14 “bejlerë” komunash dhe 2 qeveritarë, marrëveshje ilegale në favor të “Bankers”

883
Ka shumë fakte, që provojnë se “Bankers” ka pasur dhe ka “mbrojtës” shtetarët shqiptarë të çdo niveli, të cilët në “mirëkuptim” kanë hedhur firma e kanë vendosur vula edhe kafeneve, rrugëve e restoranteve në favor të biznesit të “Bankers”, që prej 11 vjetësh po “vret” naftën shqiptare dhe banorët e zonës ku vepron

Kompania “Bankers” ka një “siklet” që e mundon prej 11 vitesh, qysh kur ka ardhur në Shqipëri, e shoqëruar nga një “eskortë” politike ndërkombëtare, që loboi tek qeveria shqiptare në “vapën” e korrikut të vitit 2004, për ta licencuar këtë kompani fantazmë e me 12 “identitete biznesi”, që të “shqyente” nëntokën shqiptare të hidrokarbureve. Sikleti i “Bankers” është fakti, që kjo kompani misterioze nuk publikon asnjë të dhënë se nga vjen realisht? Se çfarë konsorciumi është? Se cili është aktiviteti i saj në fushën e kërkim-shpim-prodhim-shitje hidrokarburesh në vendet ku ka operuar? Nëse ka, apo jo probleme me drejtësinë në 6 nga shtetet ku ka operuar në 10 vitet e fundit? Se përse pas nisjes së aktiviteti në Shqipëri e ndërroi emrin e kompanisë nga “Sanxon” në “Bankers”? Nëse është përzënë apo jo, prej ndonjë shteti për veprimtari të “pistë” me aktivitetin me hidrokarburet dhe tregjet e tyre (si në Shqipëri)? Se me sa plan-buxhete investimesh e bilance financiare mujore, 3 mujore, 6 mujore e vjetore vepron? Kush ia bën ekspertimet kontabile dhe kush ia miraton në ministri, dogana e tatime? Pikërisht kjo kompani fantazmë, prej 1 jave ka mbytur me naftë, gaz helmues e lum-llum pusesh fshatin Marinzë, në Fier. Zona e mbytur nga veprimtaria teknologjikisht “kriminale”, që “Bankers” ka ushtruar në puset e naftës, tashmë është kthyer në “Hiroshimë”, aq sa edhe lopët nuk pranojnë të hanë barin e kësaj zone, të vetdijshme se mund të ngordhin! Se përse ndodhi katastrofa në Marinzë, kjo tashmë dihet: “Bankers” nuk kërkonte e nuk prodhonte naftë me shpime, por me shpërthime nëntokësore me dinamit! Pyetja shtrohet, se kush e lejoi, kush e përkëdheli dhe kush e mbrojti me akte ligjore, me VKM, me kontrata të vjetra e të reja, me heshtje, me “bakshishe”, me urdhra e marrëveshje, që ndryshoheshin në çdo 6 muaj sipas kërkesave e interesave të “Bankers” dhe me pazare të fshehta, për të ushtruar veprimtari shkatërruese në zonën e naftës shqiptare?! Ka shumë fakte, që provojnë se “Bankers” ka pasur dhe ka “mbrojtës” shtetarët shqiptarë të çdo niveli, të cilët në “mirëkuptim” kanë hedhur firma e kanë vendosur vula edhe kafeneve, rrugëve e restoranteve në favor të biznesit të “Bankers”, që prej 11 vjetësh po “vret” naftën shqiptare dhe banorët e zonës ku vepron.
“Bankers” futi në “thes” 14 drejtues komunash në Fier e Lushnjë dhe 2 qeveritarë…
Gazeta “Telegraf” po publikon sot, një marrëveshje skandaloze “rruge”, të hartuar mes kompanisë “Bankers”, mes 14 kryetarëve të bashkive e komunave në zonën Fier-Lushnjë dhe 2 përfaqësuesve të lartë të qeverisë shqiptare. Është një marrëveshje e cila, për nga përmbajtja ka vetëm një interes: Kompania “Bankers” të ketë miratimin e pushtetit lokal, për të vepruar lirshëm me abuzime në zonat e naftës, të cilat i ka futur nën “kthetra” me një kontratë klienteliste, miratuar me VKM Nr. 477, datë 16. 07. 2004 dhe të rinovuar sipas interesave të saj, në këto 11 vite aktivitet, me 17 VKM, urdhra e ligje të tjera, të diktuara e të “paguara” për shtetarët shqiptarë, të cilët kanë firmosur e vulosur vetëm… për “Bankers”. Marrëveshja ilegale është firmosur e vulosur në datën 23 nëntor 2012, me këtë objekt: “Marrëveshje për përgatitjen e planit të integruar sektorial, për zonën e zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vendburimin Patos-Marinëz”. Marrëveshja është firmosur nga 17 përfaqësues zyrtarë, ndër të cilët 14 janë kryetarë bashkie e komunash të zonës administrative lokale Fier-Ballsh-Lushnjë, 1 është zv/ministër i Energjisë dhe Industrisë, 1 është Drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ndërsa pala për të cilën është hartuar enkas kjo marrëveshje është Zv/presidenti dhe Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers”, Leonidha Çobo. Po çfarë parashikon kjo marrëveshje, ose më saktë, çfarë ka “garantuar” kompania “Bankers”, tashmë që ka futur “në dorë” firmat dhe vulat e drejtuesve të pushtetit lokal në zonën naftëmbajtëse Fier-Lushnjë, ku firma vepron dhe me 2 firmat e 2 qeveritarëve të shtetit shqiptar? Me këtë dokument zyrtar, po jo ligjor, “Bankers” ka marrë miratimin e shtetit shqiptar “për të vepruar i qetë”, për të mos u prekur as nga ligji dhe as nga shteti e pushteti lokal. Pra, ato 16 firma e vula shtetarësh, të hedhura në 23 nëntor 2012, i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë kompanisë “Bankers” edhe sot në këtë “ditë halli”, kur ka bërë batërdinë jetësore, ekologjike, teknologjike e pasurore në Marinzë, për të shmangur të drejtat ligjore të komunitetit për dëmshpërblime pasurore e trajtime shëndetësore. Me këto 16 firma e vula shtetarësh lokalë e qendrorë, “Bankers” i ka hequr të drejtën përfundimtare pushtetit lokal, për të folur për abuzimet me praktikën e kërkim-shpimi-prodhimit të naftës, ose në rast krijimi situatash të rënda mjedisore, teknologjike e ekonomike, siç krijoi në rastin konkret në Marinzë e prej 11 vitesh në krejt zonën me dëmtimet e shtëpive. Me këtë marrëveshje pirateske, që kanë firmosur 14 drejtuesit e pushtetit lokalë dhe 2 përfaqësuesit e qeverisë, “Bankers” ka fituar të drejtën për të mos iu hequr licenca dhe për të mos iu anuluar kontrata, paçka se ka shkaktuar një “Hiroshimë”, në një zonë të banuar e pune, të qarkullueshme e të përdorshme për afro 35 mijë banorë! Marrëveshja është me 9 pika dhe për ta bërë më të besueshme, ajo u referohet fiktivisht disa ligjeve, që nuk e justifikojnë këtë marrëveshje.
Marrëveshja, në kundërshtim me ligjin, nuk është kompetencë e kryetarëve të komunave
Marrëveshja me 9 pika, firmosur e vulosur nga 17 persona, mes tyre 2 qeveritarë dhe drejtuesi shqiptar i “Bankers”, është një akt-dokumentar i hartuar dhe i nënshkruar në kundërshtim të plotë me ligjet. Në këtë marrëveshje, palët nënshkruese deklarojnë se i janë përmbajtur Ligjit Nr. 10119, datë 23. 04. 2009 “Për planifikimin e territorit”, kur në fakt kjo marrëveshje nuk mund të hartohet me këtë ligj, mbasi territori ku vepron “Bankers” është i planifikuar që në marrje të licencës prej kompanisë dhe është planifikuar e përcaktuar si zonë hidrokarburesh për kërkim e prodhim! Së dyti, Ligji Nr. 10119, datë 23. 04. 2009 është përdorur në atë pjesë që është shfuqizuar, mbasi ky ligj është azhornuar 6 herë me Ligjin nr. 10 258, datë 25.03.2010, me Aktin normativ Nr.4, datë 25.8.2010, me Ligjin nr.10 315, datë 16.9.2010, me Ligjin nr.10 360, datë 16.12.2010, me Ligjin Nr. 22/2013 dhe me Ligjin nr. 110/2013, datë 01.04.2013. Këto ligje e ndalojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, si kjo që është bërë vetëm për interesa të “Bankers”, kundër interesave të ekonomisë kombëtare dhe sigurisë së jetës e pronës së komunitetit. Marrëveshja i referohet VKM Nr. 481, datë 22. 06. 2011. Por pikërisht edhe ky vendim qeverie nuk është zbatuar, mbasi në marrëveshje kanë firmosur e vulosur kryetarët, kur Neni 33 i VKM Nr. 481, datë 22. 06. 2011, përcakton që këto akte, marrëveshje, kontrata i harton dhe i nënshkruan vetëm kryetari i këshillit bashkiak ose këshillit të komunës, me vendim të këshillit bashkisë e komunës, pasi të ketë miratuar një relacion shpjegues e faktues të përgjithshëm për territorin përkatës vendor. Ky relacion, sipas VKM Nr. 481, datë 22. 06. 2011, duhet të jetë i hartuar e miratuar më parë nga këshilli i KRT të komunës e bashkisë të zonës ku vepron firma, në rastin konkret “Bankers”. Po kështu, edhe nëse marrëveshja do të ishte e ligjshme, bëhet e paligjshme, mbasi në të nuk kanë qenë palë hartuese e nënshkruese Prefektura e Këshilli Qarkut si institucione eprore lokale të territorit, Agjencia Rajonale e Mjedisit dhe Drejtoria e Shëndetit Publik, si institucione monitoruese e miratuese të lejes mjedisore e depistuese të komunitetit! Marrëveshja i referohet edhe “Kodit Civil”, konkretisht Ligjit Nr. 7850, datë 29.07 1994, por edhe ky ligj nuk i jep asnjë të drejtë pushtetit lokal, të nënshkruaj marrëveshje që lidhen me pasuritë kombëtare e me të drejtat e komunitetit. Por, ja që krerët e 14 bashkive e komunave në zonën Fier-Lushnjë dhe 2 qeveritarë, kanë nënshkruar këtë marrëveshje, të cilën “Bankers” e ka përdorur dhe ka nisur ta përdor këto ditë pas shpërthimit në Marinzë, si dokument ligjor, kur në fakt ajo copë letër me 17 firma e vula është thjeshtë dhe vetëm një… “defter bakalli”, produkt i një pazari antiligjor, për te lejuar kompaninë “Bankers” të ushtrojë aktivitet biznesi hidrokarburesh me abuzime e pa detyrime komunitare, sipas interesave të saj në territoret e këtyre komunave e bashkive. Sa për saktësim, marrëveshja ka kaluar e shkelur çdo tolerancë ligjore, duke u ligjëruar me dy shkresa: Me Shkresën Nr. 5589/5, datë 05. 11. 2012 të Ministrisë së Energjisë dhe me Shkresën Nr. 219/3, datë 13. 11. 2012 të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), agjenci këto që nuk kanë të drejtë të nxjerrin urdhra e akte zyrtare zhvillimore zonash, me objekt marrëveshje që lejohen vetëm me VKM, ligje, ose urdhra në nivel kryeministri! 
Marrëveshja nuk ekziston në arkivat e komuna, u firmos në Tiranë gjatë një dreke të shtruar nga “Bankers”
Gazeta “Telegraf” u interesua dje, në disa komuna e bashki firmëtare të kësaj marrëveshje, për të pyetur nëse kishin dijeni për marrëveshjen e nënshkruar në datën 23 nëntor 2012 me kompaninë “Bankers”. Pyetëm në 11 bashki e komuna të zonës Fier-Lushnjë, ku nënshkrues janë kryetarët e tyre. Pyetëm në bashkinë Patos dhe na thanë, se as kanë dijeni e as nuk ekziton ndonjë marrëveshje e tillë zyrtare me “Bankers” në arkivën e bashkisë. Kështu na thanë edhe në bashkinë Reskovec, në komunat Zharrëz, Portëz, Ruzhdie, Bubullimë, Krutje, Qendër-Fier, Qendër-Mallakastër, Cakran, Mbrostar, Libofshë e deri në komunën Kuman ku gjendet Marinza e mbytyr dhe e helmuar nga llumi, nafta e gazi. Përgjigja ishte ishte e njëjtë: Nuk dimë asgjë për një marrëveshje të tillë, nuk ka asnjë dokument në komunë, do ta ketë firmosur kryetari, se ai e mban vulën me vete”. Dhe fakti kështu është! Marrëveshja është një copë letër, firmosur pa protokoll zyrtar, pa vendim të këshillit bashkiak, pa projekt studimi e planifikimi të territorit nga KRT e komunave dhe bashkive që kanë firmosur këtë marrëveshje me “Bankers”. Konfidencialisht, në bisedë me një nga kryetarët e komunave të Fierit, mësuam se ai dhe 8 kryetarë të tjerë e kanë firmosur marrëveshjen në Tiranë, të mbledhur në një “drekë pune” të organizuar e financuar nga “Bankers”. Sipas rrëfimit të kryetarit në fjalë, ata që u ndodhën në drekë, kanë firmosur marrëveshjen e madje, kopjet e dhëna pa adresë (sipas nenit nr. 9 të marrëveshjes), i kishin”humbur”. Ndërsa 5 kryetarëve të tjerë që nuk shkuan dot në Tiranë, “Bankers” ua çoi marrëveshjen për ta firmosur në zyrat e tyre në komuna, siç veproi edhe me dy përfaqësuesit e qeverisë. Pyetjes tonë, se si kaluat në drekën e “Bankers”, kryetari iu përgjigj po me konfidencialitet: Hëngrëm e pimë, firmosëm e vulosëm, morëm nga një kopje kontrate e nga 1 “zarf” dhe… ikëm, se mos humbën gjë! 
——————————–
Ja shtetarët që kanë firmosur marrëveshjen ilegale e anti-ligjore me “Bankers”
1. Sokol Dervishaj: Zv/Ministër, Ministria e Energjisë
2. Rajmonda Balilaj: Kryetare, Bashkia Patos
3. Gëzim Çaushi: Kryetar, Bashkia Roskovec
4. Agim Sema: Kryetar, Komuna Krutje:
5. Jakup Beqiri: Kryetar, Komuna Kolonjë:
6. Taulant Gremi: Kryetar, Komuna Zharrëz
7. Agim Stafa: Kryetar, Komuna Bubullimë
8. Harilla Mile: Kryetar, Komuna Qendër-Fier
9. Agron Kapllanaj: Kryetar, Komuna Qendër-Ballsh
10. Rajmond Plaka: Kryetar, Komuna Kuman (Marinzë)
11. Azem Shateri: Kryetar, Komuna Portëz
12. Pajtim Gllava: Kryetar, Komuna Ruzhdie
13. Vladimir Korçari: Kryetar, Komuna Cakran
14. Gëzim Dhima,: Kryetar, Komuna Mbrostar
15. Naum Doko: Kyetar, Komuna Libofshë
16. Kreuza Leka: Drejtore, Agjencia Kombëtare e Territorit
17. Leonidha Çobo: Drejtor, “Bankers Petroleum Albania LTD”:
————————————-
Box
Ja si iu falën “Bankers”, 90 milion dollarë taksa importi
Kompania “Bankers” është një nga kompanitë që e ka ulur në gjunjë shtetin shqiptar, duke i diktuar bazën ligjore, praktikat dhe vendimet që i interesojnë. Një nga këto vendime është edhe urdhri i datës 18 korrik 2013, firmosur nga ish-drejtori i AKBN Genc Anastasi, me të cilin AKBN, i “dhuronte” kompanisë “Bankers” 94 milionë dollarë detyrime fiskale, thënë ndryshe taksa shqiptarësh! Ish-drejtuesi Anastasi, në datën 18 korrik 2013, morri një kërkesë nga “Bankers” e cila kërkonte të përjashtohej nga taksa e importit të karburanteve për 140 mijë tonë naftë, me motivin “përdorje për proces teknologjik”. Ish-drejtori i AKNB, zoti Anastasi, në ato kohë vetëm 6 ditë i emëruar si drejtor, i përgjigjet kompanisë “Bankers” brenda ditës me shkresë zyrtare, pra brenda datës 18 korrik 2013, duke ia miratuar kërkesën për importin e 140 mijë tonë naftë pa akcizë, paçka se ligji e ndalonte këtë lloj importi për artikuj si diezel apo gazoil. Sipas specialistëve, skandali i kësaj afere, qëndron në faktin se përveçse nuk lejohet import karburantesh pa akcizë, vendimi për miratimin e kërkesës është bërë brenda ditës, kur duhej diskutuar më parë në bordin e AKBN, me zyrën juridike, me zyrën e financave. Skandali tjetër është fakti, që periudha e autorizimit të lëshuar për import nafte pa akcizë, nis nga 6 shtatori 2013, deri në 30 qershor 2014, pra përtej një viti buxhetor! Po kështu, vendimi për të lejuar import nafte pa akcizë, nuk mund të firmoset vetëm nga drejtori i AKBN, por nga 5 zyrtarë të AKBN dhe nga 1 zyrtar i sektorit import-eksport të Ministrisë së Energjisë! 
——————————
Uesli Klark, anëtar bordi në “Bankers”
Në korrik të vitit 2004, kur kompania “Sanxon”, sot me emrin “Bankers” erdhi në Shqipëri dhe u licensua prej shtetit shqiptar për të shfrytëzuar zonën naftëmbjatëse në Fier-Lushnjë, u pa se në krye të delegacionit të saj ishte edhe Komandanti Suprem të NATO-s, Gjenerali Uesli Klark. Ata që ishin prezent dhe shqiptarët që e ndoqën në TV prezencën e tij në përbërje të një ekipi biznesi hidrokarburesh, u habitën, por këtë habi ua hoqi një përfaqësues i kompanisë (Sanxon) sot “Bankers”, i cili e paraqiti Gjeneral Uesli Klark, si “anëtar bordi” të kompanisë (Sanxon), sot “Bankers”. Atëherë u tha, se komandanti suprem i NATO ishte lobues tek qeveria shqiptare, që kompanisë “Bankers”, t’i jepej licensa e shfrytëzimit të naftës në Shqipëri. Nuk e dimë, nëse Gjenerali Uesli Klark është ende “anëtar bordi” në këtë kompani dhe për çfarë arsyesh loboi për “Bankers”, por dimë faktin, që prej 11 vjetësh na ka futur e na ka lënë peng “shejtanin” në sektorin e naftës shqiptare! 
———————————————–
“Bankers” i premton dëmshpërblime Marinzës, por prej 1 viti mashtroi 60 familje në Zharrëz
Dy ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Bankers Petroleum” Leonidha Çobo, deklaroi në një emision televiziv, se “do të kompensohen të gjithë banorët e prekur nga shpërthimet e gazit në fshatin Marinzë të Fierit”. Këtë premtim “Bankers” e bëri edhe nëpërmjet një deklarate zyrtare për media. Po a do ta bëjë realitet këtë detyrim ligjor? Drejtori Leonidha Çobo, i cili në emisionin televiziv tentoi të fsheh gjithë krimet ekonomike, teknologjike, pasurore dhe ekologjike të kompanisë që po shkatërron nëntokën e hidrokarbureve shqiptare, u përbetua se “banorët do të kompensohen 100% për ëdo dëmtim”. Nuk e dimë, nëse “Bankers shkatërrimtari”, do të paguaj edhe dëmin e madh pasuror që i ka bërë vendburimit të hidrokarbureve në Patos, Marinzë dhe në zonat ku deri sot ka ushtruar aktivitet “banditesk” me mina, por dimë faktin që po kjo kompani, ka premtuar edhe në vitin 2014 dëmshpërblimin e shtëpive të 60 familjeve të Zharrës, të cilat i shkatërroi me plasjet e puseve me dinamit, por ende nuk ua ka dhënë pagesat, madje nuk i pranon as në zyra! Mjafton t’i kujtojmë kompanisë “Bankers”, deklaratën e kreut të komunës Zharrëz, zotit Taulant Gremi, i cili shprehet: “Përsa i përket problemit të dëmshpërblimeve lidhur me lëkundjet sizmike, deri tani nuk kemi asnjë dëmshpërblim. Me gjithë kontaktet që kemi kryer me autoritetet përkatëse, fakti është se deri tani, 60 familje nuk e kanë marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim”.
Të hënën do të lexoni:
1. Çfarë përmban një raport fals i auditit në “Bankers”, bërë nga një firmë private pa licencë?
2. Si punon “Bankers” me dy buxhete investimesh dhe me dy bilance të ardhurash dhe kush i kontrollon?
3. Sa vjet ka “Bankers” pa asnjë kontroll nga tatimet dhe doganat?
4. Sa energji elektrike ka paguar “Bankers” në 6 vitet e fundit?
5. Cila është pasqyra e taksave që ka paguar “Bankers” në 10 vjet?
6. Sa ligje e VKM ka miratuar pushteti qendror, në favor të “Bankers”?
7. Pse Pushteti lokal në Fier-Lushnjë, nuk ka ushtruar asnjë kontroll për veprimtarinë e “Bankers” në territorin e tij?
8. 30 pyetje drejtuar bosit të “Bankers” dhe 30 pyetje drejtuar Ministrit Gjiknuri.
Marrveshja e qeverisë “Berisha”, datë 12 mars 2009
Është kjo VKM me Nr. 251, datë 12. 03. 2009 e ish-qeverisjes “Berisha”, që fshehu dhe “rehabilitoi” mashtrimet e kompanisë fantazmë “Bankers”. Këto detyrime koncesioanre, duhej të ishin realizuar brenda vitit 2005, por u toleruan nga qeveria, duke lejuar kompnainë “Bankers”, të vepronte sipas interesave të saj. Sipas studimit me titull “Nafta dhe politika”, bërë prej Dr. Maksim Shuli, në kontratën me “Bankers” kjo “humbje” është pranuar në masën 10%, ndërsa në fakt është 5%, dmth., që “Bankers”-i, prej 11 vitesh “mik” i çdo pushteti, ka fituar padrejtësisht pa investuar. Kompania shtetërore “Albpetrol”, ka marrë nga aktiviteti i “Bankers” vetëm një përqindje “thërrime” nga prodhimi i hidrokarbureve, duke u fshehur pas investimeve false, të cilat kanë qenë vetëm 11% e detyrimeve të kontratës koncesionare, kur dihet, që 39 % e puseve të Marinzës ishin të “taposur” dhe janë trajtuar me gjendje nafte me prodhim “zero”, kur në fakt “Bankers” është lejuar prej shtetit shqiptar, të zhvaste naftë e gaz në mënyrë hajdutçe, pa deklaruar asnjë litër prodhim! Kompania “Bankers”, një nga koncesionet më të pista e më të përkëdhelura të shtetit shqiptar në 15 vitet e fundit, ka bërë biznes me sektorin e “Muzeqesë” së naftës shqiptare, sikur të ishte jo në një shtet, por në një xhungël. Në kontratën e lidhur mes shtetit shqiptar dhe kompanisë “Bankers”, në 125 shkronja të faqes 12 të kontratës shteti shqiptar i ka falur kompanisë “Bankers”… 125 milion dollarë fitim që prej viit 2005 e deri sot. Në paragrafin 3.5.1.1 të kontratës, flitet për një nga zonat që përpara kontratës, ishte e shtetit dhe më pas i kaloi ‘Bankers”-it, emërtuar si zona “Pad D dhe Pad H”. Sipas kësaj shtese kontrate, “Bankers”, duhej t’i kthente “Albpetrol”-it, 70% të porduktit të naftës së prodhuar, qysh në vitin e parë të zbatimit të kontratës.. Kjo përqindje prodhimi, e kthyeshme nga “Bankers” në “Albpetrol”, do të specifikohej në vitin e dytë e në vazhdim, duke përcaktuar masën e detyrimit me zbritje detyrimi 50%, 40%, 30%, 20% e 10% të prodhimit. Por kjo nuk ka ndodhur, duke u lejuar që “Bankers” të mos çonte asnjë litër naftë në “Albetrol”, duke u pranuar nga shteti shqiptar, të justifikohej me prodhim… ZERO edhe pse “pusi ilegal” që shfrytëzonte “Bankers’, në momentin që është dorëzuar nga shteti shqiptar, prodhonte mbi 150 ton naftë në ditë, kur 105 ton duhej t’I dorëzonte në “depot” e kompniasë “Alpetrol” si detyrim të 70 përqindëshit.
Sigal