1 Maji, Presidenti Meta: Po largohen punëtorët, shteti të garantojë kushte të mira pune

549
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ndarë shqetësimin për më shumë kushte të mira dhe dinjitoze pune. Në kuadër të Ditës së Punëtorëve, në krah të tyre, Kreu i Shtetit apelon që shteti të garantojë kushte të mira pune pasi kështu do të frenohet largimi i punëtorëve si emigrantë.

”Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar. Është detyra e shtetit në rradhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë”.

Nga ana tjetër, Presidenti Meta, ka një falenderim të veçantë për emigrantët shqiptarë, ‘‘që me punë të ndershme kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme kundër varfërisë dhe zhvillimit të vendit në vitet e vështira të tranzicionit”,-shkruan Presidenti Meta në facebook.

Postimi i plotë

Duke u uruar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, ndaj sot shqetësimin me të gjithë punëtorët, të sektorit publik dhe të atij privat, për kushte më të mira e më dinjitoze pune dhe për respektim të legjislacionit, që garanton plotësisht të drejtat e tyre.

Me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit. Fatkeqësisht, Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar.

Është detyra e shtetit në rradhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë.

Një falënderim të veçantë kam sot dhe për të gjithë emigrantët shqiptarë, që me punë të ndershme kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme kundër varfërisë dhe zhvillimit të vendit në vitet e vështira të tranzicionit.