200 euro për kopje, në provimin e vjeshtës për maturantët

556
Sigal

Pavarësisht se u munduan ta mbajnë të fshehtë, duket se jo gjithçka
mbulohet me frikën e autoritetit. Dy mësuese gjimnazi në Elbasan janë kapur
dje, duke marrë nga sekserët e maturantëve kopjacë para në këmbim të kopjeve në
ditën e provimit të vjeshtës. Dje ka qenë dita e provimit të vjeshtës për
maturantët, ndërkohë që nga shkollat e mesme kishte mungesë organizimi dhe
raste të shumta korrupsioni, për ata mësues që ishin lidhur me kohë me sekserët
dhe u kishin caktuar atyre madje edhe “tarifën” për të lejuar kopje. Burime
tepër të besueshme nga Elbasani thanë se “dy mësuese gjimnazi janë kapur dje në
mbarimin e provimit duke marrë 200 euro nga sekserët, (rasti dytë brenda dy
muajve) dhe janë thirrur me urgjencë në DAR, ndërkohë që ndaj tyre (nuk) pritet
të merren masa të rënda administrative dhe penale, pasi rezultojnë militante të
pushtetit. Raste të tilla janë shtuar ndjeshëm, pasi edhe në provimet e
qershorit ka patur mësues që kishin marrë para nga sekserët duke lejuar futjen
e celularëve apo edhe duke lejuar forma të tjera abuzimi nga maturantët- tha i
njëjti burim. Zbulimi dhe kapja në flagrancë e dy mësueseve të një gjimnazi në
Elbasan duke marrë para në këmbim të shkeljes së rregullores, tregon se sistemi
arsimor në përgjithësi ka hyrë në rrugën pa kthim të korrupsionit duke
përfshirë nga drejtorët e shkollave e duke përfunduar tek mësues të veçantë, kryesisht
ata që kanë mbështetje politike. Rasti i dy mësueseve të Elbasanit mbetet
tipik, pasi ato janë pikërisht “prurja” e re e ardhur nga portalet e MAS, dhe
me mbështetje të fuqishme politike. Pavarësisht masave dhe paralajmërimeve,
duket se aventurierët që kanë mundur të penetrojnë në sistemin arsimor , nuk
ndalen para asgjëje kur është fjala për të zhvatur para. Dy mësueset mësohet se
janë përfolur shumë edhe gjatë vitit të kaluar shkollor lidhur me kurset
private dhe afera të tjera korruptive, siç janë regjistrimet me para në
shkolla, notat kaluese, udhëtimet dhe ekskursionet jashtë rrethit dhe jashtë
shtetit duke u zhvatur nxënësve para mbi kuotat, apo edhe raste të tjera. Por
ato janë mbrojtur gjithmonë nga drejtuesit e shkollës, pasi janë “miq deputeti,
apo mikesha ministrash”. Situata në të cilën është futur sistemi arsimor mbetet
sa kaotike, aq edhe alarmante. Kaosi dhe korrupsioni kanë përfshirë shkollat
dhe stafet, dhe kjo duket në mungesën e organizimit të çdo aktiviteti që lidhet
me fillimin e vitit të ri shkollor, apo regjistrimet e nxënësve të vitit të
parë, ndarja e shitja e librave, apo seleksionimi dhe “gjuetia e shtrigave” që
ka nisur për të spastruar kundërshtarët. Shkollat shpesh po kthehen dhe
trajtohen sikur të ishin prona private të drejtorëve, aq sa thonë se “disa prej
tyre po synojnë të zhvatin edhe ndonjë copë toke nga oborret, për ti kthyer në
biznese fitimprurëse”. Kapja e dy mësueseve të një gjimnazi në Elbasan dje në
ditën e provimeve duke marrë para, ka zbuluar lidhje të tjera të tyre me
rrjetin e korrupsionit, duke implikuar edhe disa emra drejtuesish. Ato janë dhe
njihen edhe si “sekseret e emërimeve” dhe rekrutimeve, që bëjnë për të zgjeruar
rrjetin e korrupsionit, duke afruar në shkolla “ajkën” e të paaftëve.
Propaganda e MAS për gjoja “masa të rrepta për ditët e provimeve” apo për gjoja
“ndëshkimet e kujtdo që kapet duke shkelur ligjin dhe rregulloret” rezulton
boshe dhe farsë, tek e cila nuk beson më askush. Ajo zbatohet vetëm për të
justifikuar spastrimet politike. Bllofin me provimet e maturantëve, si dhe
realitetin skandaloz të gjoja “notave të larta” e tregon vajtja e tyre në
universitete, pasi afro gjysma e studentëve mbeten në provime qysh vitin e parë
në fakultete. Kthimi në biznes i arsimimit të brezit të ri, dhe mungesa e
reformimit real të sistemit, mbetet njolla më e zezë që çdo drejtues arsimi në
vend, do ta ketë faturë për gjithë jetën.