1700 minatorë të Përrenjasit marshim drejt Tiranës për Statusin e tyre

672
Nga Lindita MALO
Do të protestojnë përballë kryeministrisë, duke ngritur çadrën kundër varfërisë dhe mohimit të të drejtave sociale
– Kreu shoqatës së minatorëve: “Javën tjetër drejt Tiranës, qeveria po mbush me helme minierat e braktisura”
E ndërsa 1700 minatorët e zonës së Përrenjasit, të katër pikave minerare si Pishkashit, Katjelit, Alarupit dhe minierës së Përrenjas-Qytet, po bëhen gati për nisjen e protestës për vonesat e marrjes së statusit të minatorit dhe pensioneve, duket se janë hedhur sërish hije dyshimi lidhur me tunelet e braktisura. Burime nga Përrenjasi dhe fshatrat ku shtrihen ish-zonat minerare i thanë “Telegraf” se “qysh nga viti 1992 kur ne u braktisëm nga shtetit asaj kohe, ne kemi punuar si kafshët duke gërmuar me mjete dhe krahë për të gjetur dhe shitur mineral kromi sa për të mbajtur frymën gjallë. Gjithë qeveritë e 26 viteve na kanë mashtruar, na kanë gënjyer dhe janë tallur me ne, kurse kjo e Rilindjes ishte tmerri ynë, kur së fundi na tha se “do t’ju japim statusin e minatorit”, por deri sot ne nuk kemi asgjë konkrete të paktën ne 1700 minatorët e zonave Alarup, Katjel, Pishkash dhe ata që kanë punuar si skllevër në minierën e qytetit Përrenjas-Qytet, e cila ka mbi 25 vjet që është braktisur dhe shënon viktima akoma”. Por një tjetër burim që i referohet E. Murrashit një minator prej 37 vitesh në ato zona, tregon se aktualisht situata atje mbetet kritike. Sipas zotit Murrashi “ mirë që shteti na ka braktisur, mirë që shteti na ka mashtruar dhe vrarë sepse numërohen me qindra viktima në 26 vjet vetëm në minierat tona, që kanë lënë kockat dhe janë të gjithë hallexhinj, por nuk na dhanë as statusin e minatorit, na gënjyen dhe tani duan të vijnë edhe të na marrin edhe votat, por le ta provojnë”. Sipas tij “Shoqata e Minatorëve të Kromit Përrenjas do të marshojë drejt Tiranës dhe do të ngrejë çadrat tek Kryeministria sepse po vdesim për bukën e gojës. Edhe ato pak miniera të braktisura tani thuhet se po mbushen me helme kimike dhe po betonohen, duke na prerë burimin e jetesës, jemi të papunë, të pashpresë, kurse qeveria e Rilindjes tani na helmon edhe nëntokën. Prej 1 viti jemi pa ujin e pijshëm, sepse nuk u riparua rrjeti ujësjellësit, dhe tani mbushim ujë në kanalin vaditës, ja kjo është situata tek ne”. Të gjithë 1700 minatorët e zonës minerare të Përrenjasit, kanë hartuar dhe nënshkruar listat e tyre emërore, dhe janë gati për marshimin drejt Tiranës, për të finalizuar kërkesat e protestës tyre. Duke mos kërkuar mbështetje dhe ndërhyrje politike, ata kërkojnë nga qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre, por edhe denoncimet e tyre lidhur me keqpërdorimin e pushtetit deri tek mbushja dhe dyllosja e tuneleve të braktisura me ngarkesa të dyshimta, që thuhet se “janë ndoshta helmet e ardhura nga përtej detit”. Të katër zonat minerare të Përrenjasit jetojnë prej 26 vitesh nën darën e problemeve të shumta sociale, shëndetësore, mjedisore, ndërkohë që, në rast se është i vërtetë dyshimi i tyre, ata këtej e tutje do të jetojnë edhe nën kërcënimin e helmeve kimike, që ndoshta një ditë do të ndotin gjithçka nëntokë. Banorët në ato zona ankohen se “nuk kemi ujë, nuk kemi qendra shëndetësore, nuk kemi vende pune, nuk kemi çerdhe, kopshte dhe shkolla”, ndërkohë që shpresat e tyre për ndryshimin e situatës mbeten pothuajse zero. Ata kanë vendosur ti fitojnë të drejtat e tyre vetëm me anë të protestës në dyert e kryeministrisë, vetëm me anë të denoncimeve të qeveritarëve, ministrave dhe sekserëve të tyre, që në afro 4 vjet e rrënuan më keq Përrenjasin, jo vetëm duke privatizuar pikat minerare sipas interesave të tyre, por edhe duke helmuar së fundi edhe ajrin, ujin dhe tokën e të mbjellave të tyre të pakta. 
Sigal