10 mijë familje në Durrës, peng i Agjensisë Shtetërore të Arkeologjisë

93
Prej vitit 2011, e gjithë zona kodrinore në Durrës, nga lagja 1 deri tek 18-ta, duke përfshirë edhe një pjesë të zonës së ish-Kënetës, janë klasifikuar në zonën arkeologjike “B”.

Klasifikimi i këtyre lagjeve, ka bërë që 10 mijë ndërtime pa leje të presin vendimin e Agjencisë Shtetërore të Arkeologjisë, për t’u bërë ose jo pjesë e procesit të legalimit në Durrës.

Kreu i Aluiznit, Flamur Gjuzi, në një intervistë për “Durrës Lajm” deklaroi se i është drejtuar disa herë me shkresa zyrtare këtij institucioni për të dhënë vendim për 10 mijë ndërtesat që presin legalizimin, por deri tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim. “Nga lagja numër 1 deri në lagjen numër 18 tek stadiumi e në ish-Kënetë, zona këto që kanë një numër shumë të lartë ndërtimesh, janë klasifikuar zonë arkeologjike “B”, në kundërsens me realitetin”,- pohon Gjuzi.

Bllokimi i 10 mijë ndërtimeve pa leje të bëra nga banorët ka sjellë edhe dyndje të këtyre të fundit, pranë zyrës së Aluiznit.

Ndërsa 10 mijë ndërtime informale mbeten të pa legalizuara, Këshilli i Ministrave me një VKM të veçantë i ka hapur dritën jeshile shtesave pa leje të bëra në zonën arkeologjike “B” të qytetit. Një vendim i fundit i qeverisë ndërkohë ka hapur dritën jeshile për rreth 1500 ndërtime kryesisht shtesa katesh në lartësi, por edhe në zonën vertikale në zonën B të qytetit.

Aluizni në Durrës ka përfunduar procesin e legalizimive në të gjitha ish-njësitë vendore në rang rrethi. 30 mijë familje kanë marrë çertifikatën e legalizimit, por 10 mijë që gjenden brenda qytetit, presin vendimn e ASHE-së.