310 financime për kurimin e shtetarëve, asnjë qindarkë për popullin!

593
Pacientët politikanë, shtetarë, zyrtarë, familjarë e miq të tyre që kanë pagat mujore me miliona lekë, jo vetëm nuk paguajnë asnjë “kokërr aspirine”, por marrin edhe shërbim mjekësor special e falas në spitalet private brenda e jashtë Shqipërisë, paguar nga taksat e shqiptarëve që kanë paga, pensione e ndihmë ekonomike lëmoshë sa 1 drekë, sa dieta ditore e sa 1 larje makine e tyre! 

Shërbimi shëndetësor në Shqipëri është kthyer në biznes të shfrenuar prej atyre që drejtojnë sektorin shëndetësor nga kupola e ministrisë, nga shefat e pavijoneve, nga mjekët specialistë e deri nga infermieret, tek narkoza, tek grafia, për naftën tek shoferët e ambulancave dhe tek pastrueset, ku qytetarët detyrohen të paguajnë me fatura ligjore “nën dorë”, të detyruar prej shpërfilljes që manifestojnë punonjësit e shëndetësisë, si shenjë “presioni” për ryshfet. Por paguajnë të detyruar edhe prej ligjit në fuqi, sipas të cilit çdo qytetar që nuk është me sigurim shëndetësor, duhet të paguaj tarifat për vizita mjekësore tek “Mjeku i Familjes”, tek mjeku specialist në klinikë, për skaner, për analiza, për recetën e pa rimbursueshme në farmaci, për vizitën tek urgjenca e për trajtimin në spital, ku dihet që 90% e ilaçeve dhe materialeve ndihmëse (edhe pambuku) blihen nga pacientët “popull”, për shkak të korrupsionit (vjedhjes) që bëhet me to prej “agallarëve” të shëndetësisë! E theksojmë përcaktimin “pacient popull”, mbasi pacientët politikanë, shtetarë, zyrtarë të lartë, familjarë e miq të tyre që kanë pagat mujore në miliona lekë, jo vetëm nuk paguajnë asnjë “kokërr aspirine” por marrin edhe shërbim mjekësor special e falas në shtet dhe në spitalet private brenda e jashtë Shqipërisë, përballuar nga buxheti i shtetit ose më saktë nga taksat e shqiptarëve që kanë paga, pensione e ndihmë ekonomike lëmoshë sa një drekë e larje makine e tyre! Ka shumë fakte që provojnë këtë realitet përbuzës me ndarje “klasore” edhe në shërbimin shëndetësor, i cili nuk ka lidhje me jetën luksoze, por me shëndetin dhe jetën e njerëzve! Sot po trajtojmë vetëm një skandal e trup shtetëror me pamje të plotë “dallim e luftë klasash” me pasojë krimin social e jetësor që bëhet ndaj njerëzve të çdo moshe, madje edhe të fëmijëve që nuk janë shtetarë, politikanë, familjarë, miq, fis e shokë të tyre! 
 
“Luftë klasash”, edhe me shëndetin/310 pagesa mjekësore për shtetarët, asnjë për popullin
Pak ditë më parë, në “Fletore Zyrtare” u publikua një vendim i Këshillit të Ministrave të “Rilindjes”, nëpërmjet të cilit njoftohej se qeveria kishte akorduar një vlerë financiare sa vlera e 240 pagave minimale mujore zyrtare ose sa e 300 pensioneve mesatare mujore, për trajtimin mjekësor të një shtetari, në një nga spitalet jashtë Shqipërisë! Çfarë ndodh? Janë të shumta rastet, kur qeveria “hap thesin” dhe paguan miliona lekë nga taksat e shqiptarëve, për trajtime mjekësore jashtë shtetit të ministrave, deputetëve, politikanëve, akademikëve, drejtorëve, prefektëve, krerëve të bashkive e deri të sekretarëve të tyre dhe miqve këngëtarë, analistë e familjarë të tyre. Kjo e drejtë u takon! Këtë financim për shërbimin shëndetësor të tyre e përcakton ligji në fuqi, si të drejtë dhe detyrim, mbështetur në Kushtetutën e Republikës, sipas të cilës çdo shtetas shqiptar duhet të përfitoj trajtim shëndetësor brenda e jashtë Shqipërisë pa dallim pozite shoqërore, shtetërore, politike, ekonomike, kulturore, arsimore, financiare e sociale. Konkretisht, Neni nr. 55, pika 1 e Kushtetutës, përcakton këtë detyrim: “Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë, të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”. Mirëpo Neni 55 i Kushtetutës aktuale zbatohet vetëm për një pakicë njerëzish që janë me poste shtetërore dhe për “sojin” e tyre, ndërsa për popullin nuk zbatohet! Praktika qeveritare, tregon se kjo e drejtë kushtetuese po vazhdon të zbatohet me “luftë klasash” brenda shoqërisë shqiptare, duke bërë dallime në trajtimin financiar mjekësor të qytetarëve.
 Financim për trajtim mjekësor nuk përfitojnë gjithë qytetarët, por vetëm ata që janë shtetarë e politikanë të lartë, deputetë, ministra, zv/ministra, prefektë, kryetarë bashkie, qarqesh, diplomatë, drejtues doganash, tatimesh, policie e të çdo niveli shtetëror si dhe familjarë, miq, shokë, të afërm e të përkëdhelur të tyre. ndërsa ata që nuk bëjnë pjesë në “sërën” dhe “sarajet” e tyre, pra njerëzit e thjesht punëtorë, të papunë, mësues, policë të thjeshtë, invalidë, jetimë e madje edhe fëmijë që janë në prag të humbjes së jetës prej sëmundjeve të rënda nuk përfillen, nuk financohen nga shteti për kurime mjekësore brenda e jashtë shtetit në spitale private! Në 5 vitet e fundit, kjo “luftë klasash” që shteti ka bërë e po bënë edhe me jetën e qytetarëve, ka këtë tregues të turpshëm: Nga taksat e shqiptarëve janë financiar 310 pagesa mjekësore për shtetarë, familjarë e miq të tyre, por asnjë financim për njerëz të thjeshtë e të varfër, që nuk kanë qindarka të blejnë as “1 aspirinë”! 
Viti 2015-2016/1947 kërkesa për trajtim mjekësor jetik jashtë shtetit, vetëm 4 raste janë financiar me “lëmoshë”
Mohimi i të drejtës njerëzore të parashikuar në Kushtetutë e në VKM, lidhur me shëndetin dhe jetën e qytetarëve ka edhe një tregues tjetër skandaloz, me veprim të paramenduar “krimin social” që bëhet nga drejtues shtetëror ndaj shtetasve, të cilëve u rrjepin taksa edhe për kalimin në trotuare, por nuk u financon asnjë rast mjekësor jetik! Konkretisht, sipas informacioneve konfidenciale nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga “zyra e letrave nga populli” pranë kryeministrit, rezulton se në periudhën Janar 2015-Qershor 2016, janë paraqitur 1947 kërkesa për trajtim mjekësor urgjent jashtë Shqipërisë, por shteti ka heshtur, duke mos i financuar këto raste emergjencash mjekësore! Me dosjet mjekësore gati dhe me nevojën për trajtim urgjent, qytetarët vazhdojnë postojnë dosjet, telefonojnë e dërgojnë mesazhe tek kryeministri, ministri, deputeti zonës, trokasin, përdorin sekserë, luten dyerve të qeverisë e madje për stresit për rrezikun e jetës së familjarëve të tyre edhe konfliktohen me zyrtarët. Por zvarriten me premtimet përsëritura me qindra herë, derisa detyrohen të zhyten në borxhe, të shesin toka e shtëpi. Ndërsa atyre që nuk kanë këto mundësi, u ndodh… “gjëma”, siç ka ndodhur në shumë raste edhe me humbje jete fëmijësh, raste që janë publikuar në rrjete sociale e në media! Sipas burimit të informacionit të “Telegraf”, vetëm në 4 raste janë bërë financime për kurime mjekësore në spitalet jashtë shtetit e në spitale private brenda vendit! Mijëra rastet e tjera presin e presin pa fund por shpesh edhe me fund të hidhur, afro 30% e të cilëve kanë përfunduar me humbje jetësh!
———————————-
Baza ligjore që detyron barazinë për financimin mjekësor falas, brenda e jashtë Shqipërisë

Sigal

Kushtetuta e Shqipërisë, Neni 55, pika 1

“Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”
—————————————-

VKM Nr. 33, datë 20.1.2016, pika 9

“Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2016.
9. Një fond jo më i madh se 20 për qind e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa për referime të pacientëve në Spitalin Universitar të Traumës, në zbatim të sistemit të referimit, sipas tarifave të miratuara nga ministri i Shëndetësisë
—————————
Ligji Nr. 147/2015 “Për buxhetin e vitit 2016”, Neni nr. 5

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2016 është ky:
– Të ardhurat, gjithsej 36 244 milionë lekë, nga të cilat:
– Kontributet dhe të tjera 10 630 milionë lekë
– Transferimet nga Buxheti i Shtetit 25 614 milionë lekë
– Shpenzimet 36 244 milionë lekë.
– Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.

Përparim HALILI