2 mijë lekë nën dorë për të shkuar në tualetet e QSUT

506
Sigal

Skandalet spitalore nuk kanë të sosur, pacientët nuk
kanë ku të ankohen

Dezdemona Porja

 

Tjetër problem
në spitalin e QSUT, me pastrueset, të cilat i mbajnë të kyçura dyert e
tualeteve, për të mos lejuar të futen të bëjnë dush pacientët, të cilët
qëndrojnë me javë të tëra në ambientet e spitalit. Pastrueset marrin lekë për
të hapur tualetet që pacientët të bëjnë dush. 
Pacientët e kanë të nevojshme dhe kjo është një gjë e domosdoshme për
çdo njeri. Por tualetet rrinë të mbyllura me çelës dhe, nëse pastrueseve iu jep
para ato të shërbejnë për çdo gjë. Si ka vajtur halli, edhe dushet që janë të
nevojshëm, duhet paguar me lekë në dorë, përndryshe lahu tek ura e Lanës.

Një zotëri nga
Divjaka kishte gruan në reanimacion dhe kishte 4 ditë që rrinte në spital. E
pyetëm për gjendjen dhe na tha që “ku të mbytem, ku të iki, këtu s’të lënë të
bësh dush. Nëse nuk paguan, nëse nuk i jep ndonjë lekë pastrueseve, nuk i hapin
tualetet. Do bëj si do bëj, do duroj. Ishalla më shërohet gruaja dhe të iki në
shtëpi me vrap, këtu nuk rrihet asnjë sekondë, vjen për t’u shëruar sëmuresh më
shumë”.

Mjekët kërkojnë
para

Gjithashtu një
paciente tjetër nga Lushnja, edhe ajo ka shumë ditë që është e shtruar në
spital dhe po pret që të bëhet operacion. Mjeku kirurg i ka kërkuar lekë për
operacioni. Infermieret dhe kryeinfermieret edhe këto kanë marrë lekë në
spitalin e QSUT. “Po ju dhe lekë, të shërbejnë e të rrinë mbi kokë, nëse nuk iu
jep s’të shohin fare, të lënë aty të vuash”, tha qytetarja A. N.

Ndërkaq në
repartin e Urgjencës vijnë radhët e shumta të pacientëve, ku një pjesë e tyre
rri brenda dhe një pjesë tjetër ndodhet jashtë portës kryesore. Drejtues të
QSUT kanë thënë, se ky grumbull vjen, ngaqë nuk janë vetëm të sëmurë nga
Tiranë, por edhe nga qytete të tjera të vendit, madje edhe nga Kosova dhe
Maqedonia. Secili prej tyre ka ankesa për këto radhë, të cilat shkojnë sa për
rojet private, për sanitarët dhe infermierët e deri te mjekët. Vështirë se gjen
një person që të mos pohojë, se paguan për gjithçka që bën në mjediset
spitalore.

Spitalet publike
vijojnë të mbeten një shqetësim i madh për të gjithë. Prej vitesh duket sikur ato
gjithmonë kanë shkuar drejt përkeqësimit dhe jo të përmirësimit të kushteve.