129 viktimat e Parisit, 129 VKM e ligje dhe 95% e Shqipërisë që kontrollohet me koncesione deri 40 vjeçare nga të huajt

630
Pas ngjarjes së rëndë terroriste që ndodhi në Paris, shtetarët shqiptarë si me një “komandë” dhe me një tekst kopje të njëri-tjetrit, deklaruan se do të rreshtohen përkrahë Francës për të luftuar terrorizmin. Shtetarët shqiptarë, secili nga “frëngjia” e vet zyrtare, që nga Presidenti, Kryeministri, Ministri Brendshëm, Ministrja e Mbrojtjes, Ministri i Jashtëm e madje deri edhe kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, dolën dhe deklaruan se kanë marrë të gjithë masat për mbrojtje dhe goditje të plotë efiçente ndaj terrorizmit”. Nuk e kemi fjalën për “çudinë”, se përse qenka më e lartë siguria kombëtare në Shqipëri dhe nuk ishte e nuk është në Francë, por e kemi fjalën tek një skandal shtetëror, të manifestuar përsëri si në çdo rast, lidhur me qëndrimin e shtetarëve shqiptarë ndaj sigurisë kombëtare në momente kur ka ngjarje të rënda qoftë edhe ndërkombëtare, apo rajonale. Psh., brenda pak orëve nga masakra terroriste me 129 viktima në Paris, Presidenti Republikës thirri në takim “urgjent” kreun e SHISH. Kryeministri thirri ministrat e Brendshëm e të Mbrojtjes, ndërsa këta thirrën vartësit. Ministri i Jashtëm, u dërgoi ambasadorëve nëpër botë, nga një udhëzues me “instruksione” për t’u mbrojtur e për të luftuar terrorizmin, ku një nga pikat e instruksionit ishte kjo: “Mbyllni ambasadat sa të kalojë kjo situatë”! Përse shtetarët shqiptarë edhe për sigurinë kombëtare e përdorin shtetin veç e veç sipas kolltukëve që kanë, duke bërë lojëra politike edhe me përballë një rreziku terrorist aktiv, që goditi edhe Francën e cila vetëm buxhetin e sigurisë kombëtare e ka 26 herë më të madh se buxheti vjetor i shtetit shqiptar?! Gazeta Telegraf në datën 1 shkurt 2015, ka dhënë alarmin e mungesës totale të veprimit të shtetit shqiptar lidhur me sigurinë kombëtare, duke përmendur faktin që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mblidhej prej 6 vitesh e madje që nuk po mblidhet ende…! Ushtarakët dhe ekspertët e sigurisë kombëtare, të kontaktuar dje nga Gazeta “Telegraf”, deklaruan se duhet mbledhur urgjent Këshillit i Sigurisë Kombëtare, i cili përbëhet nga drejtuesit e lartë shtetëror, të cilët pas aktit terrorist në Paris, kanë nisur e po vazhdojnë të mblidhen veç e veç, secili me vartësit e tij, ndërkohë që duhet të mblidhen si institucion kombëtar e jo si “çeta” të ndara!
Këshilli i Sigurisë, mblidhet vetëm kur ndodhin akte terroriste në Francë!
Me kushtetutë, këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet të mblidhet në çdo 3 muaj dhe jo më vonë se 6 muaj shtyrje në raste të “motivuara”. Fakti është ky: Pas aktit terrorist me 12 viktima dhe 10 të plagosur në zyrtar e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, presidenti Nishani mblodhi urgjent Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i cili në kundërshtim me Kushtetutën kishte 6 vjet pa u mbledhur. Pas aktit të dytë terrorit në Paris, Ky këshill nuk është mbledhur akoma, por secili shtetar i lartë ka mbledhur vartësit e tij dhe ka dhënë “udhëzime” për sigurinë kombëtare. Çfarë ndodh? Presidenti nuk e mbledh këshillin e sigurisë kombëtare sepse nuk do që të jetë në një tavolinë me kryeministrin! Kryeministri nuk e kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë sepse nuk do të jetë në një tavolinë me presidentin dhe kreun e SHISH. E po kështu anëtarët e tjerë të këtij këshilli edhe spe ua njeh Kushtetuta, nuk kërkojnë thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, por mblidhen secili në zyrën e vet me “ushtarët” e vetë, sikur të jenë në “mbledhje-pazar” tenderësh e koncesionesh dhe bëjnë sikur bëjnë mbledhje e në fund dalin me deklarata e rezoluta tip “qokash” deri komike me përmbajtje ngushëlluese, mbështetëse e… “trimërie” përballë terrorizimit! Po atëherë, përse këta mblidhen si komitët e vitit 1800, kur Kushtetuta detyron që ky Këshilli Sigurisë Kombëtare, duhet të mblidhet me prezencën e të gjithë anëtarëve. Madje edhe sikur 1 nga anëtarët e këtij këshilli, të jetë në “regjim shtrati”, duhet të çohet në mbledhje “me barelë”, mbasi nuk flitet për mbledhje partie më anëtarësinë, por për sigurinë kombëtare e aq më tepër në një rast e situatë të tillë si në Paris e në një realitet që Shqipëria është shtet me kufinj të shqyer. Kur dihet që nuk ka asnjë kontroll “filtër” ndaj atyre që hyjnë e dalin dhe madje edhe ndaj atyre që marrin e lënë shtetësi shqiptare!
Shqipëria, 90% të problemeve i ka me përmbajtje të pasigurisë kombëtare
Një fakt: Shqipëria, 90% të problemeve i ka me përmbajtje të pasigurisë kombëtare në polici, kufi detar, tokësor e ajror, dhënie shtetësie për të huaj e lënie të saj sa herë u teket atyre që e lënë dhe e marrin qofshin shqiptarë, apo të huaj. Ka probleme “kapicë” me sigurinë kombëtare në shërbimin informativ, në ushtri dhe me pasuritë kombëtare, 95% e të cilave janë pronësuar e janë vënë nën kontroll nga të huajt. Fakte ka plotë… Vetëm 3 ditë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në 15 mars 2008 ndodhi tragjedia e Gërdecit, që ishte “kokë e këmbë” akt i rëndë i pasigurisë kombëtare, madje me bazë krimin shtetëror. Por Këshilli i Sigurisë nuk u mblodh! Ky këshill nuk u mblodh as në përmbytjet e viteve 2010, 2011, 2012 në Shkodër e Lezhë. As kur shpërthyen digat e 3 HEC-ve në zonën e Veriut. Këshilli nuk u mblodh, as kur shteti copëtoi territorin detar shqiptar e ia fali Greqisë, as kur u dha me koncesion Porti Detar, doganat, HEC-et, Aeroporti Rinasit, shpërndarja e energjisë elektrike, autostradat, minierat, hapësira ajrore etj. . Këshilli nuk u mblodh, as kur shteti dhe qarqet greke u futën dhunshëm në territorin shqiptar “Himarë” dhe e shpallnin atë “tokë e popullsi greke”, me thirrjet “Aneksim” Nuk u mblodh as kur u bë regjistrimi fals i popullsisë dhe qarqet greke, serbe, maqedonase, malazeze e deri rumune kërkonin të ligjëroheshin si etni brenda Shqipërisë me numër popullsisë të sajuar, për ta shkombëtarizuar e për ta kthyer Shqipërinë në vend multietnik me pakicë… shqiptare! Nuk u mblodh as në 21 janar, kur pushteti iu vërsul protestuesve me armë duke vrarë 4 e duke plagosur 157 prej tyre. Këshilli nuk është mbledhur as kur të huajve ju dhanë 299 koncesione pronësore HEC-esh. Këshilli Sigurisë Kombëtare nuk u mblodh as në dhjetor 2013, kur 13 firmave të huaja iu “rilindën” koncesionet në hidrokarbure dhe në 41 koncesione të tjera! 
Sigal