100 minator bllokohen brenda minierës së Trepçës, detajet e para të ngjarjes

623
Sigal

Kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku,  ka konfirmuar se brenda minierës së Trepçës kanë mbetur të ngujuar rreth 100 punëtorë.

Ai deklaroi për Gazetën Expres se minatorët  gjenden në një thellësi prej 700 metrave, dhe janë jashtë rrezikut për jetën pasi ajrimi është në nivel të mirë.

“Po është e vërtetë. Kanë mbetur në minierë.Minatorët kanë qenë duke punuar  kur ka ndodhur djegia e trafos kryesore që furnizon minierën me energji. Për momentin janë në minierë. Rrezik për jetë nuk ka. Jemi në kontakt, ajrimi është në nivel. Brenda mund të jenë rreth 100 veta. Thellësia në të cilën gjenden është diku rreth 700 metra e lartë, në zonën e 11”, – ka thënë Sadiku.

Ai ka shtuar se janë duke u bërë përpjekje që të gjejnë një mënyrë alternative për ta bërë ashensorin funksionuar dhe për t’i nxjerrë minatorët.

“Janë jashtë rrezikut për jetën. Jemi duke punuar që t gjejmë një zgjidhje alternativë, derisa të funksionojë ashensori për t’i nxjerrë nga miniera”, – ka përfunduar ai.

Pas këtyre deklaratave mësohet se Kryetari i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, pak minuta më parë ka arritur te miniera e Trepçës ka konfirmuar se tashmë kanë dalë nga miniera grupi i parë prej 29 minatorëve.

Ai thotë se menaxhmenti është duke i marrë të gjitha informacionet dhe se minatorët, janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ata janë në gjendje të mirë. Menaxhmenti është duke marrë shënimet e nevojshme”.

Në minierë, sipas kryesindikalistit të Trepçës, kanë mbetur të ngujuar rreth 100 persona.

Ky incident ka ardhur si pasojë e djegies së trafostacionit kryesor që e furnizon minierën me energji elektrike.