10 milionë USD prona të krimit në shitje!

359

Rreth 40 pasuri të konfiskuara janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave për vitin 2017

Nga investimet në bono thesari, te llogaritë bankare qindra mijëra dollarëshe, te hotelet e resortet luksoze, deri te makinat e shtrenjta. Arrin në rreth 10 milionë dollarë vlera totale e pasurive të konfiskuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë dy viteve të fundit përmes 12 vendimeve. “Scan Magazine” ka zbardhur raportin zyrtar për vitin 2017 të kësaj prokurorie, ku bie në sy se në muajin mars të vitit të shkuar janë konfiskuar 5 pasuri të paluajtshme me vlerë totale rreth 2 milionë dollarë. Në total, për periudhën janar-qershor 2017 vlera e aseteve të konfiskuara nga Krimet e Rënda është rreth 3.5 milionë dollarë. Ndërkohë që konfiskime më të shtrenjta janë kryer gjatë vitit 2016. Vetëm përmes një vendimi të marrë gjatë këtij viti, janë konfiskuar një llogari bankare prej 938 mijë dollarësh, një tjetër prej 10 milionë lekësh, si dhe një sasi bonosh thesari prej 5.5 milionë lekësh. Po në vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara me një vendim të vetëm pesë llogari bankare në shumën totale prej 3.1 milionë dollarësh dhe katër llogari bankare në shumën totale prej 451 euro. Në total, për vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara një total asetesh prej rreth 5.5 milionë dollarësh.

40 pasuri në ankand

Rreth 40 pasuri të konfiskuara si rezultat i aktiviteteve kriminale janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave për vitin 2017. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vlera e tyre në total arrin në rreth 5.5 milionë dollarë. Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha tokash, pyjesh, restorante, dyqane e apartamente. Bie në sy vlera shumë e lartë e disa prej pasurive. Njëra prej sipërfaqeve pyll që shtrihet në 221 mijë metra katrorë vlerësohet me çmimin 270 mijë dollarë. Po me këtë çmim vlerësohet edhe një sipërfaqe ullishte në Durrës me sipërfaqe 1,500 metra katrorë.

Pastrimi i parave të krimit, risku në rritje

Për rritje të evidencave të parave të krimit flasin edhe të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas të dhënave të saj zyrtare, gjatë vitit 2017 janë referuar 401 raste të dyshuar për pastrim parash, nga 270 raste që janë dërguar në Policinë e Shtetit dhe 131 raste në Prokurori, ndërsa janë sekuestruar 9 milionë euro. Po gjatë vitit 2017, janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi të përkohshme kryesisht për llogari bankare, me një vlerë totale prej 11,2 milionë euro, prej të cilave janë sekuestruar 9 milionë euro. Sipas kësaj drejtorie, vetëm në përgjigje të kërkesave të policisë në vitin 2017 janë verifikuar 2,497 persona, ose 2 herë më shumë se mesatarja e katër viteve të fundit. Viti 2017 ka shënuar rritje me 7% të rasteve të dyshimta që subjektet e ligjit kanë raportuar në DPPPP, krahasuar me vitin 2016. Në vitin 2017 janë regjistruar 1,384 raste të raportuar të aktiviteteve të dyshimta, kundrejt një viti më parë.

4 skemat kryesore të pastrimit të parave

Pas analizimit të të dhënave nga organet ligj-zbatuese, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zbardhur 4 rrugët kryesore që përdoren për të futur në Shqipëri paratë e siguruara përmes krimit e korrupsionit. E para në listën e Drejtorisë është një skemë që shfrytëzon transferta nga shoqëri të regjistruara në parajsa fiskale, në favor të shoqërive ‘call center’. Raporti i referohet një kompanie “A” me objekt veprimtarie ‘call center’, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE, nga shoqëri të regjistruara në vende të parajsës fiskale (i ndryshëm nga vendi i dërgimit të transfertave). Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe 11 biznese të vogla të tipit Person Fizik me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re. Fondet e mbërritura në llogaritë e 11 bizneseve ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A. E dyta në listën e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të parave është një skemë përmes së cilës futja e parave të pista bëhet përmes transfertave të kryera me vende të Amerikës Latine nga shtetas me lidhje familjare me persona të dënuar për trafikim lëndësh narkotike. Të afërmit e personit të dënuar kanë dërguar për rreth çdo muaj 18 deri 20 transferta nga 200 deri 1 mijë euro në një vend të Amerikës Latine, të cilat janë tërhequr më pas nga të afërm të tjerë. Tipologjia e tretë përdor transferimet shpeshta të parave në sistemin bankar shqiptar. Një shtetas shqiptar, i cili zotëron 4 biznese, ka marrë një shumë 310 mijë euro nga një kompani me të cilën ka marrëdhënie biznesi. Shtetasi ka kryer për rreth 6 vite transferta të tilla parash, ndërkohë që pas verifikimeve ka rezultuar me precedent penalë për veprën e mashtrimit.

Tipologjia e katërt përdor investimet e siguruara nga aktiviteti kriminal në pasuri të paluajtshme.

Shtetasja A ka depozituar në një bankë të nivelit të dytë shumën 80, 000 EUR duke deklaruar të ardhura nga emigracioni. Ndërkohë në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën bankë, shtetasi X (dhëndri i shtetases A) ka hapur llogari të përbashkët me bashkëshorten e tij shtetasen B, ku ka depozituar shumën 65,000 EUR si kursime familjare dhe puna në emigracion në një vend të BE. Në lidhje me këto depozitime nuk është paraqitur asnjë dokument justifikues. Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se shtetasja B ka investuar në pasuri të paluajtshme në vlerën prej 150,000 EUR por se nuk kanë biznes të regjistruar në QKB. Të dy personat janë verifikuar dhe rezultojnë të dyshuar në një shtet të Bashkimit Evropian për trafikimin e lëndëve narkotike ( SCAN)