18 mijë banorë të Gramshit humbasin lidhjet me “botën”

912
Një tjetër urë ndoshta e fundit e mbetur në këmbë është rrëzuar nga gërryerja e ujrave të lumit në fshatin Gribë pjesë e Njësisë Administrative të ish-Komunës Kukur, sot e Bashkisë Gramsh. Ishte ura e rradhës dhe ndoshta e fundit pasi të tjerat janë prishur ose kanë dalë jashtë funksionit të tyre. Mbi 18 mijë banorë të afro 10 fshatrave, ata kanë mbetur pa energji elektrike, pa telefoni, pa shkolla, kopshte, çerdhe, jetë tregëtare dhe shoqerore, duke u izoluar plotësisht nga pjesa tjetër e vendit, dhe pse edhe e botës. Kjo pasi dje qindra banorë të fshatrave Gribë dhe Kukur, ankoheshin pasi nuk lidheshin në celularë as me të afërmit e tyre që kishin jashtë shtetit për ti dhënë lajmin e keq. Prej mëngjesit të ditës së enjte edhe ura e Gribës, e cila ishte ndërtuar qysh para 33 vitesh, është shembur nga amortizimi, mungesa e investimeve, e kujdesit nga qeveria dhe vërshimi i ujrave. Disa banorë të Kukurit dhe Gribës i deklaruan “Telegraf” se “jemi kthyer si në mesjetë, bile më keq akoma, nuk kemi as rrugë, as ura, as dyqane dhe produkte ushqimore, kemi kontakte vetëm me ajrin dhe qiellin, telefonia nuk na punon, energjia elektrike mungon, kemi vetëm pak dru zjarri dhe disa kg miell për të mbajtur frymën gjallë, shteti mungon dhe as ka shanse të na afrohet”. 
Situatë kaotike
Banorët e zonave të izoluara të Kukurit dhe Gribës, u janë bashkuar atyre mijëra banorëve të qytetit dhe zonave të tjera të rrethit, që kanë mbetur pa ndihma dhe rrugë të komunikimit rrugor dhe satelitor. Dhjetra makina që ishin nisur dje paradite drejt Gribës dhe Kukurit, kanë mbetur të bllokuara përtej urës, e cila ishte rrëzuar ndoshta qysh gjatë natës, dhe kanë pritur ndihma nga Bashkia apo qeveria. Çdo gjë ka qenë e kotë. Edhe autobuzët e arsimtarëve janë kthyer, duke lënë pa mësim qindra nxënës shkollash të 10 fshatrave të asaj zone. Situata në Gramsh mbetet kaotike dhe e pashpresë për mijëra banorë të mbetur nën mëshirën e fatit, pa rrugë, ura, energji elektrike, dhe sinjal telefonik. Rënia e urës së Gribës, duhet të jetë sinjali i fundit për ministrat e qeverisë Rama, të cilët duhet të nisen me urgjencë drejt Gramshit, tu hipin helikopterave dhe të ndalen gjatë në rrethin e izoluar dhe të mbetur si në çark. Banorët e Gribës, Kukurit, Skenderbagasit, Shënepremtes, Kotovjatit, Shushicës, dhe dhjetra fshatrave të tjera, presin ministrat e Transportit, Energjitikës dhe Shëndetsisë për t’i ardhur në ndihmë, presin deputetin e tyre për t’i shpëtuar nga përmbytjet, për t’i rregulluar linjat telefonike dhe elektrike dhe për t’i siguruar furnizimet me ushqime dhe ilaçe. Situata në Gramsh mbetet alarmante, por deri sot nuk shihet asnjë lëvizje dhe asnjë sinjal ndihme nga qeveria, e cila duket se e paska fshirë fare nga harta e saj qytetin që në çdo zgjedhje merr të paktën 25 mijë vota majtas. 
Alma JONUZI

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.01.2016
Sigal