300 të larguarit nga puna në Uzinën Ushtarake të Mjekësit në protestë

494
Sigal

ELBASAN/Largimi arbitrar dhe i padrejtë. U hoqën specialistët dhe u zëvendësuan me militantë

Afro 300 punëtorët dhe nëpunësit e administratës së Uzinës së Demontimit të Armëve dhe Municioneve në Mjekës të Elbasanit, kanë vendosur t’i kthehen protestave, për të kërkuar arsyet e vërteta të largimit të tyre nga puna. Punëtorë dhe zyrtarë të administratës, të trajnuar dhe specializuar, me eksperiencë pune mbi 10- vjeçare, të cilët kanë kontribuar dhe janë dëmtuar prej vitesh nga helmet e armëve të demontuara, janë flakur në rrugë. Fatin e tyre e kanë pasur edhe gjithë stafi i administratës, të cilët janë zëvendësuar me militantë dhe njerëz që nuk i ka lidhur asgjë me uzinën e Mjeksit. Punëtorët e larguar të Mjekësit, të gjithë hallexhinj, kanë trokitur madje, edhe në Gjykatë për të kërkuar të drejtën e tyre, por ata dje vendosën si masë radikale edhe protestën.

PARALAJMËROJNË PROTESTA

Duke mos dashur të quhet e manipuluar politikisht, punëtorë e Mjeksit, kanë vendosur të mos pranojnë asnjë mbështetje nga partitë e çdo krahu, duke deklaruar vendosmërinë e tyre në këtë veprim. Nazmiu është 51 vjeç, baba i 3 fëmijëve dhe ka mbi 5 vjet që punon në sektorët e uzinës së demontimit në Mjekës. Ai gjendet sot në mes katër rrugëve, pasi u pushua pa asnjë motivacion para 1 muaji. “Nuk e mora vesh sepse u pushova nga puna, jam specializuar për atë proces pune në uzinë, nuk kam lënduar dhe nuk kam bërë për askënd fushatë, shikoj hallet e mia, tani mbetëm burrë e grua pa punë, ky është skandal, kjo ishte Rilindja që të paktën besuam”-pohoi ai. Elbasani mbetet qyteti  me plagë të thella sociale, dhe për hir të së vërtetës, duhet thënë se, nuk ka përfituar shumë investime dhe projekte punësimi. Elbasani ka sot mbi 35 për qind të popullsisë të papunë, një biznes të vogël të asfiksuar që nuk ka paguar prej 2 vitesh taksat, kurse biznesi madh është zhytur në kredi bankare dhe borxhe. Të vetmit sektorë që mbajnë gjallë shumicën e familjeve në Elbasan janë arsimi dhe shëndetësia. Por qytetarët duket se kanë nisur të tremben, të zhgënjehen dhe të flasin për situata më të rënduara krize për jetën e tyre. Kontingjentit të personave të papunë në këtë qytet i janë shtuar edhe 300 ish-punëtorët e uzinës së demontimit të armëve dhe municioneve të Mjeksit. Ata kërkojnë rimarrjen në punë dhe pagesën e plotë të kohës qysh ditën kur janë pushuar, ndryshe do të hidhen në protesta, duke mos lënë pas rrugën gjyqësore. Ata i kanë bërë thirrje edhe shoqërisë civile, shoqatave dhe rrjeteve sociale ti përkrahin në fatkeqësinë e tyre.

APELI I TË NDËSHKUARVE

Ata u bëjnë thirrje deputetëve socialistë të ndërhyjnë dhe të ndalin revanshin e nisur në ndërmarrjet shtetërore për të mos flakur në rrugë pa asnjë arsye njerëz hallexhinj. Pas largimit të ish-drejtorit Daniel Karanxha nga uzina e Mjeksit 2 muaj më parë, u deklarua se, “do të bëhet inventari i plotë i mallit që ndodhet në magazine, si dhe do të verifikohen të gjitha vlerat monetare që kanë hyrë e kanë dalë për periudhën 4 vjeçare, pastaj do të nisë puna”. Por deri sot asnjë informacion nuk ka dalë zyrtarisht apo edhe nën zë, për procedurat dhe rezultatet e ndonjë kontrolli apo auditimi. Në uzinën e Mjekësit janë demontuar mijëra tonë me armë e municione, ndërkohë që, magazinat e saj në tunele janë sërish plot me mallra të tilla, të ardhura nga vendet e rajonit e më gjerë. Padyshim këto procese pune, kërkojnë njerëz të specializuar dhe jo shokë, miq, e militantë fushate.