10 mijë euro për një vendim pronash

186
Në Elbasan qarkullon si barceletë e hidhur thënia se “po nuk dhe 10 mijë euro, nuk merr vendim pronësie në gjykatë”. Dhe këtë po e vuajnë prej 25 vitesh qindra familje të vjetra elbasanase, të cilat kanë çerek shekulli që sorrollaten dyerve të gjykatave, duke pritur drejtësinë për konfliktet e vjetra dhe të reja. Sistemi drejtësisë, mbetet i mbuluar nga korrupsioni dhe kjo më së shumti rëndon çdo ditë xhepat e qytetareve elbasanas të hallexhinjve, të atyre që dergjen zyrave dhe sallave, duke shpresuar se do të ketë zbatim të ligjit dhe drejtësi. Pothuajse çdo ditë në gjykatën e Elbasanit, do të takohesh me ish-pronarë, që prej vitesh zhvillojnë gjyqe nga shkalla e parë në Apel, nga gjykata e Lartë, sërish në shkallën e parë. 
Organi i akuzës nuk heton korrupsionin në Gjyqësor
Po nuk ke bërë pazarin me sekserin e gjyqtarit mos prit të marrësh drejtësi. Shpesh abuzimi me detyrën dhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë ka qenë objekt edhe i organit të akuzës, deri sot nuk është penalizuar asnjeri prej tyre. Pronarët e vjetër elbasanas, (si rasti familjeve autoktone Harri, Kukunja, Zyma) dergjen prej vitesh në zyrat e institucioneve të drejtësisë së rrethit, duke paguar gjoba tek sekserët, të cilët duke shpresuar drejtësi dhe vendime të bazuara në ligj, zbrazin xhepat dhe shkatërrojnë jetët e tyre. Korruptimi i sistemit gjyqësor mbetet plaga më e rëndë, e cila po shpërfytyron qytetarët e Elbasanit. “Taksa” 10 mijë euro, dhe jo vetëm ajo, mbetet turpi sistemit të dhënies drejtësi në Elbasan. Tek shprehen me indinjatë ndaj gjyqtarëve, ish-pronarë të vjetër elbasanas deklarojnë se “ka gjyqtarë që çdo javë shënon me gisht në hartën e botës, vendin më të shtrenjtë ku të kalojë fundjavën, apo edhe pushimet e vitit, dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur xhepat e tyre janë fryrë me milionat e marra nga ne”. 
Gjyqtarë të pasuruar me korrupsion, që nuk i heton askush
Mjafton t’u shikosh deklaraten e pasurisë, ku asnjeri prej gjyqtarëve, nuk del me apartament të vjetër, por kanë vila në bregdet, toka, makina luksi dhe miliona në banka. Qytetarët e Elbasanit apelojnë për ndëshkimin e koprrupsionit në gjykatë , ashtu siç bënë me gjyqtarin Qani Hasa dhe “Qanitë” e tjerë, që ka ai institucion. Bëhet fjalë për përzierje në afera korruptive të zyrtareve, drejtuesve të institucioneve lokale e vendore, të cilët, duke abuzuar me ligjin, kanë grabitur troje dhe pronat e pronarëve legjitimë në këtë qytet. Denoncimet kanë të bëjnë me abuzimet në tokat, trojet në periferinë e qytetit dhe fshatra. Në denoncimet e tyre, qytetarët elbasanas, denoncojnë grabitjet e pronave të tyre, edhe nga ZRPP, në vitet e kaosit dhe abuzimit me trojet e ish-pronarëve të ligjshëm. Por, duket se organi i akuzës në Elbasan, ka qenë dhe mbetet tejet apatik dhe i pafuqishëm, për të mos thënë i kompromentuar me skandalin e pronave, që madje kanë shqetësuar edhe nivelet e larta te shtetit.
Dëshmia e ish-pronarit Flamur Harri
Flamur Harri një prej ish-pronarëve elbasanas u shpreh se “vendimet e paligjshme të gjyqtarëve të Elbasanit, ka bërë që shkelesit e ligjit, grabitesit e pronave nga zyrtarët në gjithë këto vite, të bëhen shkak për ngjarje të rënda mes palëve. Personalisht kam denoncuar në Prokurori dhe KLD gjyqtarët e çështjeve të mia si Zihni Shahu, Ramazan Avdia, apo në Aplin e Durrësit dhe deri në Gjykatën e Lartë. Qytetarët e Elbasanit, ankohen dhe shprehen të shqetesuar për shkelet ligjore edhe në Hipoteka, Kadastra dhe nga komisionet e tokave në njësitë vendore ku ata banojnë. Ata shprehen të shqetësuar për vendimet e Gjykatës Elbasan, e cila gjithmonë, ose ka zvarritu,r ose ka dhënë vendime pro atyre, që kanë shkelur ligjin dhe kanë blerë vendimin me miliona – tha Harri.