20 vjet SIGAL UNIQA Group Austria – Inaugurohet vepra “Mirënjohje-Falënderime të gjithëve” në qendër të Tiranës

582
Sigal

SIGAL UNIQA Group Austria, kompania më e madhe në Shqipëri, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të saj, inauguroi sot skulpturën: “Mirënjohje – falënderim për të gjithë”, realizuar për këtë përvjetor. Qëllimi dhe tematika e skulpturës, e cila u vendos pranë Drejtorisë së Përgjithshme të SIGAL UNIQA, ishte mirënjohja dhe falënderimi për klientët, bashkëpunëtorët dhe stafin për besimin dhe përkushtimin që i kanë dhënë kompanisë për 20 vite. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë, Bordi drejtues i SIGAL UNIQA, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës – Aldrin Dalipi, përfaqësues të ministrive dhe institucioneve publike, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë, përfaqësues të biznesit dhe institucioneve financiare, stafi dhe partnerët e kompanisë. Me herët, në Drejtorinë e Përgjithshme të SIGAL UNIQA, Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA-Avni Ponari, në një konferencë të mbajtur për mediat shprehu falënderimet për klientët, stafin dhe partnerët e kompanisë. “Suksesi dhe arritjet e SIGAL UNIQA Group Austria në këto 20 vjet mbi të gjitha u takojnë klientëve, të cilët na kanë besuar dhe vazhdojnë të na besojnë, prandaj edhe festimet tona në këtë 20 vjetor zhvillohen me ta dhe për ata”, -u shpreh Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria.

Duke filluar nga sot dhe deri më 25 mars, SIGAL UNIQA i ka kthyer ambientet e zyrave të saj qendrore në një ekspozitë të hapur për publikun, ku piktorët më të njohur shqiptarë kanë realizuar piktura me tematikë: rritje, zhvillim, vizion, falënderim, pikërisht ashtu siç identifikohet edhe vetë SIGAL-i. Ekspozita u çel sot dhe më 25 mars do të përmbyllet me një çmim për pikturën më të votuar nga publiku.

SIGAL UNIQA, që prej 20 vitesh, me punën e saj të përditshme kërkon të frymëzojë, të jetë vazhdimisht në zhvillim, të servirë vlera dhe jo vetëm produkte. Përmasat që SIGAL UNIQA ka marrë përgjatë viteve i kalojnë kufijtë e Shqipërisë dhe është shndërruar në një prej grupeve më të mëdhenj të sigurimeve, ku rreth 1200 punonjës u shërbejnë mbi 1 milionë klientëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

SIGAL UNIQA, që prej vitit 2002 renditet e para në tregun e sigurimeve me mbi 65 milionë euro prime në vit dhe rreth 300 milionë euro dëme të paguara ndër vite dhe 121.100.000 Euro ASETE. Që prej vitit 2007, SIGAL UNIQA është pjesë e gjigandit austriak të sigurimeve UNIQA Group Austria, me një histori 200-vjeçare në tregun europian të sigurimeve, i cili numëron 7 miliardë euro prime në vit dhe zotëron 33 miliardë euro asete.

 

Të dhëna mbi SIGAL UNIQA Group Austria:

  • Grup rajonal me 8-të Kompani Sigurimi, Risigurimi dhe Fond Pensioni Privat
  • 3 shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni
  • Kompania e parë që futi investimet e huaja në kompani: Fondi Shqiptaro-Amerikan u bë pjesë e SIGAL në vitin 2003 dhe më pas në 2007-ën UNIQA Group Austria.
  • Që prej 2002 udhëheq tregun shqiptar me 30%
  • mbi €65 milionë Prime/vit
  • € 121.1 milionë Asete
  • 300 milionë Euro dëme të paguara ndër vite
  • 1.000.000 klientë (AL KS MK)
  • 1 200 punonjës dhe agjentë
  • Mbi 900 zyra në 3 shtete
  • Të parët në blerjen online të siguracioneve
  • E vetmja kompani që ofron të gjitha klasat e sigurimit

 

Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të SIGAL UNIQA Group Austria, Avni Ponari

 

I nderuar Kryetar i Këshillit Bashkisë Tiranë zoti Dalipi,

Të nderuar, klientë, partnerë, staf,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në kuadër të 20-vjetorit të SIGAL UNIQA Group Austria, inaugurojmë sot veprën, të cilën e kemi titulluar: “MIRËNJOHJE-FALËNDERIME PËR TË GJITHË”.

Por pse ky motiv?

Sepse sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të themi FALEMINDERIT;

Sepse sot ne kemi nevojë të jemi MIRËNJOHËS dhe të jemi gjithë jetën të tillë;

Sepse sot ne duhet të kthejmë kokën pas e të kujtojmë fillimet tona dhe këtë ta bëjmë gjithmonë;

Sepse sot ne duhet të jemi edhe më humanë se kurrë më parë; Sepse të tillë duhet të jemi çdo ditë;

Sepse ky qytet ka nevojë për mirënjohje ka nevojë për falënderime ka nevojë çdo ditë e në çdo pjesë të tij.

Mirëkuptimi, respekti, mirënjohja dhe vlershmi i bërë ndaj gjithkujt në këtë jetë, tingëllon më bindës kur ai shndërrohet njëkohësisht edhe në një detyrim moral, për të vijuar udhën e nisur.

Sepse nëse jemi mirënjohës, jemi më të njerëzishëm, jemi më të arsyeshëm, jemi më bashkëkohorë, jemi qytetarë evropianë.

Sot ne SIGAL kemi nevojë të falënderojmë, të shprehim mirënjohjen të gjithë atyre që kanë qëndruar përkrah që nga fillimi i rrugëtimit tonë, në një det të trazuar, plot dallgë që ka kërkuar kapiten dhe ekuipazh të zot dhe deri sot, ku themi me krenari që jemi një kompani me standarde evropiane sepse kemi ditur të shkojmë në destinacion.

Por mbi të gjitha sot ne jemi një kompani e madhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, e cila i shërben me përkushtim klientëve, qytetarëve, komunitetit, u shërbejmë atyre me të cilët ne shkëmbehemi në rrugë, atyre që sapo dalim nga shtëpia dhe u themi mirëmëngjesi, atyre me të cilët ndajmë qytetet, atyre me të cilët ndajmë vlerat dhe jetën tonë të përditshme.

Të jesh mirënjohës është një element njerëzor, një virtyt që padyshim shqiptarët e kanë patur gjithmonë dhe do e kenë edhe në të ardhmen.

Prandaj dhe këtë vepër e kemi titulluar MIRËNJOHJE.

Çdo ditë ne punojmë, rritemi, ecim përpara, rritet biznesi, zgjerohen partnerët, stafi, miqësia, familja, shoqëria, rritet dhe zhvillohet edhe qyteti ku jetojmë dhe vjen një moment kur duhet të ndalemi, të reflektojmë dhe të jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi arritur deri më tani dhe tu themi FALEMINDERIT të gjithë atyre që na rrethojnë dhe që kanë kontribuar në zhvillimin tonë të përbashkët.

Mirënjohja dhe falënderimi duhet jo vetëm të thuhen me fjalë por edhe të shprehen me vepra. Dhe këtë ne nuk e bëjmë vetëm sot, por e kemi bërë që nga fillimi i aktivitetit tonë. Dhe nuk e kemi bërë vetëm me fjalë, por mbi të gjitha kemi folur me vepra, duke mbajtur fjalën e dhënë dhe besimin te çdo punonjës i SIGAL, tek çdo klient i ynë, duke mbajtur premtimin dhe duke u përpjekur çdo ditë për të bërë një shërbim më të mirë, më cilësor. Në 20 vite ne kemi paguar mbi 300 milionë euro dëme, duke qenë kontribues të heshtur por fjalë-mbajtës e për këtë jemi mirënjohës e u themi të gjithëve faleminderit.

SIGAL që nga krijimi i tij, që prej 1999, ka kontribuar në art, kulturë, trashëgimi kombëtare, në të gjitha disiplinat e sportit, në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin social dhe ekonomik jo vetëm të Tiranës, por pothuaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ne kemi realizuar vepra të cilat u shërbejnë qytetarëve, ne kemi ngritur peshë zemrat e mijëra qytetarëve shqiptarë në veprimtaritë e mbështetura nga ne, brenda e jashtë kontinentit sepse ne kemi qenë gjithmonë pranë të gjithëve nga pak, por gjithmonë mirënjohës ndaj secilit…

Sepse ne besojmë që një biznes të ketë sukses duhet që të kemi edhe një shoqëri të sukseshme, dhe një qytet të suksesshëm dhe një vend në progres ekonomik.

Ne, dhjetë vjet më parë u bëmë pjesë e Evropës, pjesë e një kompanie Austriake dhe prej 10 vitesh ne punojmë me standarde Evropiane.

Ne nisëm një rrugëtim me pak veta, por rreth nesh na u bashkuan shumë veta mbi 1500 punonjës e mbi 1 milion klientë. Prandaj dhe sot është momenti që të ndalemi, të kthejmë kokën pas dhe të kujtojmë të gjithë ata që ishin me ne që nga fillimi por edhe ata që na u bashkuan rrugës, sepse secili prej tyre ka dhënë një kontribut të veçantë dhe të paçmueshëm për SIGAL-in në radhë të parë por edhe për zhvillimin dhe progresin individual të tyrin por edhe dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare.

Sot unë ju them me zemër FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE të gjithë atyre që na besuan e do na besojnë, ata janë busulla jonë e orientimit.

Ndaj kjo vepër në qendër të Tiranës po ngrihet sot për të gjithë rrugëtimin 20-vjeçar e për qindra vite të tjera në rrugëtimin tonë të gjatë.

Sot u them FALEMINDERIT stafit të shkëlqyer të SIGAL që u shërben klientëve me përkushtim dhe profesionalizëm, bordit drejtues dhe bashkëpunëtorëve të cilët besuan tek ne 20 vjet më parë themelimin e kësaj kompanie, Fondit Amerikan që pati besimin e ju bashkua që nga viti 2003 kësaj kompanie, UNIQA Group Austria, kompania 120 vjeçare që është tashmë prezente në rrugëtimin e gjatë për të kapur destinacione të reja.

FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE çdokujt që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe pjesë e jetës tonë të përditshme.

Edhe njëherë Faleminderit dhe Mirënjohje të gjithëve.

 

Avni PONARI

Ceo, SIGAL UNIQA Group Austria

Shqipëri-Kosovë-Maqedoni