27 vjet zhgënjime e mashtrime për kompensimin e pronarëve…!

871
Evdal NURI 

“Për dhjetë vjet, o i zoti, o gomari kanë vajtur në botën tjetër…!” 
Këto ditë ndryshoi përsëri skema për kompensim! Them përsëri, ngaqë ka ndryshuar disa herë. Ky i fundit vjen pa kaluar dy vjet nga vendimi që na ngjallte pak shpresë. Qeveria ul pesë herë kompensimin me para të pronarëve. Me pak fjalë, do të paguhet vetëm 20% të faturës, pjesa tjetër nga fondi i tokës që ATP zotëron, nëse më parë kishe mundësi të merrje 50 milionë lekë, tani vetëm 1/5-tën, 10 milionë lekë. Ky vendim rëndon në 24 mijë dosje që u është njohur e drejta e kompensimit. Më e keqja është se paratë do të jepen, pasi të jenë ezauruar dy mundësitë e kompensimit fizik . a)Ajo në ish-pronën e subjektit të shpronësuar. b) Nga fondi fizik i tokës. Ç’i duhet toka pasardhësve në malet e Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe Elbasanit, kur tani janë mbi 70 vjeç? Kjo është për t’u tallur! Pra, nëse s’mund të realizohen dy të parat bëhet vlerësim financiar në 15 e vlerës, por dhe këto me këste për dhjetë vjet. Pas dhjetë vjetëve,”O gomari ka ngordhur, o i zoti ka vdekur”. Kështu thotë populli…! Sa kohë e humbur në 27-vjet! Sa sorollatje! Së fundi asgjë! Të paktën të na jepnin qindra, mijëra lekë që kemi harxhuar për gjyqet e zgjatura e përgatitjen e dosjeve të dokumenteve! Tani mundësitë janë shumë të pakta. Me pak fjalë, Qeveria gjeti një “marifet’ tjetër, duke u dhënë goditjen e fundit për të gjithë ata që kanë vendimin e prerë. Kam dy motra mbi 80 vjeç. Për dy dekada janë marrë me problemin e pronave. Tani s’kanë më takat e ma kanë lënë mua këtë problem . Në mëngjes më merr në telefon motra e madhe, Mequa: “O vëlla vajte për pronat, ç’të thanë? Te keqen motra interesohu, se të gjithë po i marrin lekët. Gjermani na dogji shtëpitë, të paktën të marrim ca lekë nga pronat e babait, se na duhen për pleqëri”. Në mbrëmje Semihaja. E mora gazetën vëlla? Edhe sot s’e kishim emrin. Nga të gjithë rrethet kishte emra, kurse nga Berati vetën 3-4, thotë e dëshpëruar e vogla! Ti je më i ri e të shkon më tepër fjala më thonë shpesh. E unë për t’i mos i prishur qejfin, tek dera e ATP–së. Atje “miting i madh”, as afrohesh e as sqarohesh! Këto biseda janë të përditshme, sa na është mërzitur gjithçka që ka të bëjë me pronat. I sqarova, për vendimin e fundit, që mos shpresoni më, por kush të dëgjon? Thonë, ne kemi dy dekada që po merremi me këtë punë, s’ka mundësi të na gënjejnë kaq hapur! Mirë thonë,që prona është gatuar me shpirtin ! Ky vendim ka nxjerrë jashtë loje një pjesë të pronarëve në të cilët u hiqet e drejta e kompensimit. Bëhet fjalë për ata që është shkruar “ezauruar”. Me lagjen e ri mundësia e vetme është ankimi në gjykatë. Gjyqi do nge dhe para .Ai mund të vazhdojë me vite dhe të harxhosh më tepër lekë se sa mund të marrësh . Fundi asnjë shpresë! Tani dhe unë hoqa dorë . 
Pak histori . 
Në vitin 1945-46 regjimi komunist, nxorri disa ligje: Reformën agrare, ai i sekuestrimit, i shtetëzimit dhe ligji mbi tatimin e jashtëzakonshëm mbi të ardhurat e Luftës. Kuptohet, u prekën interesat e një mase të madhe njerëzish. Kohë më parë një shok Sh. B. që tani ndodhet në Francë më ka treguar : “ Me besimin se do të gjenin zgjidhje, për çka i kishte ndodhur, tregtarët e Beratit në ato vite vajtën për t’u ankuar në Bashki. Në fakt iu ishin marrë dyqanet, florinjtë e gjithçka. Kryetari Bashkisë H. Z ( një burrë i moçëm, por i zgjuar) i mblodhi në një sallë dhe i tha: “Kjo mori fund . Tani rini urtë se do ta pësoni më keq (e në fakt disa e pësuan)”. Por theksoi: “Do të vijë një ditë që do t’i merrni.” Çdo të vuani atëherë , dynjanë do hani! Sa largpamës paska qënë ky Kryetarë Bashkie! Sa aktuale tingëllon edhe sot! Vërtet po hamë “dynjanë” e s’po fitojmë asgjë! Në këtë konkluzion kemi arritur, pas 27 vjetëve përpjekje për të marrë diçka nga ato që na lanë prindërit tanë. U përmbys diktatura, u vendos demokracia. U gëzuam të gjithë. Na u tha, nxirrni dekumentet se do të merrni pronat e të prindërve e gjyshërve. Vajti haka tek i Zoti, thamë ! 

“ Lindi shpresa!” Këtu filloi dhe odisea e pronave.
Me përpjekje, miqësi e shoqëri, me rixha e para, mundëm të krijonim dosjet e pronave me kërkesat. Zaptuesve u kërkohet një plan vendosje, sipërfaqja, një certifikatë e diçka tjetër! I shtrëngohen duart, i përqafojnë e i thonë: “T’i gëzoni tapitë!” . Ata bëhen pronarë në tokat tona, duke pasur pronat e tyre ende atje nga kanë ardhur! Për ne pronarët u kërkuan mbi 30 dekumente të vjetra e të reja. Me mundime i përgatitëm dhe këto. Me besim se erdhi dita për t’i marrë. Në vitin ’95 na u dhanë vendimet. Në fund thuhej: a) Letër me vlerë . b) Kompensim diku tjetër ( gjoja në bregdet) c) Vlerësim me lekë . Ky ishte “sihariqi “ i parë. S’na erdhi mirë, por pranuam e kishim shpresë, se diçka do të merrnim. “Vdiq shpresa!” Edhe pse thonë se shpresa vdes e fundit, ajo tek ne ka vdekur e së bashku me ne! Vetëm gënjeshtra e zhgënjime! Në 97-n harruam gjithçka. Shyqyr që shpëtuam kokën. Socialistët fituan zgjedhjet e kërkuan dekumente të reja. Edhe ato i dorëzuam. Në 8 vjet asgjë. Po në 8 vjet (2005-2013) demokratët premtuan me shumë zhurmë, por gjithçka vetëm në letër! Nga 2013 deri tani kanë dalë shumë vendime që kanë zëvendësuar njeri -tjetrin. Ky i fundit “i vuri vulën”, duke e kufizuar mundësinë e kompensimit në 1/5 e vlerës. Kjo na ka shqetësuar e çoroditur më shumë. Çfarë s’na kanë kërkuar? Duhen këto dekumente. Duhet origjinali e jo fotokopja e noterizuar. Duhet ky apo ai plan vendosjeje. Kjo apo ajo hartë! Na kanë futur dhe në zënka familjare. Jo dosja tende kështu, e imja ashtu! Kishit afat deri në fund të nëntorit, tani s’keni më të drejtë të kërkoni, thonë. Bëni gjyq. Na kanë premtuar në çdo fushatë si të majtët e të djathtët, se do ta zgjidhin problemin e pronave. Tani të majtët e kanë futur procesin e kthimit e kompensimit të pronave në një larmi vendimesh, shkresash, dosjesh, gjyqesh, shpenzimesh të pa fundme. 

Ç’thotë shoqata “Pronësi me drejtësi”, që s’po e pyet më njeri? 
Më parë ka ngritur zërin, kurse tani s’po ndihet! Jep ca shifra që të befasojnë nga numri i problemeve. Janë 1.2 milionë gjyqe që duan 190 vjet të zhvillohen. Kostoja është 2.2 miliardë USD, vetëm për shpenzime administrative! Janë mbi 230 mijë denoncime për falsifikime e grabitje e tj. Shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve mbi 10 mijë hektarë tokë të pakthyer urbane dhe 50 mijë hektarë tokë bujqësore, e konfiskuar në vitin 1945 nga regjimi komunist e të tjera. Më keq s’ka ku të vejë. Të majtët së bashku me të djathtët lejuan anarkinë e ligjeve për të krijuar anarkinë e titujve të pronësisë, sepse duke vjedhur pronat e qytetarëve dhe pronat e shtetit ata u bënë pronarë aty ku nuk kanë pasur as një metër tokë. Kërkojmë , tokat që na takojnë! Ato na i kanë pushtuar të tjerët, duke mos na lejuar t’i afrohemi për t’i parë e jo për t’i marrë . Shteti na nxjerr njëqind “yçkla”, duhet ky apo ai dokument . Vetëm për t’na mërzitur. Tani thonë, kemi gabuar me ligjin 7501! Po, po keni gabuar, por 8000 persona janë vrarë, për një copë tokë e një vijë uji!” Konfliktet për pronat janë edhe konfliktet më të shumta. Shkak për këtë situatë është mos zbatimi i ligjeve dhe vendimet, hera-herës të padrejta dhe kontradiktore të dhëna nga gjykatat. Të zhgënjyer nga qeveritë dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri, qindra ish-pronarë shqiptarë i janë drejtuar për zgjidhje Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut gjatë viteve të fundit. Shumë prej tyre kanë fituar çështjet kundër shtetit shqiptar, duke i transferuar këtij të fundit një faturë të kripur financiare. Të tjerë janë ende në pritje të një vendimi në favor të tyre prej Gjykatës së Strasburgut. Numri i çështjeve në Strasburg e ka kapërcyer shifrën 400. Fatura që na vjen nga Strasburgu është shumë e lartë. Pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist dhe të pa kompensuar në demokraci e shohin këtë lëvizje të qeverisë si një hap tjetër kundër të drejtës së tyre. Këto 27 vjet, politika shqiptare ka bërë faje të rënda me të drejtën e pronës. Në fund, janë pronarët që penalizohen për fajet e politikës. Problemet e pa zgjidhura të pronësisë mbi tokën kanë penguar seriozisht investimet e huaja në Shqipëri. Pronari i ri thotë: “Urdhëro, kjo është prona ime!” Më vonë paraqit dokumentet pronari i vjetër, [o kush e dëgjon, kush i jep të drejtë? Koha ikën dhe e drejta nuk po shkon tek i zoti. Dhe ata të zotët e vërtetë të pronës, ose vdesin, ose ikin fare nga Shqipëria, se s’kanë asnjë siguri e garanci nga shteti! Kjo është situata në 27 vjet. Shumë zhurmë, por asgjë konkrete për të çuar hakun tek i zoti! 
Sigal