2 tregje të reja i shtohen Tiranës

537
Festat e fundvitit e kanë gjetur Tiranën edhe me dy tregje të reja fermerësh, për tregëtimin e produkteve vendase dhe bio. Nga sot, qytetarët e Tiranës mund të zgjedhin tregun te “Ali Demi” ose te “Xhamlliku”, ku shiten produkte të shëndetshme për konsumatorët kryeqytetas. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, gjatë inspektimit në të dyja tregjet, ftoi si qytetarët që të blejnë produkte të kontrolluara e të certifikuara nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.
“Përveçse me standarde bashkëkohore të tregtimit, në këto dy tregje ka produkte bio të prodhuara nga fermerët e njësive administrative të zonave përreth Tiranës. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të konsumojnë këto produkte bio, sepse nga njëra anë kontrolli i këtyre tregjeve nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit garanton produktet, por nga ana tjetër, duke blerë produkte vendase zhvillohet ekonomia bujqësore e fermerëve të njësive administrative të Tiranës”, u shpreh nënkryetari Seferi.

Nisma e Bashkisë së Tiranës “Duaje produktin vendas” ka për qëllim të sjellë sa më pranë konsumatorit produktet vendase të shendetshme, si dhe nxitjen dhe promovimin e ekonomisë lokale për fermerët tiranas. Sipas nënkryetarit Seferi, tashmë fermerët e zonave të Bërzhitës, Krrabës, Petrelës dhe malësisë së Tiranës (Dajtit dhe Shëngjergjit) kanë mundësi të tregtojnë këto produkte, por njëkohësisht konsumatori ka mundësi që gjatë festave të fund-vitit të konsumojë produkte bio vendase.
Tregjet e fermerëve do të jenë të hapura për konsumatorin gjatë sezonit festiv. Bashkia e Tiranës ka hartuar edhe një plan veprimi për tregjet e fermerëve, të cilat do të funksionojnë gjatë gjithë vitit si tregje të lëvizshme në zona të caktuara të Tiranës, sipas një grafiku dhe orari të caktuar për të qenë sa më pranë komunitetit.
Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi hapjen e tregut të shpendëve në Vishnje, Baldushk, ku fermerët e zonës tregëtojnë gjelin e detit. 
Sigal