17 dhjetori i vitit 1920 – ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë

1119
97-vjetori i pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve
Lidhja e Kombeve u krijua më 10 janar 1920, me vendim të Konferencës së Paqes në Paris. Misioni i saj do të ishte ruajtja e paqes në botë, përmes parandalimit të konflikteve mes shteteve,çarmatimit,sigurimit kolektiv, negociatave mes palëve në konflikt dhe arbitrazhit ndërkombëtar.

Pranimi i Shqipërisë në këtë institucion ishte produkt i dy faktorëve madhorë. Së pari, i përpjekjeve shumë të forta të shqiptarëve. Në planin e brendshëm, për të ngritur institucionet e shtetit të tyre të rrënuara nga lufta dhe pushtimi i huaj dhe në atë ndërkombëtar, për të arritur rinjohjen e kufijve dhe statusin e Shqipërisë si vend i pavarur. Dështimi i përpjekjeve një vjeçare të qeverisë së Durrësit në Konferencën e Paqes në Paris dhe zbulimi i marrëveshjes së fshehtë Titoni-Venizellos, ku qeveria italiane dhe greke, zotoheshin të mbështetnin njëra tjetrën në pretendimet e tyre për trojet shqiptare, bëri të qartë para elitave të vendit,se copëtimi i Shqipërisë mund të ndalej vetëm prej shqiptarëve, me qëndrim të vendosur, deri në ballafaqim ushtarak. Kjo ide u jetësua me dy zhvillime madhore,politike dhe ushtarake, përkatësisht me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Strukturat shtetërore të dala nga Kongresi i Lushnjes,bazoheshin në konceptin e përparuar, të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe ishin të ligjëruara juridikisht përmes një Akti Kushtetues. Në pak muaj qeveria e Kongresit, vendosi me forcë rendin publik,futi nën kontroll pjesën më të madhe të vendit dhe bëri përpjekje serioze për ngritjen e administratës shtetërore. Çdo sukses u arrit kundër vullnetit,presionit dhe sabotimeve të komandës ushtarake italiane në Shqipëri. Lufta e Vlorës, që çoi në bashkimin e Vlorës me Shqipërinë dhe në largimin e trupave ushtarake italiane nga vendi,bëri që qeverinë e Sulejman Delvinës praktikisht, të ishte i vetmi autoritet shtetëror në Shqipëri. Këto dy ngjarje, manifestuan qartë para botës mbarë, aftësitë shtetformuese të shqiptarëve dhe vullnetin e tyre të patundur,për ta bërë vendin të pavarur. Faktori i dytë vendimtar,lidhet me evoluimin gradual të qëndrimit amerikan dhe britanik pro Shqipërisë si pasojë e njohjes gjithmonë më të mirë të çështjes shqiptare dhe qëndrimit objektiv të ekspertëve të tyre. Në janar 1919, Jozef Haven, i dërguari i presidentit Willson, udhëtoi në Shqipërinë e jugut, për të verifikuar në vend pretendimet greke. Haven shkoi në Vlorë,Tepelenë,Gjirokastër,Përmet, Korçë dhe Delvinë, mblodhi informacion, mori kontakt me palët e interesuara dhe misionet fetare amerikane në këto zona. Në fund hartoi një raport tërësisht në favor të Shqipërisë. Ndikim të madh në ndryshimin pro shqiptar të Britanisë,do të kishte raporti i grupit të ekspertëve, të drejtuar nga majori Barnes. Mbështetur në faktore etnografike dhe ekonomike, ata konsideronin,që një shtet shqiptar i qëndrueshëm ekonomikisht,duhet të kish brenda kufijve të tij, trevat shqiptare të Hotit,Grudës,Plavës, Gucisë dhe Ulqinit. Projekti i tyre e vinte Shqipërinë nën varësinë e Lidhjes së Kombeve,të drejtuar nga një mbret ,që do të ishte Duka i Abruceve. Në këtë përfundim arrinte për jugun e Shqipërisë edhe diplomati tjetër britanik, Eyers. Përkundër pretendimeve greke, Eyers konstaton se ortodoksët shqiptarë në jug, jo vetëm ishin realitet, por ishin shumicë dominuese dhe mbështetës të qeverisë së Tiranës. Ai “ konsideron, se një shtet shqiptar pa jugun, do të privohej nga forcat më progresive të vendit dhe nga burime të ardhurash të rëndësishme.”Nuk mungoi edhe mbështetja e personaliteteve të veçantë për vendin tonë. Papa Benedikti XV dhe Lordi britanik Obri Herbert, ishin zëra të fortë pro Shqipërisë. Të gjithë këta faktorë bënë që në fund të v.1920, opinioni publik britanik ta konsideronte Shqipërinë “një rast moral”dhe të kërkonte nga qeveria e Lloid Xhorxhit, mbështetje për të. Kthesa vendimtare pro Shqipërisë do të vinte me notën e qeverisë amerikane, drejtuar Konferencës së Paqes, më 6 mars 1920. Me tone të rrepta paralajmëruese, nota theksonte se “as Presidenti dhe as populli amerikan ,asnjëherë nuk do të jepnin pëlqimin që kombi shqiptar, që kish luftuar dymijë vjet për lirinë e vet, të sakrifikohej për ambiciet politike të fqinjëve.”Tre muaj më pas, qeveria italiane deklaroi tërheqjen nga kërkesa për protektorat mbi Shqipërinë. Nisur nga trendi i ngjarjeve, konkludohet, se ishte Lufta e Vlorës, që praktikisht mbyll kapitullin e ndarjes së vendit dhe hap atë të njohjes ndërkombëtare të tij. Më 15 nëntor do të mblidhej në Gjenevë Asambleja e Lidhjes së Kombeve. Shtetarët shqiptarë e vlerësuan rastin si mundësi për anëtarësimin e vendit në këtë institucion. Në rast suksesi, pranimi do të ishte një mjet i fortë politik për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë,deri atëherë, e panjohur nga asnjë shtet. Qysh më 12 tetor qeveria shqiptare kish dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim, pranë Sekretariatit të Lidhjes. Nisur nga rëndësia e çështjes, Iliaz Vrioni, kryeministri i vendit, caktoi në krye të delegacionit Fan Nolin, i evidentuar tashmë si personalitet i shquar. Delegacioni shqiptar paraqiti në Sekretariatin e Lidhjes dokumentet që provonin ekzistencën e shtetit shqiptar para Luftës dhe një memorandum,që përbënte një platformë të plotë juridike për zgjidhjen e çështjes. Ai argumentonte se Shqipëria nuk ishte shtet i ri, i krijuar pas Luftës. Ajo ishte njohur më 1913, ishte institucionalizuar më 1914 nga Fuqitë e Mëdha, që kishin krijuar dhe miratuar institucionin e Princit dhe vetë Princin, si dhe Statusin Themeltar të Shtetit Shqiptar, ndaj nuk kish nevojë për njohje të re. Gjithashtu, qeveria aktuale shqiptare, kish dalë nga një Asamble Kombëtare si shprehje e vullnetit të popullit, gëzonte mbështetjen e tij dhe kontrollonte pjesën më të madhe të vendit. Kërkesa e Shqipërisë u shqyrtua më 4 dhjetor në Komisionin e Pestë të Lidhjes. Rasti i Shqipërisë do të vinte përballë diplomacinë klasike, përfaqësuar nga francezi Rene Vivian, me atë të re, bazuar në parimet wilsoniane, mishëruar në figurën e Lordit Robert Sesil, delegat i Afrikës së Jugut. Në mbledhjen e Komisionit, Vivian u shpreh se” Fuqitë e Mëdha nuk e kishin përcaktuar ende statusin e Shqipërisë, ndaj pranimi, do të ishte një sfidë ndaj tyre”. Delegati grek pretendoi se qeveria shqiptare nuk ishte njohur nga e gjithë popullsia vendase dhe se kufijtë e Shqipërisë të v. 1913, nuk u caktuan në terren. Sipas tij, Traktati I v.191 e bënte të pavlefshëm atë të v. 1913. Në vazhdim, delegati serb deklaroi se” lufta dhe pushtimi e kishin zhbërë Shqipërinë dhe ajo ishte thjesht një embrion shteti.” Pavarësisht argumenteve të Nolit dhe të Lordit Sesil, më 13 vota kundër dhe 8 vota pro, Komisioni e rrëzoi kërkesën e qeverisë shqiptare. Më 17 dhjetor kërkesa e Shqipërisë,u rimor në shqyrtim nga Asambleja e Lidhjes. Mbledhja u hap me fjalën e Lordit Sesil që u shpreh, se nuk është lajm i mirë për reputacionin e Lidhjes, njoftimi i gazetave, që Fuqitë e Mëdha po i imponohen Lidhjes për mos pranimin e Shqipërisë. Vendimet e Lidhjes duhet të bazohen, vetëm në kuadrin ligjor përkatës. Në vazhdim, Sesil argumentoi juridikisht problemin delikat të njohjes së një shteti, të njohur më parë ndërkombëtarisht, me atë të njohjes së qeverisë së tij aktuale. Ai arsyetoi se vendimi i një grupi shtetesh, kushdo qofshin ato, nuk mund të abrogonte një traktat të nënshkruar nga fuqi të tjera, sepse” kjo do të shkallmonte themelet e të Drejtës Ndërkombëtare, karakterin e shenjtë të traktateve, vetë parimet mbi të cilat ishte ndërtuar dhe funksiononte Lidhja e Kombeve”. Duke kundërshtuar thëniet e delegatit serb, se” Shqipëria ishte çbërë nga lufta dhe pushtimi”. Sesil u shpreh, se një shtet i njohur më parë ndërkombëtarisht, nuk mund të zhduket nga pushtimi, përsa kohë shtetasit e tij ruanin ndërgjegjen kombëtare dhe aspironin për ekzistencë të pavarur. Ndryshe, shumë shtete të tjerë, që kishin qenë nën pushtim të huaj dhe që ishin aktualisht anëtare të Lidhjes, nuk duhet të ishin pranuar. Shqipëria përbënte qartësisht një rast të tillë. Sesil e konsideroi patriotizmin dhe dëshirën e shqiptarëve për pavarësi, të njëjtë me atë të francezëve dhe zviceranëve. Pasi vlerësoi pozitivisht organizimin e strukturave të shtetit shqiptar. Sesil solli në vëmendjen e Asamblesë, se katastrofa e Luftës kish nisur në Ballkan.” Asgjë nuk është më thelbësore për paqen evropiane, se rregullimi çështjeve të Ballkanit”, deklaroi Sesil. Ndaj pranimi i Shqipërisë në Lidhje, do ti shërbente forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Idealist, i vendosur në drejtësinë e çështjes që mbronte, argumentues dhe elokuent, Sesil, një ndër njerëzit më të shquar të kohës, (fitues i çmimit “Nobel për Paqen” në v.1937) kish bërë të vetat, parimet e barazisë së shteteve, të vetëvendosjes dhe të lirisë. Me fjalën e tij, Sesil ia doli të përmbyste votimin e mëparshëm. Më 35 vota pro,7 abstenime dhe asnjë votë kundër, Shqipëria u bë e 43 anëtare e Lidhjes së Kombeve. Ky pranim ishte prelud i njohjes ndërkombëtare të qeverisë shqiptare. Më 7 nëntor 1921, qeveria e Britanisë, njoftonte kryeministrin Pandeli Evangjeli se “nga ky çast, njeh qeverinë aktuale të Shqipërisë, si de jure dhe de facto, si qeveri e të gjithë Shqipërisë”. Dy ditë më vonë, erdhi njohja edhe nga qeveria italiane dhe franceze. Brenda v. 1922 përfundoi tërheqja e trupave jugosllave dhe greke nga Shqipëria. Epilogu i kalvarit shqiptar, do të ishte 30 korriku i v. 1926, kur Britania, Franca dhe Italia, së bashku me Greqinë dhe Jugosllavinë, firmosën marrëveshjen përfundimtare që njihte kufijtë e Shqipërisë. 

Vilson HAXHIRAJ 

Sigal