar së bashku me përfaqësuesit fetarë ka dhënë një shembull unik për t’u krenuar. Ne kemi shumë vlera, por pak shembuj për t’i treguar botës se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë. Atë ditë të 11 Janarit, parisienët dhe e gjithë bota do ta kenë para syve për shumë kohë. Dhe, së dyti, dua të theksoj se islami nuk pajtohet as me urrejtjen, as me hakmarrjen, me derdhjen e gjakut të njerëzve dhe, veçanërisht, me njerëzit e botës së lirë të lapsit e të penës. Në fakt, ajo çfarë do e shqetësojë, vazhdimisht, Europën dhe vendet e qytetëruara është mungesa e gjithëpërfshirjes dhe përjashtimi. Nëse do të vazhdohet (ekstremet e majta) me metodën e përjashtimit, njerëz që janë të gatshëm dhe të kollajshëm për t’u manipuluar, njerëz që keqpërdoren nga duar të shkurtra apo të gjata, janë të gatshëm që të thyejnë lapsat e lirisë së shprehjes së botës së qytetëruar. Pra, duhet që shoqëritë të përfshihen dhe jo të ndjehen të vetmuara në miliona njerëz. Dhe ngjarje të tilla makabre si në Paris prodhohen nga njerëz të paarsimuar; me pamundësinë e arsimimit, me pamundësinë e njohjes së vërtetë të fesë. Pra, duhet marrë informacioni nga burimi, nga libri i shenjtë i Kuranit dhe nga tradita e profetit Muhamed që me urtësinë e Tij, të çonte në paqe. Problemi nuk është bota islame, por bota arabe, emigrantët e këtyre shteteve që udhëhiqen nga grupe ekstreme dhe diktatura. Mospatja e informacioneve të sakta fetare, mosarsimimi, pra, mosintegrimi i këtyre emigrantëve, i bën ata kollaj të manipulueshëm. Ata nuk ndihen ndryshe, veçse të huaj në vendin e origjinës, të huaj në vendin ku kanë shkuar, të huaj në njohuri qytetare të mjaftueshme. Mund të jetë një shoqëri ateiste, por sikur të jetë aty një mysliman i vetëm, ai duhet të përçojë në këtë shoqëri shembullin e vlerave që ka islami. Rruga për në parajsën qoftë qiellore, apo tokësore nuk mund të kalojë në vrasjen e të një krishteri, apo të një protestanti, apo të një ateisti. Ata thjesht duhet të shfletojnë Kuranin apo historinë e Muhamedit dhe të shohin se aty flitet vetëm për paqen, të cilën një mysliman i vërtetë duhet ta përçojë. Pra, Kurani nuk mund të përdoret si referencë për veprime ekstremiste të paimagjinueshme. Thjesht mosintegrimi, injoranca e theksuar janë disa nga shkaqet, sidomos në Europë, që çojnë në ekstremizma të tilla.

 Ledjana Saliu

 ***

Haxhi Baba Edmond Brahimaj: Ndjemë emocion e krenari, pasi Shqipëria është shembull i harmonisë fetare!

 Për Kryegjyshin Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, pjesëmarrja e katër klerikëve shqiptarë bashkë me kryeministrin e vendit në Marshimin e Parisit, në shenjë solidariteti ndaj gazetarëve e viktimave të pafajshme të aktit terrorist, më tepër se sa një dukuri natyrale e harmonisë tradicionale të besimeve në Shqipëri, ishte një mesazh shumë kuptimplotë për nevojën e bashkëpunimit dhe apelit për paqe, dashuri e mirësi globale, në luftë kundër dhunës, të keqes që jo rrallë, ka çuar në ngjarje tragjike e dhimbje. “Isha shumë i emocionuar në ato moment kur në momentin që ne klerikët nga Shqipëria bëmë homazhe në vendin ku u ekzekutuan viktimat dhe gjatë parakalimit në shesh, u duartrokitëm në shenjë respekti e mirënjohje për apelin që ne dhamë për harmoni besimesh, harmoni e unitet fetar për të mirën dhe shpresën. Falënderojmë Zotin që na dha këtë harmoni fetare që na bën të ndjehemi krenarë dhe para botës siç ishte dhe manifestimi në Paris kundër aktit të rëndë terrorist”- pohoi për gazetën “Telegraf” Kryegjyshi Botëror, Haxhi Baba Edmond Brahimaj…

Zoti Haxhi, Baba Edmond Brahimaj! Ju ishët një nga katër klerikët shqiptar, drejtues e përfaqësues të besimeve fetare në vend që bashkë me Kryeministrin Edi Rama, vendosët lule në vendin e tragjedisë në Francë dhe parakaluar së bashku në Marshimin e Parisit, duke u shpërblyer me duartrokitje nga qindra mijë pjesëmarrës në shesh për mesazhet mjaft domethënëse që përcollët?

-Së pari, falënderojmë Zotin që na dha këtë harmoni fetare që na bën të ndjehemi krenarë dhe para botës siç ishte dhe manifestimi në Paris kundër aktit të rëndë terrorist. Ajo ishte një ngjarje e rëndë, terror ndaj njerëzve, veprim i dënueshëm nga të gjitha fetë e besimet. Ne ishim atje bashkë me Kryeministrin e vendit, për të shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin tonë për familjet e viktimave, popullin francez që u godit nga kjo ngjarje e rëndë si dhe për të gjithë njerëzimin që të luftojnë për paqe, për begati e mirësi…

Si u ndjetë në momentet që vendosët lule tek vendi i tragjedisë dhe më pas në parakalimin në shesh, ku ndonëse në moment dhimbje, u duartrokitët gjatë për aktin dhe mesazhet që përcollët?

-Isha shumë i emocionuar në ato moment kur në momentin që ne klerikët nga Shqipëria bëmë homazhe në vendin ku u ekzekutuan viktimat dhe gjatë parakalimit në shesh, u duartrokitëm në shenjë respekti e mirënjohje për apelin që ne dhamë për harmoni besimesh, harmoni e unitet fetar për të mirën dhe shpresën.

Në thelb, si do e vlerësoni mesazhin e klerikëve shqiptar, që në fakt, ishte krejt i veçantë në Marshimin e Parisit?

-Në thelb, mesazhi jonë ishte ai i harmonisë mes feve, ku vendi jonë ka çfarë të tregoj në këtë aspekt. Përçuam mesazhin që ta duam e besojmë tek Zoti që është një, të duam njeri-tjetrin, të punojmë, reflektojmë e kërkojmë harmoni e dashuri, të jemi përkrah njeri-tjetrit në të mira e fatkeqësi, të bindim veten e të tjerët që të mos e mendojnë, të mos e kërkojnë apo ushtrojnë dhunën, pasi ajo është e dënueshme nga Zoti e njerëzimi, por të luftojnë vetëm për paqe… Dhe kjo, fillon që tek vetja…

Si ta kuptojmë këtë?

-Së pari tek vetja. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, së pari tek vetvetja, pastaj dhe tek e me të tjerët. Të jetojmë në harmoni e paqe, të mendojmë vetëm të mirën, të mos i afrohemi të keqes, dhunës, port a dënojmë atë në çdo kohë, vend e formë që ajo të shfaqet. Të njohim Zotin, e të kemi besimin tek Zoti. Të hapim sytë, të mësojmë, të bëhemi të ditur, të punojmë për mirëqenie e me ndershmëri. Duhet të luftojmë varfërinë dhe injorancën,  pasi këto bëhen shkak për të afruar me të keqen, me dhunën… Duke luftuar këto dy faktorë, do të kemi më pak konflikte…

Dhe një herë tek Manifestimi i Parisit dhe mesazhi i katër klerikëve shqiptarë?

-Unë e përmenda më lart, e për mesazhin që përcollëm e që u vlerësua, dua të shtoj se në drejtim të bashkëjetesës e harmonisë fetare, Shqipëria ka ç’të tregoj dhe duhet të krenohet. Shqiptarët janë njerëz me kulturë, në çdo kohë e periudhë, kanë ditur të përshtaten, të jenë dinjitozë…

***

Imzot Luçjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës: Besimi i krishterë ndalon vrasjen me urdhrin e pestë të urdhërimeve të Zotit

Personalisht, nuk dëshiroj që një akt i tillë terrorist të lidhet me besimin islam

-Imzot Avgustini, a është në ideologjinë tuaj fetare që të ndërmarrësh akte vetëgjyqësie, kundër dikujt që  me veprime të tij ka fyer udhëheqësin shpirtëror të besimit fetar?

Besimi i krishterë ndalon vrasjen me urdhrin e pestë të urdhërimeve të Zotit. Jeta është e shenjtë dhe si e tillë duhet ruajtur dhe mbrojtur.Edhe pse dikush mund të ketë qëndrime, apo edhe veprime kundër edhe vetë Zotit, të krishterët duhet të ndjekin shembullin dhe porosinë e Jezu Krishtit, i cili, edhe prej momentit të vuajtjes, kryqëzimit të tij në kryq, fal dhe na mëson se edhe ne duhet të falim.Edhe ne rastin e vëllavrasjes, kur Kaini vret Abelin, Zoti ndalon që të çohet dorë mbi Kainin. Hakmarrja i përket Zotit e jo njeriut. Urdhri i dashurisë na mëson që të duam Hyjin mbi gjithçka dhe të afërmin si vetveten.

– A mund të justifikohet nga ideologjia fetare ndonjë akt vetëgjyqësie, i ndërmarrë nga disa, në emër të mbrojtjes së nderit të Udhëheqësit shpirtëror, apo edhe te vetë ideologjisë dhe besimit fetar?

– Njeriu nuk mund të mbrojë Zotin. Aq më shumë nuk mundet që të ndërmarrë akte, të cilat nuk i pëlqejnë Hyjit, sikurse është vrasja. Zoti urdhëron, mos vra! Si mundet, atëherë me një vepër të tillë, të mbrohet besimi fetar, udhëheqësi shpirtëror, Profeti…

– Ju si do t’i cilësonit aktet me pasoja vdekjeprurëse ndaj revistës satirike franceze në Paris?

– Akti i vrasjes së çdo personi në vete është i shëmtuar. Aq më tepër, në rastin konkret, kur kemi të bëjë edhe me persona, të cilët në emër të besimit, bëjnë një atentat terroristë dhe duke u thirrur në emër të mbrojtjes së besimit.

– Cila është arsyeja kryesore që çoi në aktet terroriste në Francë, e cila nuk ka qëndrime agresive ndaj ekstremizmit islamik?

– Personalisht, nuk dëshiroj që një akt i tillë terrorist të lidhet me besimin islam. Çdo ekstremizëm sjell dëme në rend të parë ndaj vetvetes, prandaj akte të tillë sjellin dëm ndaj vetë besimit islam. Feja islame, prej burimit të fjalës është besim paqësor. Por ideologjia e keqkuptuar dhe ekstreme, apo shpëlarja e trurit tek personat të cilët shikojnë në mënyrë të kufizuar, apo egoiste (d.m.th vetëm unë, apo ne, e të tjerët jo) sjellin deri te pasojat e tilla, sikurse patëm para pak ditëve në Francë.

Është thjesht sulm ndaj shtypit, apo goditje e terrorizmit për mbarë botën?

– Për mua personalisht, mund të jetë jo vetëm sulm ndaj shtypit, por një porosi për botën, në atë që thashë më parë, duke e kufizuar edhe vetë jetën në një shoqëri, se të gjithë duhet të jenë, ashtu si jam unë, pra forma e jetës egoiste.

Bashkëharmoninë dhe bashkëekzistencën tuaj, që u demonstrua në sytë e të gjithë popujve, ju si e prekët nga të pranishmit atje në “Marshimin e Paqes”  në Paris?

– Ishte diçka që nuk mund të përshkruhet thjesht me fjalë. Shumë prekëse dhe drithëruese, kur në ato momente të dhimbjes dhe ankthit për popullin e Francës, duke na parë neve, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të besimeve të ndryshme, kristian dhe muhamedan të bashkuar, madje dhe të kapur për dore, që do të thotë jemi një, ato momente të duartrokitjeve dhe brohoritjeve “bravo” nuk është lehtë të përshkruhen me fjalë.

Ju, bashkërisht, si përfaqësues të besimit fetar në Shqipëri, dhatë në Paris një mesazh të madh të paqes. Po ju vetë, çfarë morët nga njerëzit atje?

Më shumë deshëm që të japim, se sa të marrim. Deshëm që në ato momente të japim një dëshmi të bashkëjetesës vëllazërore, edhe pse me besime të ndryshme, sepse në emër të Zotit mund të jetojmë vetëm si vëllezër, cilitdo besim që i përkasim.

Nuk di asnjë rast tjetër në Botë, që kjo bashkëekzistencë dhe bashkëharmoni fetare si jona në Shqipëri të ekzistojë. Ku është burimi dhe arsyeja?

– Të parët tanë kanë ditur të jetojnë së bashku. Mandej, në historinë e popullit tonë, pa marrë parasysh rrethanat historike si na kanë përplasur, kemi raste ku vëllezërit të një gjaku (të njëjtëve prindër) njëri vëlla ishte i krishterë e tjetri mysliman. Prandaj, ky visar i trashëguar, duhet të ruhet edhe të dëshmohet, si një vlerë e një bashkëjetese në paqe dhe lumturi.

Përse nuk ndodh kjo bashkëekzistencë dhe bashkëharmoni fetare e shqiptarëve  në Shqipëri, edhe për çështje me rëndësi kombëtare midis shqiptarëve kudo që jetojnë?

Duhet të mësojnë që të gjithë faktorët, cilës do fushë që i përkasin, politik, arsimor, shëndetësor, drejtësisë, dhe të cilët kanë në dorë çështjen e vendit dhe të kombit, zhvillimin dhe përparimin e tyre të jen një, të bashkuar. Unë e kuptoj se dikush mendon ndryshe nga unë, por në çështjet e vendit dhe kombit duhet të bashkëpunojmë dhe të jemi vëllezër.

Përse kjo bashkëekzistencë e bashkëharmoni e besimeve fetare në Shqipëri, të mos ekzistojë edhe si urë bashkuese,  lidhëse, reciprokisht edhe midis vendeve e popujve  tanë fqinjë?

 – Në vizitën e tij, vendit tonë, në shtator të vitit të kaluar, Papa Françesku ka dashtë që visari i bashkëjetesës fetare në vendin tonë të jetë model vëllazërie për të gjithë popujt, të cilët jetojnë në urrejtje dhe përçarje.

– Përse politika jonë nuk ka busull pikërisht bashkëharmoninë fetare të komuniteteve në Shqipëri, edhe në vetveten e saj, sidomos kur është fjala edhe për  çështjet e integrimit të Shqipërisë?

– Në këtë përgjigje, mundem vetëm të them se duhet të pyeten politikanët se përse nuk marrin bashkëjetesën dhe harmoninë fetare si busull orientimi. Unë uroj, që shembulli i klerikëve të besimeve të ndryshme që jetojmë në Shqipëri, vëllazëria dhe harmonia, të jetë udhëzim i të gjithë atyre individëve dhe institucioneve të cilët punojnë dhe kanë në duar mbarëvajtjen e zhvillimit të vendit dhe kombit tonë.

– Faleminderit!

Jakup Gjoça

 ****

Andon Merdani, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë

Një sulm me emrin e fesë është sulm ndaj vetë fesë

– Hirësi Andoni, a mund të justifikohet nga ideologjia fetare ndonjë akt vetëgjyqësie i ndërmarrë nga disa, në emër të mbrojtjes të nderit të udhëheqësit shpirtëror, apo edhe te vetë ideologjisë dhe besimit fetar?

– Jo, jo, në asnjë mënyrë nuk pranohet në besimin e krishterë edhe nga shkrimet e shenjta, nga Dhiata e Re, por edhe nga tradita e Kishës Ortodokse. Nuk konceptohet një gjë e tillë, që dikush të përdorë dhunë, madje as të fyejë dikë, nuk i lejohet.

– Cila është arsyeja kryesore që çoi në aktet terroriste në Francë, e cila nuk ka qëndrime agresive ndaj ekstremizmit islamik?

– Kjo kërkon një analizë të gjatë dhe unë nuk mendoj që jam personi i duhur për të dhënë një përgjigje perfekte të motiveve të vërteta të atyre njerëzve që e kanë bërë këtë gjë. Duket që është një ekstremizëm fetar, i cili, me gjithë arsyet që mund të gjejë diku, është  patolerueshëm, siç janë shprehur edhe drejtuesit fetarë myslimanë. Kemi të bëjmë me një akt terrorizmi me bazë fetare.

– Është thjesht sulm ndaj shtypit, apo goditje e terrorizmit për mbarë botën?

Konkretisht ishte për shtypin dhe mënyrën sesi ata e paraqitin besimin në Islam, e cila provokoi edhe ngjarjet tragjike. Është një sulm terrorist edhe më gjerë.

Bashkëharmoninë dhe bashkëekzistencën tuaj, që u demonstrua në sytë e të gjithë popujve, ju si e prekët nga të pranishmit atje?

– Në fakt ishte diçka spontane, e papritur. Ne, pasi bëmë homazhe me kryeministrin tonë në vendin ku kishte ndodhur tragjedia, afër ambienteve të gazetës, ne, drejtuesit fetarë, së bashku me disa gazetarë, u drejtuam për te mitingu ku do bëhej marshimi. Dhe për shkak se ishim me vonesë, kaluam nëpër rrugën që ishte e bllokuar, por që u lirua për ne që të kalonim dhe ndërkohë, krijoi një entuziazëm te të gjithë të pranishmit atje që ishin në radhë, në kohën që shikonin 4 besimet fetare së bashku dhe filluan të brohorisnin. Këto ditë është folur sikur kjo gjë ishte edhe e inskenuar, sikur ne vajtëm atje për të demonstruar formalisht. Nuk është aspak e vërtetë. Ishte shumë spontane dhe më tepër ne u befasuam mënyra e mirë që u konceptua dhe u prit nga vetë qytetarët francezë.

– Ju , bashkërisht  si përfaqësues të besimit fetar në Shqipëri, dhatë  në Paris një mesazh të madh të paqes. Po ju vetë, çfarë morët nga njerëzit atje?

– U vu re një ndjenjë tensioni dhe nga njerëzit një nevojë për solidarizim dhe dëshira e madhe që t’i bëjmë ballë bashkërisht këtij lloji mentaliteti. Këtë ne perceptuam nga ajo vizitë dhe nga mënyra sesi u prit qoftë edhe prania jonë aty.

– Nuk di asnjë rast tjetër në botë që kjo bashkëekzistencë dhe bashkëharmoni fetare si jona në Shqipëri, të ekzistojë. Ku është burimi dhe arsyeja?

– Mendoj që janë kushtet historike që e kanë bërë domosdoshmëri këtë bashkëharmoni për gjithë shqiptarët, të cilët kanë gjetur si unifikim kombin dhe Atdheun. Këto kanë qenë edhe tiparet që i kanë bashkuar, ndoshta në dallim edhe nga vendet e tjera rreth nesh, të cilat kanë pasur besimin fetar si simbol unifikimi.

– Përse kjo bashkëekzistencë e bashkëharmoni e besimeve fetare në Shqipëri, të mos ekzistojë edhe si urë bashkuese, lidhëse, reciprokisht edhe midis vendeve e popujve tanë fqinjë?

– Mendoj që është më tepër se çështje fetare ndasitë që vëmë re. Janë më tepër me baza etnike ndasitë.

– Mesazhi juaj?

– Mesazhi ynë është gjithnjë mesazhi paqes. Feja kurrsesi nuk mund të përdoret për dhunë. Një sulm me emrin e fesë është sulm ndaj vetë fesë.

– Faleminderit!