30 fakte për librin “100 vrasjet më të bujshme” të Roland Qafokut

1171
Nga Ëngjëll MUSAI

Interes i madh për librin e ri të gazetarit
Në këtë atmosferë festash të fundvitit, një vend të veçantë po zë diskutimi dhe interesi për librin e ri të gazetarit Roland Qafoku: “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”. Gazetarë, studiues shkencorë, por edhe lexues të ndryshëm, tashmë kanë në dorë një libër jo të zakonshëm. Pas afro 21 vite punë kërkimore, shkencore dhe sistematike, gazetari i njohur tashmë ka sjellë për lexuesin, jo thjesht një libër, por një risi. Vrasje për arsye shtetërore, vrasje për pasion, por dhe vrasje që kanë ndryshuar historinë tashmë janë bashkë në një këndvështrim, sa gazetaresk dhe, po aq studimor. Nga vrasja e irakianit Hasan Riza Pasha në Shkodër, kolonelit holandez Lodewijk Thomson në Durrës, Çerçiz Topullit, Isa Boletinit, Esad Pashë Toptanit, Avni Rustemit, dy biznesmenëve amerikanë në Mamurras, Luigj Gurakuqit, Ceno Bej Kryeziut, Hasan Prishtinës, Daut Hoxhës e deri Qemal Stafës, Margarita Tutulanit e Miladin Popoviçit, Pal Mëlyshit e Bardhok Bibës, Jusuf Gërvallës e Xhevdet Mustafës e deri fare të Remzi Hoxhës, Bujar Kaloshit e deri fare të Azem Hajdarit, Artan Santos, e të fundit kolonel Artan Cukut. Detaje, fakte, skena të krimit, kush i vrau dhe përse u vranë? Për herë të parë vijnë së bashku historitë më të përgjakshme të krimit në trojet shqiptare. Vetë autori Roland Qafoku deklaron për gazetën “Telegraf”: 

“Është një antologji e plotë e krimit përgjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar nëpërmjet të cilës unë synoj të sjell historinë e shtetit tonë në pikëvështrimin kriminologjik. Ishte një projekt dhe një ide që më kishte lindur prej shumë vitesh që kur punoja si reporter i kronikës së zezë, por që arrita ta përfundoj në vitin e 105-të të pavarësisë së shtetit”. 

Por si është pritur ky libër dhe cila kategori e pëlqen dhe e kërkon atë? Një nga menaxherët e këtij libri tha për gazetën “Telegraf”, se ka një interes të madh për librashitësit në të gjithë vendin por edhe në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, madje edhe jashtë Shqipërisë si në SHBA, Itali, Gjermani etj. Edhe pse është një libër tejet i veçantë, ai ka zgjuar interes për shumë kategori të shoqërisë shqiptare si; gazetarë, historianë, studiues por edhe juristë, prokurorë, gjykatës e avokatë. Duke e lexuar librin, por edhe nga ato që kemi nxjerrë nga biseda me autorin Qafoku, kemi nxjerrë 30 fakte dhe detaje për librin, të cilat po i botojmë më poshtë. 

30 fakte për librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar, (1912-2017)”.
1. “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” është një nga librat që ka pasur më shumë interes përgjatë vitit 2017 në Shqipëri. 
2. Ky është libri i dytë i gazetarit Roland Qafokut pas atij “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” i vlerësuar shumë nga kritika, studiues, historinë dhe gazetarë dhe për këtë arsye ai është botuar dy herë.
3. “Libri 100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar” është një punë afro 21 vjeçare si publicist dhe si studiues i gazetarit dhe studiuesit Roland Qafoku.
4. “100 vrasjet më të bujshme…” është pjesë e studimeve shkencore të gazetarit Roland Qafoku, i cili është duke përgatitur edhe doktoraturën në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.
5. Libri “100 vrasjet më të bujshme…” është një botim special dhe ka 733 faqe.
6. “100 vrasjet…” ka një letër speciale dhe i gjithë libri peshon 3 kilogram.
7. Libri “100 vrasjet më të bujshme..” është i pari libër i këtij lloji në Shqipëri që sjell të gjitha vrasjet që kanë pasur më shumë jehonë, bujë dhe që janë diskutuar më shumë.
8. Roland Qafoku është gazetari i parë shqiptar që boton një libër për vrasjet në historinë e shtetit shqiptar.
9. 100 vrasjet e trajtuara në libër kanë një shtrirje kohore që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri më sot, në një hark kohor 105 vjet.
10. 100 vrasjet janë ngjarje që trajtohen jo vetëm në kufijtë shtetërorë të Shqipërisë, por edhe ato të ndodhura në trojet shqiptare si në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Çamëri dhe më gjerë.
11. 100 vrasjet më të bujshme është një libër studimor i shkruar mbi parametra shkencorë dhe I vlerësuar nga studiues shkencorë.
12. Libri mbështet në pesë shtylla: Dokumentet arkivorë, referenca e librave, ditar i vetë gazetarit Roland Qafoku, intervistat e tij me protagonistë dhe pasardhës të autorëve dhe viktimave si dhe fotografitë dhe skicat.
13. Janë mbi 100 libra vendas dhe të huaj në anglisht që autori Roland Qafoku u është referuar në këtë libër.
14. Autori i librit Roland Qafoku për sigurimin e pjesës më të madhe të dokumenteve është mbështetur në Arkivin Qendror të Shtetit.
15. Autori i libri është mbështetur edhe në arkivin e ministrisë së Brendshme. arkivin e ministrisë së Drejtësisë, arkivin e Institutit të Historisë dhe arkivat e institucioneve të tjera shqiptare.
16. Autori Roland Qafoku është mbështetur edhe në arkivat e huaja si të komunës së Peruxhias në Itali, në arkivin e shoqatë “Vatra” në SHBA si dhe në arkivin personal.
17. Ditari i gazetarit, është një shtyllë e rëndësishme ku është mbështetur ky libër përgjatë 21 viteve të karrierës së gazetarit Roland Qafoku.
18. Redaktori shkencor i librit është studiuesi Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dhe doktor i shkencave historike.
19. Redaktor letrar i librit është pedagogu i gjuhës dhe letërsisë në fakultetit Histori-Filologji, doktori i shkencave, Ardian Doka.
20. Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi i njohur, Artan Lame.
21. Një nga elementët më të veçantë të librit janë skicat në të cilat janë pasqyruar momentet e vrasjeve të personave që janë trajtuar në libër. Autori i tyre është piktori i njohur, Gjergj Diko.
22. Art Design i librit është Rudin Janku, një nga më të talentuarit në faqosje.
23. “Libri 100 vrasjet më të bujshme…” është botuar nga shtëpia e njohur botuese “West Print”.
24. Studiues të huaj kanë nisur kontaktet me autorin Qafoku për ta përkthyer dhe botuar librin në disa gjuhë të huaja.
25. Gazetari Roland Qafoku është një nga gazetarët më më eksperiencë në Shqipëri dhe me një karrierë të pasur.
26. Roland Qafoku e ka nisur karrierën e vet si gazetar i kronikës së zezë në gazetën “Koha Jonë” dhe ka drejtuar gazetën më të madhe në vend “Panorama” si dhe gazetën “Tirana Observer”.
27. Gazetari Roland Qafoku ka qenë drejtor i informacionit në televizionin “Ora News” dhe në televizionin “Tv Koha” .
28. Prej vitit 2009 gazetari Roland Qafoku drejton emision politik. Ai është drejtuesi i emisionit “Debati në Channel One”.
29. Shumë ngjarje dhe të dhëna në libër janë mbështetur edhe në raportimet që gazetari Roland Qafoku ka bërë gjatë karrierës së vet.
30. Në libër publikohen për herë të parë detaje por edhe sende e objekte personale që viktimat dhe autorët mbanin gjatë momentit kur ka ndodhur krimi.
Sigal