300 drejtues lokalë po zbrazin llogaritë, 6837 tenderë në 3 javë!

562
Fundi i mandatit të pushtetit vendor për 332 agallarë të pushtetit lokalë, të cilët në 21 qershor 2015 do të zbresin nga kolltukët, po shoqërohet me një “epidemi” masive abuzimi prej tyre, me fondet e pushtetit lokal. Këtë “sëmundje stine” të fund-pushtetit e kanë përhapur vetë drejtuesit e bashkive dhe komunave. Në 3 javët e fundit, pothuajse nga të 373 komunat dhe bashkitë e vendit, po shpallen tenderë të shumtë për blerje karburanti, kancelarie, tavolinash, gaz e dru zjarri, detergjente, fshesa, legenë. Po shpallen tenderë për investime në zyra, për rikonstruksione rrugësh, shkollash, çerdhesh, kopshtesh, për hapje e mbyllje kanalesh të ujërave të zeza, për blerje pjesë këmbimi për makinat, për blerje kornizash, llambash, kondicionerë, tapete zyrash e… deri tenderë për lyerje trungje pemësh në rrugët e fshatit. Ajo që bie në sy si shqetësim dhe alarm që duhet të “zgjojë” urgjent qeverinë, shtetin dhe drejtësinë për të vepruar, është fakti që 300 komuna të cilat janë shkrirë, kanë numrin më të madh të tenderëve të shpallur, ose 92% të tyre. Flitet për miliarda lekë nga buxhetet dhe fondet e bashkive e komunave, të cilat janë maskuar pas termit ligjor “tender”, me qëllimin e qartë e të vetëm të drejtuesve të tyre, për të zhvatur sa të munden, deri në ditën e fundit të pushtetit që kanë, disa edhe prej 15-20 vitesh. Këto fonde, që janë hedhur në “tregun” e tenderëve të fund-pushtetit, nuk janë shpallur në 4 vitet e pushtetit që po mbyllet, madje as në 10-15 vitet e fundit, paçka se ka pasur kërkesa e protesta të shumta nga banorët e zonave. “Çuditërisht”, këto miliarda lekë po shfaqen tani… në 2 muajt e mbetur të pushtetit të 373 “agallarëve” të bashkive e komunave, duke u publikuar në formë tenderësh për “investime publike dhe blerje emergjente”! Dimë faktin, që me fondet gjoja të bllokuara e të munguara deri tani, janë bërë lojëra politike pozitë-opozitë-popull, duke keqpërdorur investimet e pushtetit vendor, ndihmën ekonomike etj… dhe banorët që vuanin këtë lojë politike, ndërkohë që fonde ka pasur! Këtë e tregon numri i madh i tenderëve që po shpallen në këto 3 javët e fundit, ku edhe bashkitë e komunat me 500-1000 banorë, po shpallin tenderë nga 100, 200, 300 e madje 500 milionë lekë. Kjo provon, se ata paskan pasur edhe fonde të dhëna nga shteti, edhe grande të dhëna nga institucione e projekte zhvillimi, edhe të ardhura nga buxheti i tyre, edhe nga taksat, por nuk i kanë përdorur! Ndërsa tani që “pashallëqet“ e sunduara prej tyre në 10, 15 e 20 vite u shkrin dhe që ata nuk u kandiduan më nga partitë, “agallarët” e bashkive e komunave, si me “shkop magjik” kanë vënë “nën këmbë” buxhetet duke i kanë nxjerr si “fonde investimesh e shërbimesh” në tregun e tenderëve abuzivë, pikërisht tani që janë në ditët e fundit të sundimit të tyre!
Ofensiva e babëzisë së 332 “agallarëve” të zonave: në 3 javët fundit… 6837 tenderë!
Në vitet 2013-2014, në “Telegraf” janë të depozituara 3134 letra-ankesa, të ardhura nga banorët e zonave të mbi 300 bashkive e komunave, me shqetësime konkrete për probleme sociale e ekonomike të pa zgjidhura nga pushteti lokal si rrugë të shkatërruara, ujësjellës që nuk sillnin ujë, qendra shëndetësore të kthyera në gjendje stalla bagëtish, shkolla pa tavolina, pa ngrohje, pa xhama e pa çati, lagje të mbytura nga ujërat e zeza dhe balta…Kanë qenë probleme të jetës së përditshme, që lidheshin me objektin e tenderëve masivë që kanë shpallur këto ditë “agallarët” në ikje të atyre bashkive e komunave. Nga komunikimet që kemi bërë me drejtuesit e komunave dhe bashkive të PD e PS, për të cilët ngriheshin shqetësime, kemi marrë këtë përgjigje politike: “Nuk kemi fonde, nuk na jep fonde qeveria, na ka bllokuar projektet qeveria, nuk kemi të ardhura nga taksat”! Po tani, në fund të mandatit të sundimit të tyre, ku i gjetën fondet në miliona e miliarda lekë, për të bërë dhjetëra, qindra, mijëra tenderë në ditë, në javë, në muaj?! Mjafton të shfletosh “Buletinin e Prokurimeve Publike” dhe konstaton një ofensivë drejtuesish të 332 komunave e bashkive të vendit, që shpallin përditë nga 10-15 tenderë edhe për blerje bravash e leckash pastrimi! Nëse nga shërbimet publike shtetërore, rekordin e numrit të tenderëve e kryeson Ministria e Shëndetësisë me 112 tendera në ditë, nga institucionet e qeverisjes, rekordin e numrit të tenderëve e kryesojnë bashkitë dhe “komunat e shkrira”. Tashmë që kanë mbetur edhe 2 muaj nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015, gjendemi përballë një masakre të organizuar e kolektive të 332 drejtuesve të komunave e bashkive të shkrira, krerët e të cilave nuk janë më në kandidim! Ata po zbrazin llogaritë e komunave dhe bashkive, duke i tjetërsuar në tenderë për përfitime personale. Deri sot, sipas informacioneve që kemi marrë në Thesarin e Shtetit, janë 179 komuna e 31 bashki të shkrira, të cilat i kanë zbrazur llogaritë e tyre financiare, me tenderët që kanë zhvilluar, ndërkohë që 84 bashki e komuna të tjera i boshatisin me tenderët që kanë shpallur në këto 3 javë, ndërkohë që drejtuesit në 102 komuna të vogla kanë lënë në llogari nga 11-15 mijë lekë gjendje…
——————————————————– 
Fakti/4188 tenderë me afat prokurimi për 3-5 ditë
Ajo që provon synimin e paracaktuar të drejtuesve të bashkive e komunave që nuk do të jenë më “sulltanë” të zonave ku kanë sunduar nga 12-20 vite është fakti skandaloz e antiligjor për prokurimet publike, lidhur me afatin e përcaktimit të zhvillimit të tenderëve. Një investigim i detajuar, bërë këto ditë nga gazeta “Telegraf”, ka konstatuar se 70% e tenderëve të shpallur kanë afat prokurimi 3-5 ditë. Saktësisht, nga 6837 tenderët e shpallur në 3 javët e fundit, për 4188prej tyre, kanë afat zhvillimi 3-5 ditë! Në kaq ditë, duhet të përgatitësh dokumentet, duhet të njohesh me ofertat, duhet të bësh aplikimin, duhet të përfaqësohesh në garën e prokurimit! Kjo shpejtësi tregon se ka një nxitim për të bërë sa më shumë tenderë në kohë sa më të shkurtër, jo sepse objektet e këtyre tenderëve janë “emergjencë për të zgjidhur hallet e popullit”, por sespe duhen bërë urgjent për të përfituar sa më shpejt, pra, për të “mos kapur” asnjë tender pushteti i ri lokal i pas 21 qershorit 2015. Vetëm 3% e tenderëve janë me afat prokurimi 40 ditor, vetëm 4% e tenderëve janë me afat 1 mujor, vetëm 13% e tenderëve janë me afat 15 ditor, vetëm 10% e tenderëve janë me afat 10 ditor. Ndërsa 70% e tyre, janë shpallur të bëhen brenda 3-5 ditëve nga dita e shpalljes në “Buletinin e Prokurimeve Publike”, ndërkohë që 45% e tyre bëhen me prokurim të drejtpërdrejtë, dmth në zyrat e kryetarëve të komunave e bashkive, me vendime të komisioneve… me anëtarë vartësit dhe familjarët e kryetarëve të komunave e bashkive! 
——————————————————————– 
Statistikë nga “babëzia” dhe abuzimet ligjore me tenderët e 4 viteve
1. Janë 92 bashki, që kanë shpallur zhvilimin e 8-10 tenderëve në ditë
2. Janë 193 komuna, që kanë shpallur se zhvillojnë nga 4-5 tendera në ditë.
3. Janë 33 bashki, të cilat rezultojnë se kanë zhvilluar 2145 tenderë me abuzime të rënda.
4. Janë 178 komuna, të cilat rezultojnë se kanë zhvilluar 3145 tenderë me abuzime të rënda.
5. Janë 82 komuna, të cilat në 209 raste kanë zhvilluar tenderët, por pa kryer punimet në terren.
6. Janë 22 bashki, të cilat në 171 raste, kanë përdorur fondet e ndihmës ekonomike për tenderë.
7. Janë 111 komuna, të cilat në 598 raste, kanë përdorur fondet e ndihmës ekonomike për tenderë.
8. Janë 34 bashki, të cilat në 816 raste, kanë kryer tenderë, duke shpallur fituesit pa prezencën e 50+1% të anëtarëve të komisionit.
9. Janë 152 komuna, të cilat në 1017 raste, kanë kryer tenderë, duke shpallur fituesit pa prezencën e 50+1% të anëtarëve të komisionit.
10. Janë 29 bashki dhe 153 komuna, të cilat në 315 raste, kanë shpallur e kanë zhvilluar tenderë, pa miratimin e këshillave bashkiakë dhe këshillave të komunës.
Sigal