107 matrapazët që do gllabërojnë bregdetin

711
Nuk kanë fund absurdet, çudirat, abuzimet, pazaret dhe skandalet që dalin në formë ligjesh e vendimesh nga zyrat e larta të shtetit shqiptar. Këto ndërhyrje në ligje dhe bërje ligjesh, amendimesh e vendimesh të reja zyrtare, ndodhin sa herë bëhet fjalë për interesa përfitimi financiar e pronësor të shtetarëve, familjarëve, miqve, shokëve e ortakëve të tyre në biznese, duke vënë në dispozicion shtetin, ligj-bërjen dhe vendim-marrjen shtetërore, për të arritur qëllimin. Një vendim i tillë qeverie, ka hyrë në fuqi 2 ditë më parë dhe është hedhur për zbatim konkret, pikërisht në datën 25 maj 2015, me synim për të ndërhyrë në vijën bregdetare dhe plazhet shqiptare, duke i dhënë ato krejt me qira dhe me sipërfaqe të caktuar për secilin matrapaz shtetëror e privat përfitues. 
VKM që pronëson me plazhe 107 matrapazë të lidhur me shtetin 
Kësaj i thonë të bësh pasuri duke përdorur shtetin dhe pushtetin, nëpërmjet ligjit dhe vendimeve zyrtare. Wshtë VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 84, botuar me urgjencë 5 ditë pas miratimit në qeveri e parlament (25 maj 2015), për menaxhimin e plazheve, nëpërmjet formës së dhënies, marrjes dhe përdorjes së tyre me qira prej privatëve. Në këtë VKM absurde, shteti legalizon një tjetër zaptim e gllabërim të hapësirave të përbashkëta pronë shtetërore e publike, duke lënë shqiptarët pa plazhe të lira, por të pushtuara me qira simbolike 50 lekë metri katror, ndërkohë që privati e shet tek pushuesit në formë monopoli, me 30-400-500 lekë me qira për çdo metër katror. Kjo VKM e dalë posaçërisht për të gllabëruar plazhet publike, duke mos lënë asnjë metër katrorë të lirë publik për qytetarët, ka një paramendim të kuptueshëm, për qëllimin që ka dalë. Vija bregdetare, liqenore e lumore shqiptare ka një gjatësi prej 450 km, 316 kilometër nga e cila janë bregdet, 48 kilometra janë breg lumor dhe 73 kilometra janë breg liqenor, përshirë këtu edhe vijën lagunore, vijë kjo që fillon nga grykëderdhja e lumit Buna, deri në jug të vendit, në “Kepin e Stillos”. Pikërisht kjo vijë plazhore e cila është funksionale për plazh deri në 278 kilometër gjatësi nga veriu-në jug, është bërë viktimë e planit djallëzor e të paramenduar për t’’u zhvatur prej matrapazëve të veshur me pushtet dhe prej familjarëve e klientëve të tyre të përzgjedhur, të cilët sa herë ndahen “thela” pronash, ata janë të parët dhe të vetmit në listat e përfitimit me qira, me privatizime, me koncesione, me falje. 
VKM-ja e kundërligjshme, ndalohet dhënia me qira më tepër se 200 m2
Thuhet që VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015 është miratuar në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të Ligjit nr. 9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, të ndryshuar, të nenit 4/a, të Ligjit nr. 8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8652, datë 31.07.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të nenit 3, të Ligjit nr. 8905, datë 06.06.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit detar nga ndotja dhe dëmtimi”, të ndryshuar, të Ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, dhe të Ligjit nr. 9734, datë 14.5.2007. të gjtihë këto ligje nuk iu japin të drejtën VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, që të zbatohet, mbasi është në kudnërshtim me ligjin dhe me një VKM tjetër, me Nr. 315, datë 24.04.2003 e cila është ende në fuqi dhe përcakton se nga hapësirat dhe objektet publike pronë shtetërore në eficensë ose jo në eficensë, të jepen më tepër se 200 metër katrorë sipërfaqe prej pushtetit lokal. Mbi këtë sipërfaqe bëhet dhënia me qira, ose koncesion, ose privatizim me tender publik, me prokurim të hapur. Më qartë, VKM Nr. 315, datë 24.04.2003, përcakton kështu: “Të vetmet pasuri publike, të cilat përjashtohen nga procedura e konkurrimit për t’u dhënë me qira, janë të gjitha sipërfaqet deri në 200 m2, të cilat jepen me qira, me afat deri në 1 vit”. Në rastin konkret, me VKM e re (private) Nr. 436, datë 20. 05. 2015, periudha për dhënien me qira është deri në 4 muaj ndërsa sipërfaqja deri me qira jo më pak se 5000 metër katror. E gjitha është një skemë që zbulon qëllimin e vërtetë të këtij vendimi qeverie, mbasi po e njëjta qeveri, me VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, ndryshon VKM e saj nr. 321, datë 28. 05. 2014duke bërë këto ndryshime të qëllimshme. Në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të kreut II, “Detyrimet e institucioneve përgjegjëse”, bëhen këto ndryshime, që krijojnë mundësi për nisjen e operacionit të matrapazëve shtetërorë dhe familjarëve të tyre për shqyerjen dhe gllabërimin plazheve shqiptare në gjithë vijën bregdetare: pika “b”, për identifikimin e zonave të përshtatshme për plazhe si zona çlodhëse, argëtuese, ndërsa pika “ç”, ndryshon kështu: Dhënien me qira të hapësirës së plazheve personave fizikë e juridikë, për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit: për një sipërfaqe jo më të vogël se 5000 (pesë mijë) m2 , në rastin e plazheve me gjerësi më të madhe se 100 (njëqind) metër dhe për plazhet e tjera në varësi të terrenit; për një afat kohor 4-mujor. Në VKM e 28 majit vitit 2014, nuk ishte përcaktuar sipërfaqja e dhënies me qira dhe as gjatësia e plazhit, ndërsa në VKM e 20 majit 2015 është përcaktuar qëllimisht 5000 metra pa prokurim, por direkt nga pushteti lokal. 
Sigal