18-19 shtator: Stuhia e frikshme diellore dhe teknologjia “në gjunjë”

Brenda pak ditësh, një grup njollash diellore u krijuan papritur, dhe më pas shpërtheu një stuhi magnetike, e cila gjunjëzoi teknologjinë e kohës dhe hodhi në erë aksione të shumta ushtarake

Natën midis 18 dhe 19 Shtatorit 1941, Toka pësoi një nga stuhitë më të dhunshme magnetike të regjistruara ndonjëherë.

Ajo erdhi në një kohë kur radio dhe teknologji të tjera po futeshin në jetën e përditshme, ndërsa pjesa më e madhe e planetit ishte në mesin e Luftës së Dytë Botërore. Atë natë dhe ato që pasuan, aurorat “vallëzonin” në qiellin e natës, në lartësi shumë të ulëta.

Linjat e energjisë elektrike në SHBA përjetuan luhatje të forta; një black-out ndërpreu një radiotransmetim të shumëpritur (një ndeshje bejsbolli), ndërsa frekuenca e një radioje u “pushtua” nga bisedat telefonike të qytetarëve të cilët, pa e ditur, po i tregonin botës aventurat e një nate më parë.

Në Oqeanin Atlantik, aurorat ndriçonin përnatë anijet e aleatëve në lundrim, në atë që duhej të ishte një aksion lufte.

Në fillim njollat, më pas shpërthimi.

E gjitha filloi më 10 shtator, gjatë periudhe së rënies të ciklit numër 17 të Diellit, kur astronomët vunë re një grup të madh njollash diellore, në skajin lindor të yllit.

Në ditët që pasuan, njollat erdhën e u zmadhuan në dimensione, duke iu afruar qendrës së diskut diellor. Tashmë mund të shiheshin edhe me sy të lirë.

Më 17 shtator, në orën 8:38 Observatori i Grinuiçit regjistroi një shpërthim diellor pak mbi vendin ku ndodheshin njollat, dhe në orën 16:26 pati një tjetër shpërthim.

Departamenti i Magnetizmit Tokësor (Institucioni Carnegie i Uashingtonit) lëshoi ​​një deklaratë për të paralajmëruar për pasojat e mundshme për pajisjet radiofonike.

Reaksion zinxhir

Pas më pak se 20 orësh nga sinjalizimi, stuhia magnetike mbërriti në planetin tonë duke shkaktuar probleme që u regjistruan prej të gjithë observatorëve në tokë.

Qiejt e natës u ndezën prej aurorave boreale të pabesueshme, në lartësi të paprecedenta: ka dëshmi për aurora që shpërthyen në qiell deri në Nju Meksiko, dhe në masa të ndryshme në të gjithë SHBA. Të shumtë ishin ata që menduan për veprime luftarake me armë të reja.

Aurorat ndriçuan edhe qiejt mbi Evropë, deri në Leningrad. Në veri të Atlantikut, në lindje të Grienlandës, anije të shumta lufte që manovronin në errësirë dolën zbuluar, duke e bërë të kotë çdo aksion.

Është e mundur që SC44 Corvette HMC Levis, një luftanije kanadeze, u mbyt nga një nëndetëse gjermane pikërisht për shkak se u zbulua në natën e ndezur nga aurorat.

 Kjo faqe e historisë dhe e shkencës, pak e njohur në krahasim me Stuhinë Magnetike të vitit 1859 (ngjarja Carrington) për shkak të kohës së luftës, ende tregon se çfarë mund të ndodhë në botën teknologjike të sotme, nëse Toka do të goditet nga një stuhi magnetike me intensitet të lartë. / Focus