3 vitet e “Rilindjes” u mbyllën me 300 mijë familje në varfëri dhe 300 mijë pensione “lëmoshë”

632
Shtetarët kyçën institucionet dhe “fluturuan” për të bërë pushimet e verës. Kthehen në shtator, fiks në kohën kur 3 vite më parë “rilindja” hyri me votë masive triumfuese në ato zyra shteti. Po çfarë bëri në këto 3 vite? Çfarë u ofroi shqiptarëve që nuk kanë lidhje me privilegjet, bizneset, zyrat, postet, pagat, luksin dhe familjet e shtetarëve? A ka ndryshuar jetesa e shqiptarëve? Edhe në këto 3 vite “rilindje”, duket qartazi se tranzicioni i tejzgjatur ekonomik e social, nuk “iu hoq nga qafa” shqiptarëve, madje në disa drejtime u është shtrënguar më tepër “litari”, justifikuar me “reformat” që kërkon BE. Ata po qeverisin, të ardhur në pushtet me premtimin për paga, pensione, ndihmë ekonomike, për mirëqenie të lartë, për drejtësi sociale, për qetësi e siguri jete, prone e biznesi, për kthim prone, për taksa zero në shërbimet jetike, për kontroll çmimesh në treg duke ndëshkuar monopolistët, për siguri ushqimore, për shëndetësi falas, për arsim modern e me tarifa të ulëta, për ndëshkim e pastrim të korrupsionit, për çmontim të koncesioneve, për administratë profesionale e të ndershme, për infrastrukturë funksionale sipas nevojave të komuniteteve e shumë premtime të tjera, që kur u thanë u dukën ëndrra dhe… dolën përralla! Me këtë vëzhgim social, gazeta “Telegraf” po ndalet në disa fakte konkrete… 

Në Tiranë janë hapur 2 mensa supe, në Shqipëri duhen 1000 të tilla

Është për t’u përshëndetur nisma e Bashkisë së Tiranës, që me iniciativën e kreut të saj Erjon Veliaj, financoi e gjeti bashkëpunim komunitar dhe hapi dy qendra sociale në Tiranë, të cilat përveçse si qendra trajtimi kulturor e shoqëror, janë edhe qendra me trajtim ushqimor, ose siç quhen në gjuhën popullore “mensa supe”. Gazeta “Telegraf” ka publikuar punën e mirë që bëhet në këto qendra sociale, duke theksuar faktin që suksesi i tyre janë masat e plota që ka marrë Bashkia e Tiranës për funksionimin si “familje” të këtyre 2 qendrave sociale të ngritura në zonën e Kombinatit dhe Laprakës. Sipas Bashkisë së Tiranës, do të hapen të tjera qendra të tilla sociale. Dhe duhen hapur, madje urgjent e jo vetëm në Tiranë, por në krejt Shqipërinë. Sepse Shqipëria ka shumë familje e persona të varfër, që prej varfërisë së trashëguar në këto 25 vite, prej papunësisë e prej paaftësisë fizike e shëndetësore nuk sigurojnë dot as ushqimin ditor. Sipas programit social “Rilindja”, u premtua se do të zbutej varfëria, duke e ulur nga 18% që ishte në shtator 2013, në 15% në vitin e parë, në 12% në vitin e dytë dhe në 8% në vitin e tretë të qeverisjes. Sot, pas 3 vitesh “varfëria popullore” është në shifrën 26%! Papunësia nuk u ul me 300 mijë vende pune, përkundrazi u shtua edhe me 51 mijë të tjerë, të hedhur në rrugë nga taksat e larta e të shumta që iu vunë bizneseve dhe nga reformat që iu bënë administratës e shërbimeve publike! Janë 300 mijë familje në varfëri ekstreme, që në mungesë e kërkim të ushqimit edhe duke iu lutur qeverisë e Zotit për një kafshatë bukë e një lugë supë, presin të hapen “mensa supe” si në Tiranë. Sheshet e qyteteve janë mbushur me të papunë. Shqiptarët e uritur i mban gjallë vetëm “kazani i supës”, Të parët që kanë kërkuar ushqim mbijetese në “mensa supe” janë 620 familje në Berat në vitin 2011, janë 5200 familje në Tiranë, janë 2100 familje në Shkodër, 400 familje në Lushnjë, 250 familje në Gjirokastër e kudo, mbasi sipas një llogarie që kanë bërë e kanë dorëzuar në qeveri drejtuesit e bashkive, në shkallë vendi duhen minimalisht 1000 “mesa supe” për të varfrit që po shtohen përditë e që do të shtohen më tepër deri në shtator kur shtetarët të kthehen nga “relaksi” luksoz e i zgjatur veror!

Fakti/ 300 mijë pensione mujore lëmoshë, sigurojnë vetëm 1 javë bukë

Janë 300 mijë pensionistë shqiptarë, që e kanë pensionin mujor aq të vogël deri në “lëmoshë”, sa me të mund të sigurojnë vetëm 1 javë bukë! Mirëpo ata kanë nevojë për ilaçe, për transport, për veshje, për gjithçka që kërkon një jetë normale, por që në fakt me vlerën e pensionit që u jepet nga shteti, nuk sigurojnë as bukën e përditshme! Por po kaq të ulëta janë edhe pagat minimale, ndihma ekonomike keq e më keq dhe pensionet e invaliditetit e të jetimëve. Po bëjmë një llogari të thjeshtë: Pensionet që jep qeveria, përballojnë vetëm 1 javë ushqim mbijetese për 1 person. Pagat minimale përballojnë vetëm 10 ditë ushqim për 1 person. Pagat mesatare përballojnë vetëm 10 ditë ushqim minimal për 2 persona. Ndihma ekonomike përballon vetëm 2 ditë ushqim minimal, ndërkohë që për të mbajtur frymën gjallë, afro 20% e shqiptarëve kërkojnë ushqim mbijetese në… kazanët e plehrave. Një studim i publikuar nga “EURO-STAT”-Agjencia e Statistikave të BE, rezulton se shqiptarët kanë paga e pensione me fuqi blerëse që renditet e fundit disa shkallë më poshtë edhe se vendet e rajonit, si Maqedonia e Bosnja, paçka se sipas INSTAT”-it, shqiptarët kanë fuqi blerëse pagash e pensionesh që “u plotëson nevojat jetike normale”, kur realisht është e kundërta. ja një krahasim: Nëse Luksemburgu e ka fuqinë blerëse 298 pikë, ose 199 pikë më lartë se mesatarja e BE, Maqedonia e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE, Bosnja e ka fuqinë blerëse 48 pikë, ose 52 pikë më të ulët se mesatarja e BE, ndërsa Shqipëria e ka fuqinë blerëse 12 pikë, ose 88 pikë më të vogël se mesatarja e BE dhe 4 herë më të ulët se Bosnja. Dhe qeveria 1 ditë përpara ikjes me pushime, del e deklaron, se pagat e pensionet do të rriten në vitin 2019! 
Ja 10 trauma sociale, që kanë shkak varfërinë ekstreme
1. Aktualisht, 95% e krimeve në familje bëhen për shkaqe varfërie. 
2. Aktualisht, 70% e krimeve publike, janë me tregues prostitucionin, rrëmbimet, pengmarrjet, dhunimin, grabitjet dhe vrasjet për “bukën e gojës” 
3. Aktualisht, afro 80% të pasurive kombëtare i zotërojnë shtetarët e politikanët dhe familjet e tyre
4. Aktualisht, financat kombëtare i zotërojnë vetëm 5% e popullsisë (njerëz të pushtetit e të afërm të tyre). 
5. Aktualisht,38% e popullsisë është në emigracion ekonomik, për shkak të falimentit të punës dhe nivelit të ulët të jetesës. 
6. Aktualisht, 30% e të rinjve kanë afro 15-20 vjet të pa punë. 
7. Çdo vit vetëvriten afro 50 kryefamiljarë, për shkak të varfërisë ekonomike. 
8. Çdo vit dhunohen 350 femra për shkaqe të dhunës në familje prej varfërisë ekstreme. 
9. Çdo vit bëhen afërsisht 1000 divorce, me shkak varfërinë ekstreme. 
10. Çdo vit, përfundojnë në pranga afro 800 të adoleshentë për vjedhje e grabitje me shkak varfërinë ekonomike
Ja disa nga pagesat ekonomike mujore që “Rilindja” jep për shqiptarët, sot pas 3 vitesh qeverisje
1. Për kryefamiljarin shuma, 2.600 lekë në muaj.
2. Për anëtarët e familjes mbi moshë pune shuma, 2.600 lekë në muaj 
3. Për çdo anëtar tjetër të familjes, në moshë pune, shuma 600 lekë në muaj
4. Për çdo anëtar tjetër të familjes nën moshë pune deri 18 vjeç, shuma 700 lekë në muaj
5. Pavarësisht nga përbërja e familjes, shuma jo më e lartë se 7.500 lekë në muaj
Sigal