10 plan-bizneset më të mira ndihmë nga Bashkia për të hapur një biznes

1070
Sigal

TIRANE – Një projekt pilot i zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe i mbështetur nga Komisioni Europian u ka dhënë mundësi 160 të rinjve e të rejave të trajnohen në qendrat sociale të bashkisë së Tiranës. Ky trajnim ka për qëllim aftësimin e tyre për të gjetur një vend pune dhe për të hapur bizneset e tyre sociale. Përfituesit e qendrave sociale do të trajnohen nga ekspertët italianë mbi temën: Si të krijosh një plan – biznesi social?

Sot të rinjve u janë shpërndarë certifikatat. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo tha se 10 plan – bizneset më të mira do të mbështeten nga mekanizmat e Bashkisë së Tiranës për të hapur biznese sociale. 

“Sigurisht, ne e dimë fare mirë që trajnimet janë të nevojshme por nuk është kusht përfundimtar për të hyrë në tregun e punës. Kjo është arsyeja që ne sot gjithashtu deklarojmë që 10 biznes-planet më të mira sociale që do të prodhohen nga këta të rinj do të mbështeten nga projekti dhe dua të theksoj gjithashtu që jo vetëm do të mbështeten nga projekti, si plane iniciuese për biznesin social por me mekanizmat që Bashkia e Tiranës ka në dispozicion do të mbështetet gjithashtu edhe në jetën e tij si biznes. Ne kemi dy mekanizma të cilat ndihmojnë punësimin e të rinjve dhe të rejave në Tiranë krijimin e vendeve të punës. Njëri është mekanizmi i një skeme garantimi, garancie të kredisë bankare për bizneset për të rinjtë, për të rinjtë nën moshën 35 vjeç.” – tha Bozdo. 

Deklarata e plote e Bashkisë Enno Bozdo: 

Është kënaqësi realisht e veçantë për mua që të përshëndes këtë takim, në emrin e ditës së Mirëqenies Sociale, fokusuar në biznesin social por besoj se është një çast i mirë për të bërë edhe një bilanc të arritjeve të këtij projekti kaq interesant e domethënës për Bashkinë e Tiranës.

Projekti në fjalë ka arritur disa rezultate të cilat do të desha t’i ndaj me ju, jo sepse janë tema për të cilat në Shqipëri, në Tiranë nuk diskutohet, përkundrazi, por unë do të thosha se ka një përqasje shumë interesante për mënyrën e konceptimit dhe mënyrën e veprimit.

Që në vitin 2009, Tiranës i mungonte një strategji e mirëfilltë për shërbimet sociale. Në përgjithësi është kur jemi mësuar të flasim për qytete dhe këtu fus edhe veten time, jemi mësuar të flasim për infrastrukturë, rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe, parqe hapësira sportive dhe kjo është e drejtë apo jo?! Qyteti është një hapësirë ku ne të gjithë jetojmë por harrojmë ndoshta që qyteti ka një element të gjallë që është njeriu, njerëzit, qytetarët të cilët gjithashtu kanë problemet e tyre për atë pjesë të shoqërisë që përfaqësojnë dhe veçanërisht në një qytet të madh dhe metropol si Tirana i cili është destinuar të rritet më tej, problemet sociale si në çdo metropol tjetër jaë aty, kërkojnë zgjidhjen e tyre. Edhe ne kemi shtresa në nevojë, shtresa të margjinalizuara, kemi shtresa të caktuara të popullatës që kërkojnë vëmendje të veçantë, që duhet të marrin në këtë rast nga pushteti vendor por edhe pushteti qendror shërbime sociale, kemi të rinj e të reja që mbarojnë, diplomohen, futen në tregun e punës dhe kanë nevojë edhe ata për mbështetje, për t’u kualifikuar në një treg pune i cili bëhet gjithnjë e më sfidant në ditët në vijim.

Arritja e parë e këtij projekti është pasja e një strategjie, e një analize të mirë të hendekut të nevojave sociale për qytetin e Tiranës. Kjo gjë nuk ishte bërë që në vitin 2009 dhe veçanërisht për qytetin e Tiranës ku buxheti është gjithmonë i shtrënguar, (çdo buxhet në fakt në definicion është i shtrënguar) ne kishim shumë nevojë të bënim një analizë të vërtetë për hendekun e nevojave sociale dhe të shërbimeve që ofronte Bashkia e Tiranës. Tashmë ne kemi një analizë të tillë dhe mbi këtë analizë është bazuar edhe strategjia e plani i veprimit për shpërndarjen e shërbimeve sociale.

Tirana ka qendra të caktuara që ofrojnë shërbime sociale. Në fokusin tonë ka qenë si të zgjerojmë gamën e shërbimeve sociale dhe si të përdorim atë buxhet në mënyrën më efiçente të mundshme, duke ofruar pikërisht ato shërbime sociale për të cilat komuniteti ka më shumë nevojë, pra të targetuara dhe jo të përgjithshme, me paketa të veçanta dhe speciale për prioritetet që ka Bashkia e Tiranës dhe jo sipërfaqësore. Besoj se tashmë ne këtë e kemi arritur.

Unë dua të falënderoj financuesit e projektit, Komisionin Evropian, të gjithë partnerët tanë për shpirtin e bashkëpunimit për ndarjen e përvojave dhe ekspertizës më të mirë dhe sot jemi këtu me përfaqësuesit e 160 të rinjve e të rejave të cilët kanë përfituar nga një komponent i këtij projekti shumë interesant, që ka të bëjë me pilotimin e modelit të shërbimit të informimit dhe këshillimit të të rinjve dhe grave që janë në nevojë për punë, pra që kërkojnë punësimin.

160 të rinj dhe gra janë trajnuar për temat “Aftësimi për jetën” dhe “Legjislacioni shqiptar dhe promovimi i punësimit tek të rinjtë dhe gratë në nevojë”. Sigurisht, ne e dimë fare mirë që trajnimet janë të nevojshme por nuk është kusht përfundimtar për të hyrë në tregun e punës. Kjo është arsyeja që ne sot gjithashtu deklarojmë që 10 biznes-planet më të mira sociale që do të prodhohen nga këta të rinj do të mbështeten nga projekti dhe dua të theksoj gjithashtu që jo vetëm do të mbështeten nga projekti, si plane iniciuese për biznesin social por me mekanizmat që Bashkia e Tiranës ka në dispozicion do të mbështetet gjithashtu edhe në jetën e tij si biznes.

Ne kemi dy mekanizma të cilat ndihmojnë punësimin e të rinjve dhe të rejave në Tiranë krijimin e vendeve të punës. Njëri është mekanizmi i një skeme garantimi, garancie të kredisë bankare për bizneset për të rinjtë, për të rinjtë nën moshën 35 vjeç. Mekanizmi i dytë i cili përdoret për herë të parë në Shqipëri, pra në rang republike është krijimi i një kompanie ku Bashkia e Tiranës bashkë me partnerë të tjerë strategjikë ndërkombëtarë është ortake, kompani e cila targeton veçanërisht start-up, bizneset e reja, ato biznese të cilat për arsye të caktuara e kanë të pamundur të aksesojnë financat në tregun bankar, sepse nuk kanë një historik dhe nuk kanë kolateral për të ndarë por që janë premtuese, kanë ide premtuese dhe që mund të krijojnë zhvillim ekonomik për qytetin e Tiranës por edhe punësimin e mëtejshëm të të rinjve, të rejave, të qytetarëve të Tiranës.

Këta janë dy mekanizmat që ne përdorim dhe i kemi përdorur deri më sot me shumë sukses. Unë do të doja gjithashtu t’ ju falënderoj të gjithëve për angazhimin tuaj, për dedikimin tuaj, t’ju deklaroj që Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të fokusohet në mënyrë të veçantë tek të rinjtë e të rejat, veçanërisht ata të rinj e të reja e gra që hyjnë në atë që quhet pjesë në nevojë, nevojë për punë apo shtresa të margjinalizuara. Do të ofrojmë shërbimet tona. Ne e kemi pilotuar këtë shërbim përmes qendrës sociale të Laprakës por do të vijojmë të tentojmë ta zgjerojmë edhe në qendra të tjera sociale që operojnë në qytetin e Tiranës dhe 10 planet e biznesit më të suksesshme jo vetëm do ndihmohen nga vetë projekti por do të hyjnë edhe në udhën e ndihmës apo mbështetjes nëpërmjet mekanizmave tona, të Bashkisë së Tiranës, të jetës së biznesit të mëtejshëm.

Dua t’i uroj suksese këtij projekti, ta falënderoj për punën e mirë të bërë, ta siguroj që Bashkia e Tiranës jo vetëm ka qenë shumë e interesuar por do të marrë më të mirën e projekti dhe do e bëjë pjesë të politikave të saj të ofrimit të shërbimeve sociale për qytetin e Tiranës”