270 objekte tremijë vjeçare janë të humbura, s’ka asnjë përgjegjësi ligjore

563
Sigal

Heshtin institucionet shtetërore përballë këtij skandali. Prokuroria pritet të filloj hetimet

Rreth 270 objekte të cilat janë zbuluar gjatë këtyre viteve pas gërmimeve në themelet e shumë objekteve të ndryshme si vila, pallate dhe lokale, rezultojnë të humbura, pa nam e nishan. Dega e Institutit Mbrojtjes së Monumenteve dhe Drejtoria e Monumenteve Arkeologjike, duket se nuk ka qenë e ashpër sa duhet dhe madje në mbledhjet e KRRT-ve , përfaqësuesit e tyre kanë ngritur dorën të parët, duke miratuar leje-ndërtimi pa hesap. Deri tani askush nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi, por edhe kur dikush ka folur, atë nuk e ka dëgjuar askush. Skandali me veprat e nëntokës dhe objektet në qytetin bregdetar ka vite që mbulohet, dhe fatkeqësisht edhe specialistët që në seminare dhe takime hiqen si “baballarët” e arkeologjisë dhe “ruajtësit” e flaktë të zbulimeve, kanë heshtur duke bërë paqe me shkatërruesit e vlerave tona kombëtare. Asnjë prej historianëve vendorë, asnjë prej drejtuesve të muzeve dhe monumenteve, nuk ka protestuar për shkatërrimin e vlerave nga firmat private, individë dhe qarqe të caktuara të cilat në Durrës kërkojnë të përdhosin gjurmët e historisë tonë mijëravjeçare. Institucionet kompetente dhe historianët, kanë rënë në gjumin e thellë, madje edhe më keq, ata shpesh bien në ujdi me firmat dhe subjektet ndërtuese, duke u hapur atyre shtigjet e abuzimit. Rrjeti i cili ka kohë që është shkaktari kryesor i shkatërrimit të vlerave arkeologjike në Durrës , ka arritur të bëjë “zap” të gjitha institucionet kulturore prej vitesh duke u diktuar atyre gjithçka, madje edhe ata që direkt merren me ruajtjen dhe menaxhimin e vlerave tona shekullore. Duke guxuar dhe deklaruar për shtyp nën zë se, “vlerat e nëntokës, antikiteti po ç’ groposet natën dhe po hidhet në kanalet e autostradës ndaj shteti nuk duhet të bëjë sehir më ”, i kushtoi shumë ish-drejtorit të IMK-së në Durrës dy vjet më parë. Ky realitet po vazhdon të mbizotërojë sot fatkeqësisht akoma në qytetin bregdetar, ku veç të tjerash mungon edhe fushata e sensibilizimit, e cila ka vite që është kthyer në fushatë stimulimi. Ndërkohë nga Ministria e Kulturës, duhet që nëpërmjet strukturave të saj në qytete si Durrësi ku gjithçka të vlefshme e ka nën tokë, të kontrollojë gjithë operacionet e punimeve fillestare të firmave ndërtuese, për të mos neglizhuar dhe lejuar groposjen dhe shkatërrimin e vlerave të rralla që gjenden dhe përdhosen shpesh nga gërmuesit e themeleve. Duhet që pikërisht degët e DMMK-së, të japin OK-in e fundit mbi pastërtinë e nëntokës në parcelën ku kryhen gërmimet e themeleve të pallateve në Durrës. Groposja dhe dëmtimi i mozaikëve dhe vlerave të rralla të nëntokës deri sot ka kaluar me heshtje dhe proces-verbale bajate, duke ledhatuar firmat dhe ndëshkuar atë pjesë të pazëvendësueshme të historisë 3-mijë vjeçare të Durrësit.