Hyqmet Zane: Çfarë po ndodh me komunitetin çam në Shqipëri?

771
Sigal

29 vjet që nuk kanë dhënë asnjë bilanc pozitiv për kauzën e Çamërisë

Telefonata e një patriotit tim në moshë pleqërie që banon në Tiranë, njeri i nderuar nga Filati i Çamërisë më zgjoi në mendje një ide me një mesazh të madh për realitetin që po ndodh me problemin çam në Shqipëri. Zotëria i mirënjohur kishte lexuar shkrimin tim të fundit të datës 11 janar në gazetën “Telegraf” “Shoqata Çamëria, sprova e ndërkombëtarëve dhe e politikës shqiptare”, dhe më komplimentoi për trajtimin e problemit çam. Por, njëherazi, më shprehu një trishtim të madh e të thellë për gjendjen ku ka rënë vetë kryesia e Shoqatës Çamëria, për heshtjen që po zotëron këtë çështje dhe lënien në mëshirë të fatit të kauzës kombëtare të Çamërisë.

Pyetjet e tij: “Pse kështu more djalë, – më thoshte përtej telefonit, – përse kështu, ç’bënet me këta që janë në krie të kësaj Shoqatës sonë, ku janë, more, ku janë fshehur, përse po heshtin, çfarë halli kanë, or djalë, të lutem më fal që të drejtohem ty, por problemi ynë qëndron më shumë brenda nesh se sa ta kërkojmë tek të tjerëve?”, e të tjera fjalë që e çuan të ndjeja zërin që i dridhej, ndoshta edhe kish lëshuar lot. U preka shumë dhe u ndjeva ngushtë se nuk dija ç’t’i thosha, veç t’i pohoja se këtë gjë do ta trajtoja së shpejti. Ky patriot i nderuar nuk ishte i vetmi atë ditë të botimit të shkrimit, edhe nga jashtë vendit më telefonuan, se shkrimin e postova edhe në facebook. Nuk ka rëndësi se kush ishte ky burrë Çamërie me emër të mirë trashëgimisht, por ajo që më tha ai, më solli në mendje një situatë që po kalon çështja çame, veçanërisht në këto vitet e fundit. Por u mendova të rikthej shiritin e gjithë 29 vjetëve që kanë qenë më shumë ulje ngritje, por edhe protesta, mbledhje e diskutime, debate dhe mirëkuptime deri në kulmin e hartimit të Rezolutës për Çamërinë. Drejtues të kësaj Shoqate kanë qenë burra të nderuar që nga Abaz Dojaka, që bëri mirë aq sa mundi deri sa ndërroi jetë. Edhe të tjerë kanë dhënë kontribute dhe kanë bërë më të mirën. Por kjo situatë e këtyre 2 – 3 viteve të fundit të lë pa fjalë, a thua se një dorë e zezë, greke apo jo pak rëndësi ka, ka hyrë fshehtas dhe i ka trazuar të gjitha. Jemi kthyer si në një mosekzistencë institucioni, edhe pse komuniteti çam ekziston e do të ekzistojë duan apo nuk duan ata që më shumë e kanë parë përfaqësimin e kësaj çështjeje si përfitim politik apo në funksion të interesave të një grupi të vogël njerëzish që as duan të dinë për asgjë.

Burrat e vjetër që kanë ardhur nga Çamëria dhe që kanë qenë në moshë të vogël dhe që tanimë nuk e kalojnë të 90 vjetëve, nuk janë shumë, por edhe po ikin një e nga një me marazin e vluar dhe amanetin e pa tretur që ne trashëgimtarët, djemtë e vajzat e tyre, të bëjmë atë që do të ishte si një mesazh i madh i Kauzës së Çamërisë. Lënia në këtë statuskuo e aktivitetit të Shoqatës Çamëria ku nuk ka za për të fol, nuk ka mendje për të dhënë dhe nuk ka burra që t’i prijnë misionit, është me një fjalë një vetasgjësim, një bërje qejfi të kërkesës greke që të mos përmendet fjala “Çamëri” të mos shkruhet asnjë gjë për atë krahinë në tekstet shkollore, a thua se ato troje tonat nuk kanë ekzistuar dhe tanimë kjo i shqetësuaka shumë fqinjët tanë jugorë.

Me këdo që takohem, veç problemeve të ditës, të qeverisjes, të gjendjes ekonomike, qajmë hallet tona, por me patriotët e mi çamë nuk ka dyshim se pyetja e parë që është “po çfarë po bëjnë ata të Shoqatës, ku janë se kanë humbur, as zgjedhjet nuk përfunduan, as Kuvendi nuk u bë” etj, fjalë që janë një keqardhje për atë çfarë pritej të bëhen në këto 29 vjet dhe ku jemi, të katandisur në harresë dhe mbyllje goje. Unë si artikullshkrues nuk kam nevojë për lëvdata për shkrimet që bëj, por dua nxitjen dhe motivimin e atyre që pretendojnë se kanë më shumë merita për kauzën e Çamërisë. Fakti që në sinkron me këtë gjendje është edhe politika e çdo krahu, të majtë e të djathtë dhe aq më keq akoma ata që kërkojnë të flasin në mënyrë abuzive për problemin çam. Duket sikur mes nesh është futur një e keqe që ka kapur të gjithë politikën shqiptare dhe ka humbur “rahma” ajo shenjtëria e fjalës që na ka mbajtur gjallë edhe në ditët më të zeza të historisë sonë në diktaturë. Gjendja që jemi e ka emrin “shpërdorim të kauzës” dhe këtë askush nuk e pranon dhe nuk duhet ta durojë se është një tendencë për të qenë në sinkron me antiçamët dhe politikat antikombëtare të qëllimshme dhe të padëshiruara e të papranueshme me komunitetin çam. Të bësh kritizerin e kësaj situate është një gjë e lehtë, por të thuash të vërtetën, duket sikur bën armiq, se ata që janë autorët e kësaj gjendjeje, do thurin këtë dhe atë se nuk e pranojnë dëmin që u është shkaktuar çamëve. Po si të mos shqetësohesh që kanë kaluar 29 vjet dhe jemi këtu ku anëtarësia nuk ka motiv për tu bërë palë me ata që po bëhen të pabesueshëm, ku jepen karta anëtarësie si me hatër a thua se ai që lind në një familje çame nuk e meriton që të jetë anëtar. Ka modele në këtë botë, sidomos izrealitët që dinë të konsiderojnë dhe të bëjnë komunitet funksional dhe me vlera që është gjithnjë në shërbim të kauzës së tyre. Atëherë përse thuhet që ne çamët jemi të zgjuar, përse e kemi zgjuarsinë që të mos bëhemi bashkë? Një njeri pranë Janulaltosit, mik me një pjesëtar të komunitetit çam, ka shkrehur mendimin e shefit të tij që ka thënë se “nuk i kam frikë çamët, se e di që ata nuk dinë të bëhen bashkë”. Përse kështu?

Ne i kemi vëllezër bijtë e Kosovës dhe kontributi i tyre në çështjen kombëtare është i madh dhe i pa përsëritshëm dhe ata e bënë Kosovën. Ne nuk dimë të marrim këtë shembull, por pompojmë degën e Shoqatës Çamëria në Kosovë, a thua se nga ajo do na vijë zgjidhja, kur ne këtu në Shqipëri jemi ‘të pa marrun vesh’ me njëri – tjetrin sa shqetësimin kanë kurajë ta shprehin këta burrat e gratë mbi 80 vjeçar që do të donin të dëgjonin një fjalë, se çfarë do bëhet me kauzën tonë të dhimbjes e të shkeljes së të drejtave të njeriut në ekstremin e mundshëm. Unë nuk kam motivim të bëhem kritizer, por më dhemb, më trishton kjo gjendje se nuk jam një njeri që i përcjell pa vëmendje realitetet se jam në listën e themeluesve të kësaj Shoqate dhe po bëhem i përjashtuar, sepse njeri apo tjetri nuk duan njerëz që kanë se ç’u thonë, por duan servilë dhe qejfbërës që nuk na çon në asnjë burim për të gjetur vetveten në rrugën tonë të madhe. Ka një shprehje që thuhet se “çamët nuk mbajnë pluhur në vesh” çka do të thotë se çdo çam ka diçka për të thënë. I djeg nga brenda ajo që ka amanet të pa çuar në vend. Për këtë ai kryetari apo anëtarët e kryesisë apo ata që pretendojnë se kanë më shuëm merita për kauzën e Çamërisë duhet të zbresin nga maja e Olimpit e të bashkëbisedojnë me bazën, të takojnë çamët, tu thonë atyre gjendjen e t’u sqarojnë situatat që të marrin mesazhet dhe në fund të mblidhen ata profesorët e mençur me tituj e pa tituj që të hartojnë atë strategjinë e munguar të çështjes çame e ta kenë atë si kauza e madhe e zgjidhjes dhe jo vetëm trajtimit apo fjalëve që nuk zënë vend. Nuk do dua të besoj që kur themi Shoqata “Çamëria” duhet të nënkuptojmë partia dhe e kundërta, kur themi partia të nënkuptojmë Shoqata “Çamëria”, sepse Shoqata është e të gjithë çamëve të çfarëdolloj mendimi politik që të kenë, ndërsa partia është një pjesë që i bashkohet interesave të asaj partie.