20 vjet AAB (Shoqata Shqiptare e Bankave)

971
Sigal

Duke përfaqësuar industrinë më të shëndoshë dhe më krenare të ekonomisë, duke promovuar standardet më të fundit bankare të anëtarëve të saj, zhvillimin, stabilitetin dhe efektshmërinë e sistemit bankar shqiptar në përgjithësi, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në partneritet me aktorët e sektorit publik dhe privat, kontribuon për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të diskutuar çështjet kyçe të industrisë, si dhe përcaktimin e strategjive të përbashkëta për sektorin financiar shqiptar

 Spiro BRUMBULLI – Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata Shqiptare e Bankave, AAB

20 vjet AAB! Vitet ikin shpejt. Nga ideja e një Klubi të Bankierëve, e diskutuar gjatë viteve 1997 – 1998 dhe krijimit të tij, në mars të vitit 1999, në kalimin shumë shpejt, vetëm 2 vjet më pas, tek Shoqata Shqiptare e Bankave – një organizatë jo fitimprurëse, e ngritur si kërkesë e fortë e problematikave të kohës.

Ishte koha e ngritjes së bankingut, e formësimit të tregut, e konturimit të tij, e uljes së peshës specifike të bankave shtetërore, e rritjes së sektorit privat, e nevojës së shëndoshjes së sistemit financiar, pas kohës së piramidave financiare; e zhvillimit të ekonomisë ku bankat janë pjesë dhe faktor i pandarë i zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

Ishte koha kur ndryshime ligjore ishin të domosdoshme, ku standardet e reja duhet të përshtateshin dhe tregu të trajnohej dhe mësohej me një mënyrë të re të bërjes biznes, të trajtimit të sektorit privat, të dedikimit, përkushtimit, ndershmërisë, integritetit, emrit të mirë. Kishte ardhur momenti që bankat të ndihmonin të tjerët dhe të ndihmonin veten.

E themeluar në një mjedis ekonomik të brishtë, me plot pasiguri, sfida dhe optimizëm, pritshmëritë nga AAB nuk ishin të pakta. Vitet e para, në mungesë të eksperiencës dhe të angazhimit maksimal të të gjithë anëtarëve, AAB duhet të bindte çdo skeptik se ky organizim ka vlerë për të përfaqësuar bankat në një zë, për të mbrojtur të drejtat e veta dhe për të promovuar standardet më të përparuara.

Me privatizimin e bankës së fundit shtetërore në vitin 2004, roli, dobia dhe funksioni i AAB-së u bë më se evident. Ishte pikërisht kjo arsyeja që, në vitin 2005, Sekretariati i AAB strukturohet sipas modeleve më të përparuara të vendeve të tjera të zhvilluara, me të cilat AAB pati fat të krijonte lidhje e kontakte që në vitin 2003, kur u pranua si Anëtare e Asociuar e Federatës Bankare Europiane, EBF.

Periudha 2005 – 2009 ka qenë një periudhë e boom-it në huadhënie. Rritje të tilla nuk ishin parë kurrë më parë në ekonominë shqiptare. Në mungesë të saktësimeve të titujve të pronësisë, të kuadrit ligjor me mangësi, të infrastrukturës pak të zhvilluar dhe të numrit të pakët të popullsisë si llogari-mbajtës pranë një banke, falë pranisë së bankave të mirënjohura ndërkombëtarisht, AAB duhet të mbështeste fort rregullimin e tregut, në bazë të një situate të re të krijuar në treg me banka tërësisht private.

Eksperienca e fituar në këto vite ishte e rëndësishme të përdorej dhe pasurohej në vitet që do të pasonin, të cilat nuk ishin më aq të lumtura. Kriza e viteve 2008 – 2009 nuk mund ta linte ekonominë shqiptare të paprekur, edhe pse vala erdhi disi me vonesë, pas vitit 2010.

Shenja më e egër ishte mos shlyerja e kësteve të huave, duke rritur portofolin e huave me probleme. Bankat, duke evidentuar rreziqet dhe llogaritur efektin e tyre, u bënë më përzgjedhëse dhe më të shtrënguara në analizën e tyre të rrezikut.

Kjo periudhë u shoqërua me shumë ndryshime rregullative dhe ligjore, ku emri “bankë” nuk ngjallte më të njëjtin respekt, si para krizës. Imazhi i bankave në vendet ku kriza filloi, preku kudo në botë emrin “bankier”. Rifitimi i imazhit dhe besimit ishte një proces i vështirë. U shtuan kërkesat rregullative për shëndoshjen e bankave, u rritën kërkesat për kapital, për kontroll dhe transparencë.

Është kjo periudhë kur AAB vendosi të publikojë revistën e saj periodike tre mujore “Bankieri” (tetor 2011). Çfarëdo që ndodhi me krizën në botë, u bë e qartë se bankat shqiptare nuk krijuan kurrsesi krizë në ekonomi, nuk kërkuan asnjë mbështetje buxhetore, nuk morën asnjë ndihmë, por aksionarët përmbushën çdo kërkesë për plotësim të kapitalit, duke ndihmuar kështu në rivendosjen e imazhit dhe emrit të mirë – proces që vazhdon me profesionalizëm dhe durim.

Interesant mbetet fakti se, në kuadrin e strategjisë së rifitimit të emrit të mirë dhe zbatimit të praktikave më të mira bashkëkohore të qeverisjes së korporatave, bankat zhvilluan si kurrë më parë përgjegjësinë sociale të korporatave, duke nënkuptuar se roli i tyre i rëndësishëm në ekonomi si ndërmjetës financiar nuk mund të ishte i plotë pa rolin plotësues në shoqëri.

Në përgjigje të kësaj dukurie të re, për herë të parë në vitin 2015, u botua raporti vjetor “CSR –  Bankat për Shoqërinë”, që i kushtohet kontributit të bankave në shoqëri. Kjo strategji e re u shoqërua me zgjerimin, përkrahjen, mbështetjen dhe vizionin e ri që krijojnë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, të vitit 2015.

Pas krizës ndërkombëtare, lindi nevoja e trajnimit të stafit të bankave, jo vetëm nëpërmjet burimeve të brendshme të çdo banke, por edhe të trajnimeve të përbashkëta me kosto më të ulët. Që nga viti 2011, AAB ka zhvilluar 204 trajnime, ku janë trajnuar mbi 2,655 punonjës banke. Për herë të parë në vitin 2018 u ofruan dy trajnime on-line për 215 punonjës.

Kështu, me kalimin e viteve misioni i AAB-së po pasurohej, po zgjerohej dhe po fitonte besueshmëri të shtuar. Që nga viti 2013, AAB përqafoi fort idenë e Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar, në mënyrë që të rritej përdorimi i kanaleve financiare nga popullsia. Në mënyrë të vazhdueshme, AAB organizon Javën e Parasë dhe veprimtari gjatë vitit me nxënës të shkollave dhe studentë, për t’u njohur me koncepte financiare bazë dhe të përparuara.

AAB është pjesë e çdo tavoline ku diskutohen projektligje, projektrregullore, projekte zhvillimore, paraqiten ide dhe propozime. Prestigji i AAB-së është i padiskutueshëm, ashtu sikundër vizibiliteti i saj është rritur me organizimin e veprimtarive, si: konferenca, forume, tryeza diskutimi dhe pjesëmarrje në media.

Duke përfaqësuar industrinë më të shëndoshë dhe më krenare të ekonomisë, duke promovuar standardet më të fundit bankare të anëtarëve të saj, zhvillimin, stabilitetin dhe efektshmërinë e sistemit bankar shqiptar në përgjithësi, AAB, në partneritet me aktorët e sektorit publik dhe privat, kontribuon për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe për të diskutuar çështjet kyçe të industrisë, si dhe përcaktimin e strategjive të përbashkëta për sektorin financiar shqiptar.

Njëzet vite nuk janë shumë, por nuk janë dhe pak. Duke u kthyer pas në vite dhe analizuar procesin e rritjes në pikën ku jemi sot, vërejmë një proces që ka pasur dhimbjet dhe vështirësitë e veta. Si çdo rritje, përtej vështirësive, të gëzon stadi i arritjeve.

Falë kontributit edhe të kryetarëve në vite, si: Seyhan Pencabligil, Christian Canacaris, Periklis Drougkas, Ardian Fullani, Edvin Libohova, Gazmend Kadriu, Libero Catalano, Giancarlo Rizzola dhe kryetarit aktual Silvio Pedrazzi, AAB është sot një nga organizatat jofitimprurëse më të organizuara, më të strukturuara dhe më profesionale. Sot ne ndihemi krenarë dhe gjithë industria bankare ndihet krenare, sepse ndihet e përfaqësuar, e shërbyer dhe e vlerësuar.

Në këtë përvjetor, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë bashkëpunëtorët tanë, brenda dhe jashtë vendit, për marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit, seriozitetit dhe përgjegjësisë së manifestuar në vite. Falënderim, gjithashtu, për të gjithë anëtarët e komiteteve teknike të AAB-së, pa ekspertizën e të cilëve do të ishte i vakët kontributi i AAB-së.

20 vjet! Dhe është gjithnjë e njëjta dilemë. Në çdo përvjetor: Mirë deri tani, po më tej? Le të ndjekim traditën tonë të mirë e të urojmë: Gëzuar, AAB! Paç jetën e gjatë! Suksese!