22 vjetori i ndarjes nga jeta i baba Rexhebit, kreu i teqesë bektashiane në SHBA

669
Kujtim BORIÇI
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Baba Rexhepi, kleriku që kontribuoi për bektashizmin dhe kombin
Si sot 22 vite më parë, ndërroi jetë në Detroid të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, baba Rexhepi, kleriku i njohur bektashian që punoi dekada të tëra në të mirë të bektashizmit e shqiptarëve, veçanërisht bashkëkombasve tanë në emigracion në kontinentin e largët. Përkujtimi i kësaj dite sot, në mjediset e Selisë së shenjtë, nga klerikë e besimtarë të shumtë bektashianë, bëhet nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. “Shenjtëria e tij baba Rexhebi, ky kollos i madh i bektashizmit botëror, intelektuali me shumë reputacion, erudit e filozofi i shquar në lëmin e misticizmit, njeriu i rrallë me zemër të madhe, gojëëmbël, kleriku i ndritur e atdhetari zemërzjarrtë, na mungon prej 22 vitesh fizikisht, por bektashinjtë e kanë pasur dhe do ta kenë kurdoherë pranë, pasi jeta e tij është një jetë përkushtimi fizik e shpirtëror në Udhën e ndritur të Haxhi Bektash Veliut, në të mirë të fesë e njerëzimit. Tashmë, sa koha ecën e besimi bektashian përhapet me shpejtësi në të gjitha anët e globit, vepra e baba Rexhebit e klerikëve që jetuan e punuan ndër dekada për bektashizmin, merr më shumë dritë e mirënjohje…”- pohon mes të tjerave, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Kush ishte baba Rexhebi
Baba Rexhebi, ka lindur më 10 gusht 1901 në qytetin e Elbasanit. Që në moshë fare të re ai u fut në udhën e shenjtë të Haxhi Bektash Veliut, për të ecur para me besim, dashuri e përkushtim për Krijuesin, duke predikuar e shpërndarë paqe, dashuri e mirësi deri ditën e fundit të ndarjes nga kjo jetë, më 10 gusht të vitit 1995. Ai, pasi mbaroi shkollimin fillor në vendlindje, si edhe gjimnazin, u vesh dervish i baba Selimit në teqenë e Zallit të Gjirokastrës. Në formimin mistik fetar dhe kulturor e atdhetar, ndikoi mjedisi familjar dhe shoqëror, por vençarisht një rol të madh luajti udhërrëfyesi i tij, baba Selim Gjirokastra. Udhën e tij si klerik ai nuk e pa asnjëherë të ndarë nga përkushtimi e dashuria për atdheun. Baba Rexhebi ngriti zërin kundër pushtimit fashist, përshëndeti luftën për çlirimin e vendit, përkrahu nxehtësisht nacionalizmin shqiptar, duke i këshilluar njerëzit të ruanin ngjyrat shqiptare të kësaj lufte dhe të largoheshin nga ideologjitë e huaja. u detyrua të shtegtonte prej atdheut të tij të dashur në fillim në Itali, Egjipt dhe pas shumë peripecish u vendos në Detriot të SH.B.A. Ai pati lidhje të ngushta me baba Siri Çoçolin në Egjipt, ku mori dhe gradën baba. Me punën e tij përkushtuese për bektashizmin, vuri në jetë njohuritë e fituara, por punoi shumë në ngritjen e tij filozofike dhe teologjike duke e njohur kulturën fetare në thellësi dhe duke zbatuar atë në praktikë në shtetin më të madh të botës siç ishte Amerika. 

Mik i Fan Nolit
Përveçse klerik bektashian i përkushtuar, baba Rexhebi ishte mik i ngushtë i Fan Nolit. Referuar dokumenteve arkivore, konstatohet se në ceremoninë e 6 mujorit të kalimit nga jeta të Nolit, baba Rexhepi mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm para të pranishmëve. Midis të tjerave theksoi: “Gjashtë muaj më parë, e vajtuam të gjithë me lot, humbjen e Prijësit tonë . Sot ndjejmë mungesën e tij. Tashti nuk po dëgjojmë më këshillat e tij të mençura, fjalët e tij të zgjedhura, shakat e tij plot kripë. Me gjithë këtë, kujtimi i Fan Nolit qëndron gjithnjë i gjallë në mendimin tonë dhe në faqet e historisë shqiptare. Fan Noli është një nga figurat më të mëdha që ka nxjerrë raca shqiptare. Ai është gjithashtu një nga njerëzit e rrallë që ka zhvilluar aktivitete të ndritura në shumë fusha. Ai e kushtoi gjithë jetën e tij në shërbim të Zotit e të Atdheut. Krishti dhe Skënderbeu ishin udhëheqësit dhe frymëzuesit në tërë jetën e tij spirituale dhe patriotike…Pra është detyra e të gjithë neve, që të frymëzuar nga ndjenjat e tij të pastra patriotike, fetare dhe shoqërore të ndjekim me besnikëri gjurmët e Fan Nolit, gjurmët e këtij prijësi të madh e të pavdekshëm. Wshtë detyra e jonë të mbajmë lart e me dinjitet pasuritw fetare dhe kombëtare që themeloi ai me aq mundime e sakrifica. Wshtë detyra e jonë të mbajmë lart dhe të nderojmë me veprat tona. kujtimin e Tij ashtu siç i ka hije. Sepse vetëm duke vepruar kështu, do të nderojmë veten dhe do të tregohemi dishepuj dhe bij të denjë të At Fan Noli të këtij bariu të devotshëm të fesë dhe të këtij gjiganti të rrallë të shqiptarizmit, ndaj kujtimit të të cilit përulem me adhurim të thellë”

Klerik në Detroid të SHBA
Me vajtjen në Amerikë, baba Rexhebi, me sjelljen dhe me kulturën që kishte, rrezatoi shumë shpejt në të gjithë shqiptarët e atjeshëm. Respekti për ‘të që rritej nga dita në ditë, e bënë mik e të respektuar jo vetëm tek besimtarët, njerëzit e thjeshtë, por dhe tek intelektualët shqiptar e të huaj, përfshirë dhe Fan Stilian Nolin. Kur në Shqipëri nisi sulmi zyrtar ndaj besimit e institucioneve fetare, baba Rexhebi, do të mbante të ndezur kandilin e Haxhi Bektash Veliut. Ai ja arriti dhe përshëndeti ndryshimet politike në Shqipëri pas vitit 1990, që sollën ndërkohë dhe rikthimin ligjor të besimit dhe rihapjen e institucioneve fetare. Kështu, Kongresi i gjashtë bektashian botëror, që u mbajt më 19 korrik 1993 e shpalli shenjtërinë e tij baba Rexhebin e teqesë bektashiane të Detroitit, ‘Kryetar Nderi Shpirtëror” për miliona bektashinj në botë. Njëkohësisht, baba Rexhebi zotëronte dhe një kulturë të gjithanshme, ishte njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja, është autor i shumë librave, si dhe është botues i organit “Zëri i Bektashizmës” në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në Detroid. Ndërsa libri i tij, “Misticizma islame dhe bektashizma”, botuar në vitin 1970, mbetet një vepër madhështore e cila u njoh në gjithë botën, sjellë dhe në shqip në vitin 1995. Baba Rexhebi ndërroi jetë më 10 gusht 1995.
Dede Edmond Brahimaj për baba Rexhebin
Vlerësime maksimale për baba Rexhebin, ka bërë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Baba Edmond Brahimaj. “…Gjatë plot 94 viteve të jetës, nga 10 gushti i vitit 1991 kur erdhi në jetë deri më 10 gusht të vitit 1995 kur ndërroi jetë, baba Rexhebi reflektoi mirësi, paqe, dashuri e përkushtim ndaj besimtarëve bektashianë, duke predikuar dashurinë tek i Madhi Zot, dashurinë për kombin dhe paqen. Veçanërisht gjatë dekadave që ai shërbeu në teqen bektashiane në SHBA, e ktheu teqenë në një vend masiv bashkimi të besimtarëve bektashianë e bashkëkombasve të tij që kishin emigruar në tokën e largët, duke i shërbyer vëllazërisë, forcimit të unitetit e dashurisë për kombin. Jeta e tij ishte dhe mbetet një jetë plot kuptim e një kleriku bektashian, duke reflektuar dashuri e respekt gjatë viteve të punës e me veprën dhe emrin e mirë që la pas kalimit nga kjo jetë. Jeta dhe vepra e baba Rexhebit, i bën nderë jo vetëm bektashizmit, por krejt kombit tonë…”- është shrehur Kryegjyshi Botëror Bektashian i sotëm.
Sigal