250 mijë emigranë përfitojnë, edhe pse nuk kanë leje qëndrimi afatgjatë

984
Jani B. GJOÇA

Projektligji i ri i qeverisë greke Cipras për marrjen e nënshtetësisë greke
Qeveria e Majtë e kryeministrit Cipras do të çojë në parlamentin grek brenda këtyre 2 javëve një projektligj të ri për marrjen e nënshtetësisë greke nga emigrantët dhe rezidentët që jetojnë për një kohë të gjatë në Greqi.
Ministri i Brendshëm Skurletis: U japim mundësinë edhe emigrantëve që nuk kanë leje qëndrimi afatgjatë
Ligji aktual i dhënies së nënshtetësisë greke është votuar në parlamentin grek nga qeveria e Djathtë e Antonis Samaras. Faktikisht, ky ligj penalizonte emigrantët që kanë mbi 20 vite që punojnë dhe jetojnë në Greqi, por që për arsye subjektive, plus edhe kriza e madhe ekonomike në Greqi, u vështirësoi dhe u bëri të pamundur rinovimin e lejeve të qëndrimit afatgjatë dhjetëra mijërave emigrantë. Madje, ky ligj penalizonte edhe fëmijët e emigrantëve, të cilët, edhe pse kanë bërë të gjithë arsimimin e tyre, madje deri në universitet, nuk mund të përfitonin nënshtetësinë greke, nëse prindërit nuk kishin leje qëndrimi afatgjatë, ose u ishte ndërprerë, për arsye mosrinovimi, nëse nuk kanë një shumë të caktuar të sigurimeve shoqërore të punësimit. 

Ministri grek i Brendshëm, Skurletis, deklaroi se nga ky projektligj i ri i qeverisë së Cipras, do të përfitojnë 250.000 emigrantë, edhe ata, që kanë 12 vite të rregullta qëndrimi në Greqi, por që nuk kanë marrë dot leje qëndrimi afatgjatë. Sipas ministrit të Brendshëm Skurletis, do të përfitojnë edhe emigrantët që kanë moshën mbi 65 vjeç, por që nuk kanë leje qëndrimi afatgjatë. Gjithashtu, do të përfitojnë nënshtetësinë greke edhe gratë që kanë 20 vite qëndrimi të rregullt në Greqi, por që nuk kanë leje qëndrimi afatgjatë. Ky projektligj, do të thjeshtojë edhe procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke, duke bërë më të lehtë intervistën e emigrantëve, si edhe koha e marrjes së nënshtetësisë nuk do të kalojë më shumë se 1,5 vite, nga 5 vite dhe më shumë që është sot. 
Kundërshtimet e deputetëve të Djathtë
Jo vetëm deputetët e partisë naziste greke “Hrisi Avgi”, por edhe deputetë te Nea Dimokratia e kanë kundërshtuar projektligjin e ri të marrjes së nënshtetësisë greke nga emigrantët dhe rezidentët, duke thënë se po tjetërsohet popullsia greke. Madje, disa deputetë nuk kanë nguruar që të theksojnë “rrezikun” që i kanoset politikës greke nga mundësia e krijimit të një partie filoshqiptare, duke qenë se tashmë elektorati grek do të ketë një numër të konsiderueshëm votuesish shqiptarë që kanë marrë nënshtetësi greke, dhe këta, sipas sirenave të rrezikut të deputetëve të djathtë grekë, mund të organizohen në një parti politike dhe të luajnë rol aktiv në jetën politike greke. Prandaj, edhe projektligji i ri i qeverisë së Cipras për dhënien e nënshtetësisë greke pritet me interes të madh politik nga të gjithë palët e interesuara. 
Sigal