15 vjetori i krijimit të institucionit:Avokati i Popullit nuk është opozitë, është institucion oponence

815
Sigal

Sot është 15 vjetori i institucionit të Avokatit të Popullit. Igli Totozani, Aokati i Popullit në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” bën një bilanc të aktivitetit, duke evidentuar rolin në rritje të institucionit Avokati i Popullit në mbrojtje të të drejtave të Njeriut, por edhe më një cilësi të re, që ka fituar në këto 3 vjetët e tij. Ka promovuar edhe kulturën demokratike. Një tjetër sfidë që është arritur nga Totozani, është se institucioni Avokat i Popullit, ka ruajtur pavarësinë dhe paanësinë politike, duke u rritur në besimin e njerëzve dhe qytetarëve. Gjithashtu, sot Avokati i Popullit, siç pohon edhe zoti Totozani, është institucioni ndoshta i vetëm në Shqipëri që përfaqësohet në të gjitha institucionet drejtuese ndërkombëtare, madje,  së fundi është zgjedhur president i Ombudsmanëve të Mesdheut, organizatë që u krijua në 2008-n dhe ka 28 anëtarë.

-Zoti Avokat i Popullit, Totozani, përse sot është një ditë e veçantë për institucionin tuaj, dhe për ju vetë, por edhe për shqiptarët? Çfarë është institucioni i Avokatit të Popullit?

– Avokati i Popullit është, me një fjali të vetme veshi që dëgjon qytetarët dhe që të nesërmen bëhet zëri i qytetarëve që nuk kanë zë. Është përcjellësi i problemeve të qytetarëve, ndërmjetësi i zgjidhjes së tyre, me administratën publike. Është një institucion që kujdeset në krijimin e një kulture e të drejtave të njeriut në vend, është një institucion që kujdeset në parandalimin e shkeljes të të drejtave në Shqipëri, gjithashtu është një institucion që mbron të drejtat e qytetarëve.

Sot shqiptarët sa kanë besim tek institucioni i avokatit të popullit dhe sa e konsiderojnë  atë që është avokat i të drejtave të tyre.

– Dua të them me kënaqësi, që ky institucion gëzon besimin e qytetarëve dhe ky vihet re, në rradhë të parë,  nga numri i kërkesave të qytetarëve që vinë tek ne. Ky numër ka ardh gjithmone duke u rritur, pra tashmë 4000 ankesa në vit për Avokatin e Popullit janë të natyrshme, që është një shifër e madhe duke pasur parasysh në raport me popullsisë dhe në krahasim me avokatët e popujve të tjerë. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët tanë e konsiderojnë institucionin tonë si avokatin e tyre, ndonjëherë dhe duke e keqkuptuar si avokat privat, por natyrisht që ne i shpjegojmë, por e rëndësishme është që e konsiderojnë si avokatin e tyre, sepse është vazhdimisht përkrah tyre në hallet, në problemet, që ata kanë dhe në interesat e ligjshme që u shkelen herë pas here nga administrate publike. Gjithashtu, dhe sukseset që ka arritur Avokati i Popullit në këtë punë të tij janë një arsye më tepër që qytetarët këtij institucioni t’i besojnë. mund të them sot me krenari që mund të konsiderohet pas 15 vitesh një institucion i konsoliduar, ku shumica e stfit të institucionit të popullit ka filluar punë aty dhe disave ka filluar t’u vij dita e pensionit, pra ndryshe nga i institucionet e tjera, apo me çfarë jemi mësuar në Shqipëri, që me ndërrimin e qeverive ndërrohen dhe stafet, ky është një staf i stabilizuar dhe që ka punur prej 15 vitesh në këtë institucion.

-Cilat janë risitë që solli i institucioni i avokatit të popullit në jetën e shqiptarëve, apo dhe në jeten juridike të vendit?

– Risitë janë të shumta, duhet të kemi parasysh që nëse do lexojmë sot disa nga debatet kushtetuese të vitit 98, baballarët e Kushtetutës ende nuk e njihnin mirë Avokatin e Popullit, bile kishin hipoteza të ndryshme, dikush e mendonte një avokat me një çantë, dikush a duhet të kishte zyrë. Pra,  duhet thënë që dhe Avokati Popullit si çdo ligj, apo institucion tjetër i demokracisë ka ardhur në Shqipëri i importuar nga jashtë, si koncept dhe paradoksi shqiptar dhe jo vetëm shqiptar, por i të gjithave vendeve komuniste, është se shumë ligje të demokracisë, por dhe institucionet e demokracise, kanë ardhur jo thjesht si një nevojë e brendshme, të një pjekjeje, ose maturie të kulturës demokratike në vend, por si rezultat i një impakti, ose kërkese, që ka ardhur nga Europa, që kushtëzonte reforma të ndryshme në Shqipëri. Paradoksi tjetër, i dytë është, gjithashtu interesant, që Avokati i Popullit është një institucion që mbron të drejtat e njeriut dhe ka mbërritur në Shqipëri përpara se të mbërrijë mentaliteti, apo kultura e të drejtave të njeriut, kështu që sfida është shumëplanëshe në këtë institucion kështu që shpesh na duhet që nga njëra anë të kritikojmë administratën publike dhe nga ana tjetër, të jemi ndërmjetësuse ndërmjet qytetarëve dhe administrates, që kemi kritikuar. Nga ana tjetër, na duhet që të përhapim kulturën e të drejtave të njeriut, përpara, ose paralelisht me mbrojtjen e këtyre të drejtave. Kuptoni, pra që sfidat janë të natyrave nga më të ndryshme, por ka dhe sfida të tjera, më konkrete, që në njëfarë mënyre janë me të vërtetë kokëforte në jetën dhe punën e një Avokati të Popullit, është jeta politike në vend, jeta institucionale në vend, në një vend, që siç thamë, ligjet dhe funksionet janë demokratike, por kultura demokratike është ende e mangët. Sfidë e madhe dhe vështirësi të madhe krijon poliarizimi i madh i shoqërisë, politizimi i shoqërisë i çdo gjëje, që egziston në këtë vend dhe kjo është një sfidë e madhe e një institucioni, që nuk do të mund të mbijetojë dhe të jetë i besueshëm për qytetarët, nëse nuk do të jetë i paanshëm. Në çdo fenomen, apo në çdo ngjarje që ka tendencë që të politizohet, ne duhet të jemi një institucion që lëviz në një file të hollë ekuilibri, për të qenë të besueshëm nga të gjitha palët dhe mbi të gjitha të pavarur nga të gjitha palët në vendimmarrjen që duhet të marë. Puna e Avokatit të Popullit është shumë e vështirë, me shumë sfida dhe që kërkon shumë pasion, mature, kërkon rezistencë, qëndrueshmëri, forcë, vullnet. I ka të gjitha këto elemente.

Avokati i Popullit e ushtron aktivitetin dhe detyrën e vet në mbështetje të ligjit për avokatin e popullit. Sa demokratik është ligji për avokatin e popullit dhe sa liri ka vetë ligji i Avokatit të Popullit?

– Ka dhe një paradoks tjetër interesant, që është emri me kompetencat. Avokti i Popullit  është një emër i madh, për mendimin tim, është një nga institucionet më të bukura që ka një vend demokratik, sepse je një ëngjëll mbrojtës për të gjithë qytetarët, që ju shkelen të drejtat, por ky ëngjëll i madh, ky institucion i rëndësishëm me këtë emër të madh përkthehet në leksikun juridik, apo në ligjin që e organizon atë , në një numër shumë të reduktuar kompetencash dhe mundësi jo të mëdha për t’i zgjidhur, për të pasur forcën e duhur. Akti i vetëm juridik, që ne kemi në dorë, më praktiku,  është rekomandimi, i cili nuk është i detyrueshëm në një vend si Shqipëria, ku dhe vendimet gjyqësore, të cilat janë automatikisht të detyrueshme  dhe kanë forcën e ligjit nuk zbatohen. Imagjinoni ju tani se sa e vështirë është puna e institucionit tonë. Është një paradoks, që e ndjejmë çdo ditë në punën tonë, emrin e madh, i cili  i afron automatikisht qytetarët tek ne dhe mundësitë tona për të mbrojtur të drejtat e tyre. U bë një reformë, e cila nuk na kënaqi si institucion, nuk arriti të krijonte ato standarte që kërkohen në Europë. Ka nevojë për një reformë më të madhe të institucionit të Avokatit të Popullit në kompetencat e tij, ato duhet të forcohen dhe fuqizohen në përshtatje me mjedisin shqiptar, ekonomik, politik, ekonomik, social, institucional.

– Ju çfarë mund të propozonit për të rritur edhe më tej dhe nga ana juridike  rolin e institucionit të Avokatit të Popullit?

– Besoj që rekomandimet e avokatit të popullit do duhej të ishin të detyrueshme për zbatim. Avokati i popullit është një instrument i demokracisë, por që të mbijetojë kërkon mikroklimën e tij, sepse është një instrument kulture demokracie. Ka 200 vjet që është krijuar në Suedi dhe vazhdon sot e kësaj dite. Edhe atje rekomandimet nuk i ka të detyrueshme, por është kultura e administratës publike, politike e institucioneve shtetërore, të cilat i pranojnë me zell orientimet që jep Avokati i Popullit, sepse janë të argumentuara dhe, së dyti, përfaqësojnë zërin e qytetarëve. Në një vend si Shqipëria, siç e thashë, kjo kulturë demokratike është e mangët dhe në këtë kuptim nevojitet që mjetet ligjore të Avokatit të Popullit të forcohen më tej, në përshatje me kushtet e mjedisit, ku ai jeton. Për fat të keq, u humb një rast për ligjin e Avokatit të Popullit, që kjo të ndodhte, por, natyrisht, jam shpresëplotë, që kjo gjë të rimendohet dhe të realizohet sërish nga institucioni, por edhe nga institucionet e tjera, sidomos nga Parlamenti, në mënyrë që të fuqzohen më tej kompetencat e tij, për ta merituar emrin e madh që ka dhe ëpr të cilin qytetarët i besojnë dhe i drejtohen.

– Ju jeni përfaqësues i  Ombudsmanëve të Mesdheut. Është thjesht një detyrë e zakonshme për ju, apo edhe një vlerësim dhe obligim për institucionin që ju përfaqësoni?

– Avokati i Popullit është anëtar i të gjitha bordeve drejtuese të të gjitha organizatave ndërkombëtare të Ombudsmanëve. Ne jemi një nga 16 anëtarët e bordit të Institutit ndërkombëtar të Kordinimit të institucioneve të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Së fundi është zgjedhur president i Ombudsmanëve të Mesdheut, organizatë që u krijua në 2008-n dhe ka 28 anëtarë. Të gjitha këto tregues kanë një arësye, që Avukati i Popullit është evidentuar në këto 3 vitet e fundit. Kjo u arrit për shkak të rritjes të rolit të brendshëm dhe të jashtëm, ndërkohë që drejton rrejtin ballkanit të Ombudsmanëve, rrjetin  ballkanik të mekanizmave  për parandalimin e torturës dhe është anëtar i bordit të Europës për të gjithë organizatën më të madhe të Ombudsmanit, e cila është IOI. Avokati i Popullit ka rol të dëndur  dhe shumë të madhnë arenën ndërkombëtare. Kjo prezencë e dukshme e Avokatit të Popullit në mjediset ndërkombëtare është gjë shumë e mirë edhe për vetë vendin, por edhe për popullin tonë, sepse është një nga shembujt e vetëm, që një titullar i një institucioni shqiptar merr pjesë aktive në këto organe ndërkombëtare. Gjë, që ka impakt të drejtpërdrejtë edhe në mbrojtjen e në respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri. Por, edhe këtu, si çdo gjë, me zhvillimin e kulturës demokratike, ndoshta njerëzit, klasa politike, shoqëria civile dhe shumë aktorë dhe faktorë të tjerë do të kuptojnë rolin e madh që ka Avokati i Popullit, të cilët, për fat te keq, e kanë kuptuar më parë miqtë ndërkombëtarë, se sa të kuptohet në Shqipëri.

Cilat janë raportet tuaja me pushtetin?

–  Raportet e Avokatit të Popullit me pushtetin nuk janë gjithnjë të lehta. Në të gjithë botën, Avokati i Popullit kanë vështirësitë e tyre në marrëdhëniet me pushtetin, me administratën publike, sepse, me thënë të drejtën, Avokati i popullit është një institucion oponence dhe kjo duhet kuptuar më së miri. Nuk është një institucion opozitar, por një institucion oponence, që mundohet të përmirësojë, jo vetëm mbrojtjen e të drejtave të Njeriut, por të përmirësojë punën e administratës publike, në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë, më e ndjeshme ndaj mbrotjes të së drejtave të Njeriut. Por, natyrisht, kritika nuk është një element që të gjithë e kanë pjesë të karakterit të tij. Pranimi i kritikës jo nga të gjithë është i mundshëm dhe i lehtë, dhe aq më tepër në vende ku kultura demokratike ende nuk është e zhvilluar sa duhet. Në njëfarë mëntre, puna me administartën publike, me gjithë përpjekjet tona për të bashkëpunuar, përpjekje që nuk duhet të reshtin asnjëherë, ka vështirësitë.

– Cilat janë për ju sfidat e ndërtimit të këtyre marrëdhënieve?

– Më kujtohet një shprehje e një Ombudsmani spanjoll, të cilit i ka mbaruar mandate, ku në një ceremoni festive në senatin spanjoll, ai ndër të tjera, tha: Një Ombudsman që mbaron mandatin dhe ka shumë shok, nuk e ka kryer siç duhet detyrën. Pra, vetë puna e Ombudsmanëve, kritikat e shpeshta që bëjnë,  oponenca qytetare jo gjithnjë mirëpritet siç duhet. Në raste të caktuara, për mungesë culture, këto i cilësojnë edhe si sulme, pa qënë absolutisht të tilla. Unë shpresoj, që kur të mbaroj mandatin, të mos mbetem pa miq, dhe shpresoj që kultura demokratike e jona të jenë edhe më tepër prezente, që të gjithë së bashku ta kuptojmë që Ombudsmani është vetëm për një qëllim. Që të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe për të mos I shërbyer askujt tjetër, përveçse qytetarëve.

– A kanë ndryshuar raportet tuaja me rotacionin e maxhorancave, meqë ju u propozuat nga opozita e atëhershme, sot maxhorancë?

– Unë jam votuar me 127 vota dhe ishte gëzimi im që mora votbesimin e të dy partive të mëdha, por edhe obligim i madh, që të ruaja në maksimum pavarësinë dhe paanësinë e institucionit të Avokatit të Popullit. Kjo ka qënë prioriteti im. Ky institucion nuk duhet të jetë pjesë e debateve politike. Unë besoj që asgjë nuk ka ndryshuar në punën e Avokatit të Popullit. Kanë ndryshuar maxhorancat, por në punën tonë nuk ndryshuar asnjë centimetër qëndrimet tona ndaj objektivave dhe qëllimeve që ne kemi ndaj qytetarëve. Ne kemi një pikë në horizont, të largët, që shërben për të na ndryçuar rrugën tonë dhe të ecim dhe këto janë interesat legjitime të qytetarëve. Kjo na mundëson që institucioni që unë kryesoj të mos bëhet pjesë e lojrave politike, aq të shpeshta në Shqipëri. Dhe ca më pak, kurrë jo instrument loje politike. Kjo është alfa e punës dhe e suksesit të institucionit të Avokatit të Popullit.

– Ju, si Totozani, çfarë të reja keni sjellë në institucionin e Avokatit të Popullit?

– Ndryshimi që mund të ketë pësuar, megjithë që këtë do të preferoja të bënin të tjerët, është që institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë paksa nga një institucion tipik Ombudsman, që merret vetëm me ankesat individuale, duke marrë një përmasë të re, të rëndësishme, që ka të bëjë me promovimin e të drejtave të Njeriut. Nëse sot institucioni lindi dhe u konsolidua, përpjekjet tona gjatë këtyre 3 vjetëve dhe me ndihmën, sidomos të Mbretësirësë së Danimarkës, ne kemi arritur t’i japim një rëndësi shumë të madhe promovimit të të Drejtave të Njeriut, që është një element i ri në punën tonë. Ne jo vetëm mbrojmë të drejtat, por synojmë që legjislacioni shqiptar të arrijë standartet e të drejtave të Njeriut të legjislacioneve ndërkombëtare. Këtë e kemi bërë në përhapjen e kulturës demokratike, e kemi bërë nëpërmjet rritjes të rolit publik të institucionit të Avokatit të Popullit, që qytetarët të njihen me qëndrimet tona dhe për këtë kanë shërbyer të gjitha reformat, që kemi ndërmarrë, sikurse hapja e zyrave rajonale, ku kemi 7 të tilla, kemi revistë, kemi sajtin e institucionit tonë. Kemi prezentë të vazhdueshme të titullarit dhe të ekspertëve tanë. Nuk më kujtohen sukseset e kësaj periudhe, por më shumë më kujtohen dështimet, të cilat më lënë pa gjumë.

Sot festiohet 15 vjetori i Avokatit të Popullit

– Sot është 15 vjetori i Avokatit të Popullit. Çfarë aktiviteti do të organizoni ju?

– Sot Avokati i Popullit mbush 15 vjet. 15 vjet nuk janë shumë, duke patur parasysh që Ombudsmani i Suedisë, i pari në botë, është ngritur 200 vjet më parë. Fakti që ne do të festojmë këtë 15 vjetor, tregon që ne kemi ecur dhe jemi afirmuar në shoqërinë dhe në perceptimin e shqiptarëve, si mbrojtësi i të drejtave të tyre. Me kalimin e kohës, institucioni ynë është konsoliduar, falë gjithë punës 15 vjeçare të stafit. Festimi do bëhet siç e meriton institucioni ynë,  edhe për faktin që është një nga institucionet më të konsoliduara shqiptare, me një staf të konsoliduar, prej 15 vjetësh dhe për arësye sepse është një moment i mirë, që të bëjmë një bilac të punës dhe për të nxjerrë disa konlkluzione. Festimet janë të disallojeve, por ato që do tju përmend janë: Një mbrëmje e madhe në Pallatin e Brigadave që do bëhet sot, ku kemi ftuar të marrë pjesë e gjithë klasa politike, kryeministrat e tranzicionit, që kanë patur lidhje me Avokatin e Popullit, presidentët që kanë punuar me institucionin tonë, ministra dhe ish ministra, titullarë institucionesh, shoqëria civile, gazetarët, media, personalitete të jetës politike, sociale, kulturore, etj. Ky do jetë një mundësi që të gjithë të jemi bashkë, në një sallë, siç e meritojmë që të jemi bashkë gjithmonë. Simbolikisht, janë qytetarët që i ftojnë të ftuarit të jenë bashkë.

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA